Vendi i gjuhës shqipe në BE
Nga Ramiz LUSHAJ
1. Bashkimi Evropian është më se i vonuar me Shqipërinë për sa i përket, jo vetëm dhënies së statusit të vendit kandidat, por edhe anëtarësimit të saj, nisur edhe nga fakti se gjuha jonë kobtare e zyrtare, shqipja, e lashtë sa vetë toka, historia e kultura e Evropës, është e vetmja gjuhë në kontinentin evropian, e mbetur jashtë BE-së, ndërkohë që mund të ishte prej kohësh një ndër gjuhët zyrtare të tij, të paktën në njërin prej tri zgjerimeve të tij: më 1995, 2004 apo më 2007.
Nga trungu i gjuhëve indoevropiane, (pa përfshirë Bashkësinë e Shteteve të Pavarura – CIS), të gjitha gjuhët, si familje apo degë më vete, janë gjuhë zyrtare të Bashkimit Evropian .Nga familja e gjuhëve romane ka hyrë anglishtja: Mbretëria e Bashkuar (1951), Republika e Irlandës (1973) e Malta (2004); frëngjishtja: Franca (1951), Belgjika (1951) e Luksemburgu (1951); italishtja: Italia (1951); spanjolle: Spanja (1986); portugeze: Portugalia (1986); rumanisht: Rumania (2007).
Nga familja e gjuhëve gjermanike ka hyrë si gjermanishtja: Gjermania Perëndimore (1951), Gjermania Lindore, përndryshe: Republika Federale e Gjermanisë (1990), Belgjika (1951), Luksemburgu (1951) e Austria (1995); holandishtja: Holanda (1951), Belgjika (1951); danishtja: Danimarka (1973), suedishtja: Suedia (1995) e Finlanda (1995).
Nga familja e gjuhëve sllave kanë hyrë gjuhët, si çekishtja: Republika Çeke (2004); sllovenishtja: Sllovenia (2004), polonishtja: Polonia (2004); bullgarishtja: Bullgaria (2007); sllovakishtja: Sllovakia (2004).
Përveç këtyre tri familjeve kryesore, me degëzime e shtrirje gjeografike të madhe mbi 90 për qind, që i kanë gjuhë zyrtare mbi 90 për qind e popullsisë së BE-së, nga trungu i gjuhëve indoevropiane kanë hyrë edhe familja e gjuhëve baltike dhe familja e gjuhëve kelte. Nga gjuhët baltike renditen letonishtja: Lituania (2004) dhe lituanishtja: Lituania (2004), ndërsa nga gjuhët kelte janë irlandishtja: Republika e Irlandës (e anëtarësuar më 1973 dhe si gjuhë zyrtare më 2007) dhe Mbretëria e Bashkuar (Irlanda e Veriut); gjuhët si skoceze e uellsiane si gjuhë kombëtare në Mbretërinë e Bashkuar (Skocia e Uellsi), që kanë status të veçantë në BE.
Si degë më vete është edhe greqishtja, gjuhë zyrtare në Greqi (1981) dhe në Qipro (2004), kjo e fundit ka gjuhë zyrtare edhe turqishten.
Shqipja, në trungun e gjuhëve indoevropiane, është degë më vete dhe mbetet e vetmja gjuhë pa status në BE, sepse Republika e Shqipërisë ende nuk e ka marrë as statusin e vendit kandidat e, për më e pakuptueshme dhe e papranueshme, i thuhet që të presë ende, përtej presidencës çeke, e, sipas disa zërave edhe përtej presidencës suedeze, ndërsa për anëtarësim mendohet që të presin vite e vite, ndoshta, më e afërta, 2014-a(!).
Prandaj, jo vetëm statusi kandidat, por edhe anëtarësimi sa më i shpejtë i Shqipërisë në BE, nuk është as privilegj dhe as sakrificë, por detyrë e paplotësuar e kohës, nisur nga realiteti historik, sepse realiteti i ri gjeo-strategjik, politik e kulturor i Evropës e botës e kërkon edhe shqipen në Bashkimin Evropian.
2.
NATO, si organizatë politiko-ushtarake, vërtet i ka dy gjuhë zyrtare, anglishten e frëngjishten, por gjatë 6 dekadave të saj, nga 4 prilli 1949 deri më 4 prill 2009, me anëtarësimin e Shqipërisë, i ka të përfaqësuara në gjirin e vet të gjitha familjet e degët e veçanta të trungut të gjuhëve indoevropiane.
Edhe Bashkimi Evropian është organizatë politike, ekonomike e tregtare dhe komunitet vlerash, por e ka lënë jashtë politikave të tij gjuhën shqipe, ndonëse e ka të trungut të vet indoevropian, të hapësirës gjeo-politike kontinentale të tij. Mosvlerësimi parësor për shqipen, si kriter politik nga BE-ja, ka edhe anën tjetër të medaljes: duhet parë me përparësi edhe si pjesë e komunitetit të vlerave të tij.
Së pari: Gjuha shqipe, e prejardhur nga ajo pellazgo-ilire, është nga gjuhët më të vjetra të Evropës, bile para shumë gjuhëve zyrtare të Bashkimit Evropian, që hodhën rrënjë e lëshuan degë dhe morën hapësira gjeo-politike evropiane pas lindjes së Krishtit, si disa nga gjuhët sllave, uralike e altaike etj.
Së dyti: Shqipja zë vendin e 79-të në botë, ndër 300 gjuhët që i flasin mbi 1 milion banorë, ndërkohë që në këtë tregues vetëm 12 gjuhë zyrtare të Bashkimit Evropian janë para saj, si ajo angleze, frënge, spanjolle, gjermane, italiane, polake, rumune, holandeze, greke, hungareze, çeke e suedeze.
Së treti: Gjuha shqipe është gjuhë zyrtare e vetme në Republikën e Shqipërisë, gjuhë zyrtare (e para për nga popullsia) në Republikën e Kosovës, gjuhë zyrtare e dytë në Republikën e Maqedonisë.
Nisur nga ky tregues, gjuha shqipe, si gjuhë zyrtare në 3 shtete ballkanike, po të krahasohet me gjuhët zyrtare në BE, zë vend pas gjermanishtes, anglishtes, frëngjishtes.
Së katërti: Trungu i gjuhëve indoevropiane (bashkë me familjen indo-iraniane etj. dhe degë të veçanta si armenishtja, anatolianishtja (hitët) etj.) ka 449 gjuhë, ku gjuha shqipe renditet e 46-a, çka do të thotë se për nga shtrirja territoriale e numri i folësve të saj, merr një rëndësi të veçantë.
Përveç kësaj, me nënshkrimin e Kartës Evropiane për Gjuhët e Regjioneve e Minoriteteve, disa shtete evropiane e njohin ligjërisht shqipen si gjuhë lokale etj., si Republika e Serbisë (15 shkurt 2006) njeh shqipen në Luginën e Preshevës (në tri komunat shqiptare si Preshevë, Bujanovc e Medvegjë), etj.; Republika e Malit të Zi (15 shkurt 2006) njeh shqipen në disa komuna si në Ulqin etj.; Rumania (24 tetor 2007) njeh shqipen si gjuhë në përdorim për diasporën shqiptare në këtë vend.
Italia, si vend anëtar themelues i BE-së, këto kohët e fundit, e ka njohur arbërishten e ngulimeve shqiptare në disa zona të saj, si një nga gjuhët e minoriteteve në listën e Bashkimit Evropian.
Greqia, si vend anëtar i BE-së dhe fqinj i Shqipërisë, pavarësisht se BE-ja i ka apeluar disa herë, nuk po e ndjek shembullin e Italisë, që ta rendisë arvanishten në listën e gjuhëve të minoriteteve të Bashkimit Evropian, pavarësisht faktit se krahina e Çamërisë shqiptare ka shqipen gjuhë të tokës e të tamblit të vet amtar.
3.
Në Bashkimin Evropian, ndër 27 shtetet anëtare të tij, disa nuk i kanë gjuhët zyrtare nga trungu i gjuhëve indoevropiane, si Hungaria në Evropën Qendrore, Finlanda në ishullin skandinav e Estonia në hapësirat baltike, që hyjnë në gjuhët ugro-fine dhe shteti ishullor i Maltës në Mesdhe, me gjuhën malteze, hynë në gjuhët semitike.
Në gjuhët e regjioneve dhe minoriteteve, disa shtete evropiane kanë më përparësi në Bashkimin Evropian se gjuha shqipe në Ballkan, si ajo armene në 4 shtete si Bullgari, Qipro, Hungari e Poloni; ajo serbe në Austri, Hungari, Gjermani, Rumani e Slloveni; ajo kroate në Austri, Republikën Çeke, Hungari, Itali, Sllovaki e Slloveni; ajo boshnjake në Austri, Gjermani e Slloveni etj.
Kur e trajtojmë çështjen e gjuhës shqipe në listën e gjuhëve zyrtare apo të regjioneve e minoriteteve të Bashkimit Evropian, kam parasysh se nuk po flas për ngulimet ilire në kohën e Aleksandrit të Madh, në pllajën e Hundëzës (2300-2700 m mbi nivelin e detit), në Nuristanin e Pakistanit (me mbi 50 mijë banorë), aty ku takohen Afganistani, Pakistani, Kina e Taxhikistani, të cilët ende flasin dialektin e tyre burrushesku (gjuha e burrave), me rrënjë e gjurmë të shqipes. Realisht, kam parasysh se po flasim për një vend evropian si Shqipëria, për një gjuhë të veçantë në Evropë e me peshë territoriale e popullsie në Ballkan, që ka fqinj tokësorë Greqinë e fqinj detar Italinë, anëtare të Bashkimit Evropian, që meriton vëmendje e përparësi, duke e anëtarësuar vendin tim, Shqipërinë, në BE sa më shpejt të jetë e mundur.
Çështja shtrohet thjesht: Shqipja e shqiptarëve në Ballkan kur do të zërë vendin e merituar në gjuhët zyrtare të Bashkimit Evropian, që materialet dokumentare të BE-së të kenë fatin historik të përkthehen edhe në gjuhën shqipe, që Shqipëria të jetë anëtare e BE-së?
Ndërsa ngre çështjen e përdorimit zyrtar të shqipes në BE, kam parasysh edhe faktin tjetër, se një vend i porsapranuar në BE, Bullgaria ballkanike, në vitin 2007, e ngriti problem edhe përdorimin e një gërme (shqiptimin e saj) të fjalës “euro” për t’u shqiptuar sipas gjuhës bullgare “evro” në të gjitha përkthimet, në të gjitha gjuhët zyrtare të BE-së. Bullgaria kërcënoi me veton e saj. Ndaj u gjet kompromisi: në dokumentet zyrtare të BE-së, të përkthyera në gjuhën bullgare, të mos shkruhet fjala e plotë “euro” as në variantin roman e as në variantin bullgar “evro”, por thjesht vetëm kodi i saj bankar ndërkombëtar “eur”, çka kjo i mundësoi edhe Malit të Zi të nënshkruante MSA-në me BE-në më 15 tetor 2008 etj.
Kur diplomacia e politika e BE-së ndërhyn e zgjidh problematika edhe për një gërmë alfabeti gjuhësor, atëherë a mund të bëjnë më shumë e më shpejt edhe për t’i dhënë gjuhës shqipe vendin e merituar e të munguar në BE, duke e pranuar Republikën e Shqipërisë, me procedura të përshpejtuara, jo vetëm si vend kandidat, por edhe anëtar të tij?!
*Drejtor ekzekutiv i Qendrës Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike