E Diel, 1 Nëntor 2026

Strasburgu penalizon shtetin shqiptar, 450 mijë euro familjes Vrioni



Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka penalizuar shtetin shqiptar me 450 mijë euro, një vendim ky që përbën penalizimin me shumën më të madhe dhënë ndonjëherë në favor të paditësve për Shqipërinë, pas çështjes “Driza” në vitin 2007. Çështja “Vrioni dhe të tjerë kundër Shqipërisë” ka lidhje me konfliktin e pronësisë për gjysmën e një banese private në Tiranë, që sipas Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut nuk është zgjidhur drejt nga shteti shqiptar dhe ku gjykatat kanë shkelur të drejtat e pronarëve. Historia e së drejtës së kësaj prone lidhet me një konflikt midis pronarëve të vjetër B. Benusi dhe pronarëve të rinj K. Glozheni për gjysmën e një shtëpie private, së bashku me truallin dhe oborrin, gjithsej 600 metër katrorë, të cilën pronari aktual e kishte blerë rreth 50 vjet më parë. Duke shpjeguar rrethanat e çështjes “Vrioni dhe të tjerë kundër Shqipërisë”, Gjykata e Strasburgut tregon se si prona kishte kaluar nga njëri person tek tjetri.

Historia e pronës

Para luftës në Shqipëri, babai i kërkuesve ishte pronar i një vile së bashku me 1,377 metra katrorë truall në Tiranë. Por, në 21 prill 1948, Gjykata e Lartë Ushtarake e shpalli Benusin fajtor për çështje politike, duke e dënuar atë me 7 vjet burg, si dhe urdhëroi konfiskimin e gjysmës se pronës që ishte hipotekuar. Sipas një ligji të asaj kohe, kjo pronë i kaloi shtetit dhe brenda të njëjtit vit shteti ia shiti këtë pjesë pronarit të ri Glozheni. Por, në 1992 prona iu kthye sërish pronarëve të vjetër, duke shënuar kështu fillimin e maratonës së proceseve civile në të gjitha shkallët e gjyqësorit vendas. Procesi u mbyll në vitin 2002 në Gjykatën Kushtetuese me vendimin ku ankesa e aplikuesve u vlerësua e papranueshme, pasi ishte jashtë juridiksionit të saj. Po ashtu, në këtë vendim Gjykata e Strasburgut kërkon dëmshpërblimin financiar me 450 mijë euro për pronarët e vjetër, ndërsa prona i mbetet pronarit të ri. Në këtë vendim thuhet se shteti i paditur duhet t’ua paguajë të gjithë shumën kërkuesve brenda 3 muajve, nga data kur vendimi u bë përfundimtar në përputhje me nenin 44/ fraksion 2 të konventës. Shifra prej 450 mijë eurosh duhet të konvertohet në monedhën e vendit të paditur në kursin e aplikuar ditën e vendimit. Përveç 450 mijë eurove, shteti shqiptar duhet t’u paguajë kërkuesve edhe çdo taksë që mund të ngarkohet në përputhje me dëmin financiar dhe jofinanciar.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›