E Shtunë, 31 Tetor 2026

Teatri, zyrtarisht në rrjetin evropian



Teatri Kombëtar, zyrtarisht ka prezantuar para mediave, pranimin e tij me të drejta të plotë në Unionin e Teatrit Evropian Konvencional, ETC, në Francë. Përfshirja zyrtare në këtë organizëm do të thotë shkrirjen e kufijve institucional kulturor të teatrove evropiane, si dhe bashkëpunimin me institucionet e shteteve anëtare, në mënyrë që të zgjerohet promovimi dhe ballafaqimi i teatrit të këtyre vendeve. Po ashtu është parashikuar edhe një angazhim për rritjen e standardeve evropiane të Teatrit përmes pjesëmarrjes në projektet e përbashkëta, përgjegjësi për të marrë përsipër detyrimet dhe përfitimet që vijnë prej këtij anëtarësimi. Ndërkohë që drejtori i TK-së, Kristaq Skrami, ka përshëndetur këtë përfshirje duke thënë se “përfshirja e Teatrit Kombëtar në familjen tonë evropiane na zgjeron dimensionet e vështrimit, të pamjes e të njohjes. Ne kemi shumë nevojë të prekim traditën e madhe të larmishme dhe bashkëkohore, vazhdimisht kreative të teatrit evropian. Ne kemi shumë nevojë ta prekim atë nga afër, ta përjetojmë jo vetëm me format e sotme të komunikimit elektronik, por në sallën e Teatrit, së bashku me regjisorë, me aktorë dhe në prani të spektatorit. Njohja dhe qarkullimi i vlerave me homologët tanë kudo në Evropë do t’i japë impulse të fuqishme krijimtarisë së artistëve shqiptare”. Ky union i themeluar në vitin 1988 është një organizëm aktiv ku janë anëtare 40 teatro kombëtare të 22 shteteve evropiane si Zvicra, Rumania, Slloveni, Gjermani, Itali etj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›