E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tejzgjatje e vitit ‘99

06-08-2011 / Nga Qemal Sakajeva

Shkuljani Beogradit “Gozhdën e Nastradinit” në veri

Çfarë po ngjet në veri të Kosovës, nuk përbën diçka të papritur e të paditur. E vetmja, e menduar  deri në  lodhje, ka qenë pyetja e përbashkët - kur do të ndodhë? Dhe, pohimi  habitës, i saposhprehur, është - sa vonë! Gjithçka përmbi lumin Ibër të Mitrovicës, domethënë në gjithë veriun e qytetit, pikën doganore 1 në Jarinjë dhe pikën doganore 31 në Bërnjak, rrugët e bllokuara nga serbët, logjistika e duhur, armatosja e nevojshme dhe vrasja, marrin përmbajtjen luftarako - politike të tejzgjatur të vitit ’99, thuajse me po atë skemë, përjashto kohën, përmasën dhe faktorët.
Forcat speciale policore vepruan më 25 korrik për të vënë nën kontroll kufijtë shtetëror të Republikës së Kosovës, për të  zbatuar reciprocitetin me Republikën e Serbisë. Serbët vranë, dogjën, ngritën barrikada, bllokuan rrugë, zyrtarë të lartë të Beogradit u vunë në krye  të protestuesve brenda shtetit të Kosovës, si dikur ushtarakët në komandë të paramilitarëve. KFOR, pa ndërmarrë veprime luftarake, i duruar dhe i përmbajtur, u pozicionua në kufi për të mbajtur situatën nën kontroll.
Qendra të rëndësishme politike, që nga Uashingtoni, Brukseli,  Beogradi, Prishtina  e Tirana bënë deklarime, nga të cilat, më të hapurat ishin ato të SHBA dhe Shqipërisë.
Atëherë - domethënë më 1999 - lufta e madhe u bë që Kosova të vihej nën qeverisjen e Kosovës, e çliruar nga Serbia, me popull të lire, në hisen e vet të tokës e të  diellit. Dhe, njihet nga e gjithë bota që, kjo u krye me sakrificën e pashembullt të shqiptarëve, mbështetjen  jetike  të SHBA dhe luftën humane të NATO-s, kundër ushtrisë vrasëse e çnjerëzore të Sllobodan Millosheviç. Por, shqiptarët, gjithmonë kanë pyetur të shqetësuar, dhe s’kanë ende përgjigje: pse, kush dhe për çfarë u lejua  Serbia e mundur keqas, të ngulte në Mitrovicën e veriut “Gozhdën e Nastradinit”, për të ushtruar prej aty, ndërhyrjen e pandërprerë banditeske e shpërfillëse mbi shtetin e ri, edhe sot e kësaj dite, 12 vjet pas çlirimit?
Këtë herë - domethënë që më 25 korrik 2011 - “lufta e vogël” po bëhet që, pjesa veriore jashtë kontrollit të shtetit të Kosovës, të vihet nën qeverisjen e Kosovës, për ta çliruar atë pjesë territori nga dypushtimi serb - pushteti paralel vendor serb, jashtë qeverisë së Kosovës dhe zgjatimi i pushtetit qendror serb me të dërguar  të  qeverisë së Beogradit. Në veri të Kosovës, nëpër rrugët e bllokuara  dhe turmat e protestuesve , nuk ka thjeshtë  ca banditë, ndonjë kriminel apo disa grupe të vetorganizuara. Me zvogëlim gjuhësor dhe përcaktime politiko-diplomatike zbutëse, nuk ndalet shtrirja qeverisëse e Serbisë brenda shtetit të Kosovës. Jo, dhe përsëri, jo! Kur ministri për Kosovën në Serbinë e presidentit Tadiç dhe qeverinë e kryeministrit Cvetkoviç, i shumë publikuari Goran Bogdanoviç, futet nëpër  Kosovë lirisht e krenisht, siç edhe udhëton nëpër Serbi, pa pyetur për qeveri të Thaçit, mision të UNMIK-ut të OKB-së, EULEX-it të Bashkimit Europian, KFOR-it të NATO-s, dhe në Rudare, para protestuesve, flamurit gjigand serb, portreteve në seri të kryeministrit rus Vladimir Putin e një parulle të stërmadhe me shkronja cirilike “Stop kosovskim institucijama” (Ndal institucioneve të Kosovës”, ai pra, ministri i Beogradit, Goran Bogdanoviç bëri thirrje, “mos lejojmë që këtu të krijohet shteti i Kosovës”. Ndërsa kryesuesi i palës serbe në bisedimet Beograd - Prishtinë, Borislav Stefanoviç, i quajturi shkurt Borko, të tërëve, kah janë e kah s’janë, në emër të qeverisë serbe, u kërkoi: “Kthehuni të gjithë këtu, ndërprisni pushimet dhe mos u largoni tani askund. Ne jemi popull europian, kjo nuk është geto, kjo është Serbi”. Madje, gjenerali i KFOR-it, Erhard Byhler u bllokua prej protestuesve në Noting Hill, mes Slatinës dhe Leposaviqit, dhe u lejua vetëm atëherë kur Borko Stefanoviç e Goran Bogdanoviç, i thanë turmës, të mos e pengojnë.
Çlirimi i Kosovës u krye për 78 ditë. Edhe ashtu, pati kritika politiko - ushtarake, në kuptimin që në strategjinë e fitores, plani ushtarak duhet të mbizotëronte krahun politik, me qëllim që lufta të përmbyllej shumë më shpejt. 
Por çlirimi i veriut të Kosovës nuk është kryer ende, një tejzgjatje skandaloze e 1999-ës, plot 12 vjet, nëse 25 korriku, kur shteti i Kosovës, për herë të parë veproi me kurajë dhe vendosmëri, do të hyjë në histori si ditë që hap një faqe të re për bashkimin e pjesës së ndarë me tërësinë e vendit.
Atje - në veri -nuk gjendet thjeshtë ndonjë grup banditësh a kriminelësh, qoftë edhe sipas përcaktimit të presidentit serb Tadiç, por ka shumë më shumë. Ky është një teatër politik serb, me disa role, që mund ta shohin edhe qorrat: Boris Tadiç, apo Presidenti Kurrë, sepse për Kosovën përsërit vetëm fjalët “kurrë njohje”, luan personazhin e sofistikuar europerëndimor, por jo atë atlantist, sepse Shteteve të Bashkuara të Amerikës iu drejtua me kritikë të drejtpërdrejtë; kryeministri Cvetkoviç bën fjalëpakun e veprimshumin, tha që faktori ndërkombëtar të mos jetë i njëanshëm, ndërsa vartësit e tij, si Goran Bogdanoviçët dhe Borko Stefanoviçët, i nisi në terren, të cilët ua kaluan banditëve si zyrtarë të lartë cuba, për nga mënyra si futen në shtetin tjetër dhe nga thirrjet politike që lëshojnë prej atje.
Serbia i dorëzoi edhe tre kriminelët e mëdhenj, por ata nuk janë të fundit siç u tha: ende nuk është dorëzuar mendimi politik kriminal serb. Ata nuk duan t’ia dinë për shqiptarët dhe qeverinë e Kosovës, por nuk pyesin as për Brukselin, ndaj të cilit sillen si kokoroshë, force e politike, më i fundit i të cilëve ishte zëvendëskryeministri Ivica Daçiç, që i përcolli Bashkimit Europian kumtin se, nuk do të bëjnë tregti me Kosovën për shkak të hyrjes në BE, duke u thënë prerë se, “Qëndrimi ynë është i qartë: ekziston vija e kuqe e interesit shtetëror përtej së cilës Serbia nuk do të kalojë”. Beogradit i fanepset vetëm një dëshirë e zjarrtë, që i del edhe në ëndërr, fjetë dhe zgjuar, e që do të donte të bëhej zhgjëndërr, aspak më vonë se sa thuhet fjala: ata ëndërrojnë dhe shpresojnë për një SHBA të mposhtur, të pafuqishme, të mbyllur brenda kufijve të saj, izoluar vetëm përtej oqeanit - për të mos u penguar paskëtaj nga askush tjetër, për kryerjen e Marshimit të  Kthimit në Kosovë. Serbia, në këto 12 vjet pas luftës, ka vetëm dy politika bazë - të kompensohet si viktimë për të mbërritur sa më parë në Bruksel, dhe shtetin e Kosovës ta zhbijë nga brenda nëpërmjet pengimit e ta dështojë nga jashtë nëpërmjet veprimit. Kanë qenë përsëri SHBA, përmes Tomas Kantrimen, që u lëshoi ujë të ftohtë mbi kokat e nxehta, duke i qartësuar se nuk lejohet të preket sovraniteti i Kosovës, barrikadat në veri të hiqen, ndarja e Kosovës nuk do të ndodhë, ajo nuk është temë e dialogut, edhe pse, siç tha ai, ka njerëz në Serbi që duan të zbaviten me idenë e ndarjes.
Lufta është kryer dhe fitorja mbi Serbinë ishte e plotë, por çlirimi i Kosovës nuk duhet lënë të jetë i cenuar edhe më tej. Nëse, atëherë, më 1999, pas luftës, apo dhe më 2008, kur u shpall pavarësia, kufijtë veriorë do të ishin venë nën kontrollin e shtetit të Kosovës, Serbia  nuk do të  kishte mundur të ngulte përmatanë Ibrit një “Gozhdë Nastradini”. Kosova bëri e po bën shumë durim dhe, më në fund, më 25 korrik 2011, kreu një  operacion paqësor, të drejtë dhe të ligjshëm, që meriton vetëm mbështetje  të menjëhershme e të fortë. Rrethanat kanë ardhur në atë pikë sa, fitimtarët duhet ta  detyrojnë Serbinë të dorëzohet edhe në veri, siç u përzu nga e gjithë Kosova. Presidenti amerikan Regan, që nga Berlini i pati drejtuar Gorbaçovit të Bashkimi Sovjetik, thënien e famshme: “Rrëzojeni atë mur!” Kosova, po u drejton aleatëve perëndimorë, një thënie të famshme anekdotike, për pushtetin serb me fuqi groteske: Shkuljani Beogradit “Gozhdën e Nastradinit”, të ngulur në veri!

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›