E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tek "3 Dëshmorët" blihet uji i pijshem nga autobotet

Banorët tregojnë se e gjithë lagjia dhe madje, edhe zonat përreth, vuajnë mungesën e ujit të pijshëm dhe ujit për nevoja shtëpiake. Ata shpjegojnë se uji vjen në çezmat e tyre vetëm njëherë në ditë 

TIRANE-Stina e nxehtë e verës në kryeqytet shoqërohet me mungesa të theksuara të ujit të pijshëm, që në disa raste zgjasin për ditë të tëra. Kështu ka ndodhur edhe në rrugën "3 dëshmorët" ku banorët mbajnë radhë në fugona të ngrakuar me bote uji dhe ua shesin "hallexhinjve". Banorët tregojnë se e gjithë lagjia dhe madje, edhe zonat përreth, vuajnë mungesën e ujit të pijshëm dhe ujit për nevoja shtëpiake. Ata shpjegojnë se uji vjen në çezmat e tyre vetëm njëherë në ditë dhe me orar të reduktuar, ndërkohë që ai thuajse është i pakonsumueshëm pasi vjen së bashku me gurë gëlqerorë, herë pas here vjen me ngjyrë të kuqe, madje nuk mungojnë as rastet kur nga rubinetat dalin edhe larva të vogla. Në fakt edhe statistikat e bëra nga Instituti i Shëndetit Publik që monitoron cilësinë e ujit të pijshëm në kryeqytet, kjo zonë konsiderohet si shumë problematike, pasi uji është tejet i ndotur dhe nuk mund të përdoret as për larje e shpëlarje pasi mund të shkaktojë sëmundje të lëkurës. Ndërkohë banorët e kësaj zone, kanë hapur puse, ujin e të cilëve e përdorin vetëm për vaditjen e luleve, ndërsa për çdo nevojë tjetër e blejnë tek autobotet.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›