Berisha, pranë kolapsit

Besart Berisha ka zbuluar se ishte afër kolapsit, pasi e ndihmoi ekipin e tij Brisbane Roar ta arrinte finalen e madhe në A-League. Disa minuta pasi Roar fitoi 3:2 ndaj Central Coast Mariners në ndeshjen e dytë gjysmëfinale të play-offit, sulmuesi kosovar u ndie i lodhur dhe gati ishte alivanosur.
“Ndieja se po bija poshtë, kurrë në jetën time nuk jam ndier më i pafuqishëm. Më merreshin mendtë, temperatura m’u ngrit. Kishte shumë stres në trupin tim”, deklaroi futbollisti kosovar për ueb faqen couriermail.com.au.
Ish përfaqësuesi shqiptar thekson se orari mjaft i ngjeshur bëri të ndihej në atë mënyrë. Në hapësirën prej 9 ditësh, Roar zhvilloi tri ndeshje, dy në kampionatin australian dhe një në Ligën e Kampionëve të Azisë, ku barazoi me ekipin korean Ulsan Hyundai.
Gjatë kësaj periudhe, ai e kaloi shumicën e kohës duke udhëtuar me aeroplan e autobus, para ndeshjes së të dielës në Gosford ndaj Mariners.
“Kam vështirësi të mëdha. Kam rënë për shkak të udhëtimit të gjatë, por nuk ankohem. Isha vërtet i lumtur që i mposhtëm Mariners. Në jetën time kurrë nuk kam luajtur një ndeshje për trofe dhe ky është evenimenti më i madh në futbollin australian. Dëshiroj ta bëj lojën time më të mirë, është diçka e veçantë për mua”, shtoi futbollisti kosovar.
Të hënën mbrëma, Berisha e ka marrë çmimin ‘Këpuca e Artë’ në A-League, pas 19 golave të shënuara gjatë sezonit. Për këtë arritje u është mirënjohës shokëve të skuadrës dhe trajnerit Ange Postecoglou.
“E kam shijuar vërtet periudhën me Ange. Ai është trajneri të cilin po e kërkoja një kohë të gjatë. Ai më kupton dhe kjo është arsyeja pse e kalova vitin më të mirë në karrierë”, shtoi Berisha.