“Rilindja” neobllokmene, klithmë për rikthimin e korrupsionit në sistem
Komunistët e dështuar nuk i kanë humbur shpresat, që të fitojnë privilegjet e pamerituara nëpërmjet rikthimit të korrupsionit në sistem. Ata po e çmojnë këtë ves të shoqërisë si lokomotivën e shndërrimit të demokracisë në diktaturë. Se, duke mos mundur të kthejnë luftën e klasave, synojnë krijimin e shtresave të tyre të privilegjuara nëpërmjet vjedhjes së pasurisë. Si ithtarë të makutërísë, ata nuk po i njohin kufí lakmisë për t’u pasuruar brenda ditës. Neobllokmenët synojnë, madje, ta shkatërrojnë demokracinë duke stimuluar çdo të metë e dobësi të saj. Se, meqë nuk mendojnë të pendohen për gjëmat e së kaluarës, përgatitin shembjen e vlerave të sotme, duke u shtirur si ideatorë të progresit. Strategjia e tyre është ta dëmtojnë demokracinë, duke ia zmadhuar të metat e vështirësitë. Kështu ata mendojnë të mbulojnë mëkatet e tyre në diktaturë duke ekzagjeruar të metat e demokracisë. Zaten kështu ka vepruar gjithmonë në shekuj vesi kundër virtytit. Të mbetur si peshku pa ujë, neobllokmenët nisen nga parimi se, meqë në botë nuk ka gjë të përsosur, le të kapen pas “qetësísë” së terrorit komunist dhe asaj “ndershmërísë” së kopaçes për t’i prezantuar ato si majën një ideali të vërtetë shoqëror. Dhe mendojnë se ky mashtrim i ri do t’i kthejë njerëzit te nostalgjia për diktaturën. Se, si piratë, neobllokmenët nuk përpiqen të krijojnë programe, as alternativa, apo kushte për gëzime morale, që burojnë nga liría e demokracísë. Përkundrazi ! Ata stimulojnë kultin e pasurimit të padrejtë duke e paraqitur atë si artin e njeriut të aftë. Prandaj nuk ndiejnë nevojë as për program, as për alternativa. Por shpallen se janë për RILINDJEN e kombit !! D.m.th. të ringjallin epokën, kur njeriu të ngrihet kundër vetes dhe të adhurojë ata që i marrin jetën. Ndaj, aty ku nuk u pi ujë gënjeshtra dhe shpifja, krijojnë alarme nëpërmjet ekzagjerimit të të metave të tranzicionit. Dhe, kur të tilla të meta e dobësí nuk gjejnë, u sulen fatkeqësive natyrore, të cilat i trajtojnë si pasoja të një qeverisjeje të keqe. Dhe vazhdojnë me parashikime kataklizmash ekonomike, përmbytje ujërash, bllokime energjitike, etj. Shkurt, neobllokmenët përpiqen t’i vënë brirë këtij populli, që e mashtruan me dekada duke premtuar t’i risjellin “parajsën” e dajakut, të gënjeshtrës e të urísë”. Ndaj, meqë i kanë humbur të gjitha garat elektorale, paraqiten si fitimtarë të sigurtë. Dhe, si ajo dhelpra e mbaruar, prezantohen me dinakërí sikur janë viktima të vjedhjes së votës prej kundërshtarit. Dhe i ngjajnë kështu atij hajdutit, që bërtiste : ”Kapeni hajdutin!”.
Neobllokmenët e rënë nga “fiku”, po dalin taní me parullën e “Rilindjes”, d.m.th. të kthimit të “avushes së përmbysur” nëpërmjet krahasímit demagogjik me arritjet më të larta të demokracive të kultivuara. Se, duke ditur që askush nuk do të mund t’i realizonte këto mrekulli brenda dy dekadash, nisin të akuzojnë mazhorancën për paaftësí, për korrupsion, për mungesë vullneti politik, madje, dhe për qëllime të mbrapshta në arritjen e synimeve madhore kombëtare për integrimin e vendit. Duke bërë kështu sikur harrojnë që kjo aspiratë është prioritet i prioriteteve bilé, i çdo force të djathtë, e cila ka përqafuar demokracinë. Megjithatë, duke kuptuar që janë të dështuar, që askush nuk ua beson premtimet, duke ndierë se, më parë u duhet t’i kërkojnë ndjesë këtij populli, neobllokmenët janë bërë shpifësit dhe mashtruesit më të mëdhenj. Se janë këta që e nxisin, jo vetëm me fjalë korrupsionin, apo që kultivojnë psikologjinë e vjedhjes e të mashtrimit. Këta po e mbjellin atë përçarjen, konfliktin dhe “armiqësímin” partiak të shqiptarëve me njëri-tjetrin. Neobllokmenët, pra, me Ramën në krye, si të dështuar, janë bërë dhe të paturpshëm, ndoshta dhe ngaqë nuk kanë rrugë tjetër për të mbijetuar në një shoqërí, e cila po njihet çdo ditë me bëmat e gjëmat e djeshme të tyre e të etërve të tyre mizorë. Janë bërë sot “kampionët” e përhapjes së mentalitetit pervers se “pa korrupsion nuk ka zhvillim” dhe se idealistët e vërtetë nuk qenkan veçse ca idiotë, që i përkasin primitivizmit, atyre epokave të errësírës, a të asaj ndershmërísë, kur shqiptari e çmonte shqiptarin si vëllain e vet. Sepse, si pinjoj të nomenklaturës së kuqe, këta bimbashë duan të hakmerren ndaj këtij populli fukara, të cilit ia nxinë me dekada jetën. Ndaj përpiqen ta mësojnë atë ta shohë realitetin e ri me “syzat” e tyre të zeza. Se, po këta, që kanë grabitur pronat e pronarëve të ligjshëm, po kërkojnë gjoja zgjidhjen e shpejtë të kthimit të pronës tek i zoti. Këta që kanë persekutuar pa faj njerëzit, po u lajkatohen këtyre duke u kërkuar që t’i mbështesin për të riardhur në pushtet. Janë këta neobllokmenë, që edhe nuk kanë fituar gati asnjë palë zgjedhjesh, edhe vetëshpallen mazhorancë. Edhe humbasin zgjedhjet me 14O mijë vota, edhe shpallen fitimtarë e kampionë të mbrojtjes së votës së lirë. Këta mafiozë, pra, dishepuj të një bote që ka perënduar, po kërkojnë kultivimin e korrupsionit, si një lloj “lufte klasore”, e cila, sipas tyre, qenka e aftë të demaskojë çdo demokrat, të cilin këta e identifikojnë me armikun e klasës. Korrupsioni për ta ka mbetur, pra, si i vetmi shpëtim i atyre, që ecin me kokën mbrapa dhe tentojnë të kthejnë rishtas Shqipërínë në atë “parajsën e mjerimit kolektiv”, të gënjeshtrës, të tallonave dhe të pasigurisë për të nesërmen. Neobllokmenët, pra, janë përgatitur sot, madje, dhe në Perëndim për ta luftuar demokracinë nëpërmjet ekzagjerimit të kërkesave sa më ideale demokratike. Dhe janë bërë aq të aftë në mashtrimin e njeriut të thjeshtë e naiv, sa kanë arritur t’u mbushin mendjen dhe disave njerëzve, që kanë të drejtë morale t’i përbuzin.