E Shtunë, 31 Tetor 2026

Teknika e prapambetur shtyn premierën

Për probleme teknike "Darka e Gabuar" me regji të Fatos Haxhirajt, shtyhet për pak ditë. Drama është një homazh për intelektualin e viteve '40. Aktorët kryesorë flasin për rolet dhe pritshmëritë e shfaqjes


Një gabim i rëndomtë teknik në ditën e fundit të provave e detyroi regjisorin Fatos Haxhiraj të kërkonte edhe dy ditë kohë për "Darka e gabuar", premiera e tretë e Teatrit Kombëtar këtë vit, e planifikuar të shfaqej 13-16 maj. Vepra e shkruar nga Ismail Kadare më 2009-ën, me dramatizim të Haxhirajt shfaqet më 15 dhe 16 maj, ora 20.00.


Me këtë lajmërim u hap takimi i djeshëm me median, ku "shfajësimin" regjisori e vuri në gojën e personazhit kryesor të dramës, Doktor Gurametos: "Sipas prognozave, doktori ka thënë që shfaqja mund të lindi për dy-tri ditë", tha ai.


Teknika e prapambetur, hapësira e vogël skenike, pajisjet e vjetruara të ndriçimit, i kanë shkaktuar kokëçarje regjisorit Haxhiraj në punën dy mujore me veprën.


Nuk është hera e parë që regjisorët dhe aktorët ua sjellin në majë të hundës problemet teknike. Por ato ngelin aty, në oborrin e teatrit. Pohohen nën zë nga aktorët që duan të marrin një rrogë, ose shuhen me dashje nga drejtuesit e institucionit.


Edhe këtë herë, drejtori i Teatrit Kombëtar, Kristaq Skrami, i cilësoi, si çdo herë, aktorët e kësaj shfaqje si "kastë e aktorëve më të mirë" dhe përmendi meritën e teatrit në aktivizimin e një numri të madh aktorësh. Të njëjtat fjalë prezantuan premierën e parë këtë vit, të dytën, apo edhe premierën e parë, të dytë, të tretë, të vitit të shkuar.


Shqetësimin e regjisorit e mbështeti aktori Artan Imami gjatë konferencës për shtyp, edhe pse "drejtori ia kish ndaluar të fliste" për kësi punësh. Imami ka qenë i pranishëm gjatë gjithë kohës në punën e Haxhirajt, si një nga tre aktorët protagonistë po edhe si konsulent artistik i shfaqjes.


"Kjo godinë rri në këmbë në sajë të sakrificave dhe punës njerëzore", u shpreh Imami, duke iu referuar ndërtesës së vjetër dhe skenës së rrëgjuar.


Askush nuk tha më shumë se kaq dhe nuk sqaroi se cilat ishin problemet teknike. Dikush thoshte se problemi qëndronte te një ekran projeksioni që kishte ardhur në momentin e fundit, e dikush tjetër për pajisjen muzikore që ndaloi së funksionuari një ditë para shfaqjes.


Mjafton kaq për të sjellë në vëmendje investimin në nivel zero që është bërë në anën teknike të Teatrit Kombëtar. Është thënë se aty nuk është vënë dorë që prej viteve gjashtëdhjetë. Vetë Skrami ka pohuar dikur se pajisjet teknike përbëjnë një urgjencë, se "ndriçimi dhe fonia duhet doemos të rinovohen. Kjo gjë mund të realizohet me 100 mijë euro.


Teatri Kombëtar mund të marrë një ndriçim dhe foni të jashtëzakonshme."
Pastaj ky hall u kapërcye butë kur regjisori Haxhiraj foli për punën serioze të aktorëve dhe e cilësoi atë "shembullore", "vetëmohuese", "korrekte".


Edhe pse puna me veprën ka mbaruar dhe pritet premiera, regjisori ende ndjen keqardhje për ata personazhe, ngjarje, situata që jetojnë në veprës e Kadaresë, por që atij i është dashur t'i lërë jashtë dramatizimit të tij 60 faqesh.


"Darka e gabuar" është një kronikë për Shqipërinë e kohës së Luftës, që zë fill në vjeshtën e vitit 1943, kohë kur ushtria italiane kapitulloi.


Një erë ndryshimesh e prijnë vendin, fillimisht pushtimi gjerman e më pas vihen instalimi i regjimit të ri komunist. Kjo kohë historike rrëfehet nëpërmjet dramës së një intelektuali në Gjirokastrës, Doktor Gurameto, i shkolluar në Perëndim. Ditën që ushtria gjermane zbarkoi në qytetin e jugut, doktor Gurametoja i madh fton në darkë komandantin nazist, Fritz von Schwabe, që e ka pasur shok shkolle dikur.


Shvabe, kërkon të marrë hak ndaj shqiptarëve bukëshkalë që kanë sulmuar ushtrinë e tij dhe kërcënon me pushkatim 80 pengje shqiptarë. Gurameto e bind t'i lërë të lirë pengjet. Por ky veprim i kthehet kundër kur në dorë pushtetin e kanë komunistët. Jeta e tij merr kthesë të mbrapshtë


Po në cilën linjë është përqendruar Haxhiraj? "Tek inteligjenca e asaj kohe. Tek historia sesi këta njerëz futeshin në gracka pa kuptim, në gracka absurde, që edhe vetë nuk mund t'i jepnin dot zgjidhje", tregon shkurt ai thelbin e asaj që do të shihet të shtunën në skenë.


Më tej vijon: "Bëj një homazh për këto personazhe, që kanë vuajtur ndoshta edhe aksidentalisht. Jeta për intelektualët ka qenë e vështirë. Ata ose duhet të ishin nga njëra anë, ose nuk duhet të ekzistonin."


U fol për mozaikun e personazheve që jetojnë në vepër, personazhe tragjikë, dramatikë, lirikë. Po aktorët si i shohin personazhet që do të luajnë? "Një njeri që i donte njerëzit e tjerë", thotë aktori kryesor Bujar Asqeriu për Gurameton, personazhin kryesor të dramës.


"Vështirësia më e madhe për realizimin e kësaj figure, është tek dhënia me vërtetësi e gjithë psikologjisë dhe përjetimeve të brendshme. Personazhin spektatorët duhet ta shikojnë konkret. Kush ishte Gurametoja, si ecte, si shikonte, si reagonte, si mendonte, çfarë formimi kulturor kishte. Aktori duhet të gjejë mjetet shprehëse për t'i konkretizuar ato."


Një tjetër karakter me peshë në vepër është hetuesi Shaqo Mezini, që është kthyer nga Moska, "portreti tipik i një njeriu me një ndjenjë të thellë inferioriteti", që interpretohet nga aktori Artan Imami.


Të gjitha ngjarjet që stimulon personazhi i tij në këtë vepër, Imami i përmbledh: "Një ngjarje totalisht e stisur, faje totalisht të stisuara ndaj personazhit kryesor dhe situata shumë dramatike. Autori i bën një pasqyrim të saktë atij tmerri, atij absurdi, atij kriminaliteti shtetëror."


Pak për personazhin e tij, flet edhe aktori Pirro Malaveci, që mungon prej 7 vitesh në skenë. "Kam personazhin e Lekos. Një personazh që hyn në konflikt me filopartizanët, me Lindjen, me rusët, edhe në kohën që vijnë komunistët.


Është nga krahu i ballistëve dhe ardhjen e gjermanëve nuk e përjeton kush e di çfarë dhe thotë: "Po mirë mo mirë, le të vijnë gjermanët, ata po vijnë me ftesë". Ky është një personazh simpatik. Më pëlqeu dhe i përshtatej natyrës sime", thotë Malaveci.


Në role të tjera interpretojnë: Ndriçim Xhepa (Koloneli Gjerman, Fritz von Schwabe)
Ahmet Pasha (Vehip Qorri), Mehdi Malkaj (Qytetari me kapele, Gazetashitësi, Gagaçi, Remzi Kadare, Njeriu me xhup), Anastas Kristofori (Vehap), Naum Shundi (Llukani), Guri Koço (Lamja), Andon Qezari (oficeri rus), Dritan Boriçi (hetuesi gjerman), Gjergj Mena (Arian Ciu), Sokol Angjeli (Xhorxho, Isai), Mërkur Bozgo (Harilla), Bajram Dosti (Pando), Mariana Kondi (Plaka, Nëna e hetuesit, Infermierja, Trëndafilja, Eriona Kakeli (Xhanfizeja, Vajza e doktorit, Infermierja, e fejuara e hetuesit), Anil Frashëri (Mako), Marsiaz Lila (Partizani Lulo, djali i qytetarit me kapele), Florian Kokona (Saimi, partizani), Andon Koço (Tule), Harrilla Vjero (Gurameto i vogël), Klodian Hoxha (oficeri gjerman), Elidon Alikaj (oficeri gjerman), Diogen Vasili (Ushtari gjerman), Ergys Dama (djali i vogël në ekran).


Siç shihet ka aktore që sado që luajnë në role të vegjël, duhet të krijojnë 1-5 karaktere.
Skenograf është Taulant Pustina. Kostumograf: Durim Neziri. Kompozitor: Ardit Gjebrea.


Fatos Haxhiraj:


Dëshiroj që spektatori ta pëlqente dramën. Vetëm kaq. Unë kam mendimin që aktori, njeriu i skenës, nëse nuk ka duartrokitje, ai vuan.


Bujar Asqeriu:


Personazhi i Gurametos të krijon gjithë hapësirën për të përdorur me efikasitet: logjikën, emocionin, plastikën, kontrastet e ndryshme, pantomimën. Sidomos ka shumë të zhvilluar monologun e brendshëm. Jam përpjekur për realizimin e tyre.


Artan Imami


Roli im kërkon shumë energji. Kërkon shumë cinizëm. Është i drejtpërdrejtë. Intelektualët e atyre viteve janë përplasur me një tufë jerëzish që pavarësisht se të shkolluar, apo jo, kanë pasur një ndjenjë hakmarrjeje.

Pirro Malaveci


Është një dramë e plotë, ku janë gërshetuar të gjithë personazhet dhe shfaqen të gjithë karakteret. E bukura e kësaj pjese është se ka rreth 30-40 personazhe. Të gjithë janë nëpër vendin e tyre. Është një ansambël dhe rrallë ndodh që ka një përshtatshmëri kaq të bukur. Dhe besoj se shfaqja do të ketë sukses.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›