E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja në Elbasan, përcillet maturantja e vrarë në klasë

Vajza ishte fejuar prej disa muajsh dhe priste të jepte provimet e maturës


ELBASAN- Përcillet për në banesën e fundit vajza 20- vjeçare e vrarë një ditë më parë nga 19- vjeçari Endrit Llambraj me banim në Vlorë. Gerta Bahja pre e një shfryrje pas refuzimit të dashurisë, u ekzekutua me tre plumba në klasën e saj në shkollën e mesme "Mahir Domi", ku vazhdonte vitin e katërt.


Mes tronditjes së paimagjinueshme të prindërve dhe familjarëve, mes lotëve të të afërmeve, dhimbjes së nxënësve të klasës, të mësuesve, drejtuesve të pushtetit lokal, ministrave e zv ministrave, u përcoll një ditë më parë drejt varrezave të qytetit vajza e re e "Mahir Domit" që jeta iu ndërpre dhe bashkë me ëndrrat e saj. E lumtur pas një ekskursioni me klasën në Sarandë, vajza bjonde e imët, e urtë dhe e rregullt kurrë nuk do ta mendonte se pikërisht një udhëtim argëtues do të kthehej në ferrin e saj.


Njohja me djalin 19- vjeçar nga Vlora që nisi persekutimin me të gjitha format do të përmbyllej me krimin e rëndë të vrasjes dhe më pas vetëvrasjes. Të dy familjet humbën dy fëmijët më të dashur, dy të rinjtë që ishin në lule të jetës dhe gjithçka ndodhi për një fiksim.


I pashpjegueshëm ky obsesion për nxënësit e klasës, për të cilët Endriti ishte kthyer në mankth me maninë për të gjetur telefonin e Gertës dhe për ta "torturuar" atë. Tashmë e fejuar prej disa muajsh, vajza ishte lumturisht mirë dhe priste të jepte provimet e maturës në të 4-D të shkollës "Mahir Domi", shkollë e ndodhur në lagjen 5 Maj të qytetit.

Të rinj të tronditur kanë shoqëruar kortezhin me fotografinë e vajzës pa të ardhme sepse nuk iu përgjigj një dashurie e kthyer në mankth. Në ceremoninë e varrimit kanë qenë zv. ministri i Arsimit, Halit Shamata, Drejtori për politikat e arsimit të mesëm pranë Ministrisë, Fatmir Vejsiu, prefekti i Elbasanit, Shefqet Deliallisi, kryetari i Bashkisë, Qazim Sejdini, dhe Drejtoresha e Arsimit Mimoza Matraxhiu e ndjekur nga inspektorë, mësues dhe nxënës. Në varrezat e qytetit do të mbërrinte edhe ministri i Brendshëm, Lulzim Basha i ndjekur nga deputeti Luciano Boçi.


Ai ka takuar familjarët gjatë ceremonisë së varrimit duke përcjellë ngushëllimet e tij për humbjen e madhe që pësoi kjo familje. Një ditë pas tragjedisë, shkolla ka hapur dyert për mësim por klasa ku ndodhi tragjedia vazhdon të jetë e mbyllur. Kjo tragjedi do të vazhdojë të mbetet në kujtesën e tyre sidomos për nxënësit që panë me sy vrasjen e tmerrshme. Bardha Nergjoni

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›