Teknologjia dhe Demokracia
Si sistem politik, demokracia e mirëpret zhvillimin teknologjik, edhe pse jo çdo teknologji i shërben demokracisë. Kjo pasqyrohet veçanërisht në kushtet e Shqipërisë sot, ku risitë teknologjike masive të nxitura nga tregu nuk shoqërohen me ndonjë kritikë ose përsiatje ndaj ndikimit të teknologjive të reja në mënyrën si funksionojnë institucionet dhe vetë sistemi.
Meqë zgjedhjet, së bashku me fushatat parazgjedhore dhe procedurat për sanksionimin e rezultateve, përbëjnë një aspekt themelor të demokracisë, ka interes të shihen më nga afër raportet e teknologjive të reja e të vjetra me proceset zgjedhore në Shqipëri.
Në vështrim të parë, duket sikur propaganda zgjedhore në televizion dhe lehtësitë për prodhimin, shpërndarjen dhe afishimin e mediave grafike, të tilla si, posterët ose pllakatet ose broshurat me fotot e kandidatëve e ndihmojnë drejtpërdrejt procesin zgjedhor, duke e informuar publikun për programet e partive politike dhe për karakterin ose profilin e protagonistëve të fushatës.
Në demokracitë perëndimore, përdorimi i mass mediave për të informuar publikun gjatë fushatave parazgjedhore ndjek zakonisht sistemin amerikan, i cili tashmë funksionon në bazë të parimeve të ekonomisë së tregut, duke u përpjekur t’i shesë publikut imazhin e kandidatit-mall, përkundrejt votës. Thelbi i këtij sistemi është teknologjia e reklamës, e cila dihet se synon jo aq të informojë konsumatorët, sesa t’u përftojë nevoja të rreme, të cilat t’i plotësojë pastaj me mallrat për t’ua shitur.
I tejbartur në sferën e politikës, modeli i reklamës bën që publikut t’i induktohen nevojat politike në trajtë dëshirash, teksa kandidatët, gjithnjë e më fotozhenikë, funksionojnë si gjeneratorë profkash. Kjo sëmundje e komunikimit publik e ka prekur tani edhe Shqipërinë, sa kohë që fushatat parazgjedhore vijnë e mbështeten gjithnjë e më tepër në promovime imazhesh pamore, në korniza klishesh retorike; në një kohë që televizioni dialogun demokratik dhe konfliktin e ideve dhe të programeve politike i shndërron në spektakël të dialogut, përkatësisht të konfliktit. Pasojë e skajshme e këtij përçudnimi është që procesi i propagandës parazgjedhore së shfrenuar, dhe të pakompensuar nga teknika të tjera informimi, i katandis qytetarët zgjedhës në spektatorë që vetëm sa votojnë për heroin ose heroinën e tyre të preferuar. Politikës reale së elitave vjen e i përgjigjet, kësisoj, një demokraci fiksionale në bazë.
Një tjetër aspekt teknologjik i procesit zgjedhor ka të bëjë me të drejtën e qytetarëve për të votuar, e cila , për t’u ushtruar në një shtet modern, ka nevojë për teknologji demografike dhe përpunimi të dhënash identifikuese. Shpesh e nënvlerësojmë rolin që luan përmasa gjeografike ose hapësinore, në zgjedhjet dhe në demokraci, por një administratë që nuk arrin dot, ose ngurron të regjistrojë popullsinë e vet dhe të pajisë qytetarët me letërnjoftime standard, të cilat formalizojnë raportin e çdo qytetari individual me shtetin, ka hequr praktikisht dorë edhe nga garantimi i procesit demokratik, pavarësisht nga impenjimet solemne të liderëve në ekran të televizorit. Kjo vlen edhe për konsolidimin e adresave, i cili u jep qytetarëve koordinatat gjeografike të nevojshme për identifikim. Çka habit, në këtë rast, është sa shpejt janë adoptuar në Shqipëri teknologjitë e manipulimit të opinionit publik nga mediat dhe public relations të partive dhe të institucioneve shtetërore, në një kohë që teknologjive më themelore si ajo e census-it ende u bëhet rezistencë, për arsye të ndryshme.
Kontrasti midis teknologjive që e katalizojnë demokracinë, dhe teknologjive që e pengojnë ose e shtrembërojnë, nëpërmjet manipulimit të opinionit, del në pah edhe kur krahasohen mes tyre anketat e opinionit publik dhe Interneti, si teknologji të reja që janë futur në Shqipëri gjatë këtyre 15 vjetëve të fundit.
Anketat e opinionit (polls dhe surveys), teorikisht, duhej t’i ndihnin demokracisë, por në të vërtetë janë përdorur gjerësisht për ta sabotuar, duke luajtur trashë me statistikat. Shumica e anketave që ndesh në mediat shqiptare janë informale, të ndërtuara pa kriter shkencor, dhe mashtruese në atë shkallë që publiku priret t’u besojë shifrave verbërisht. Aq më e dukshme bëhet kjo, po të krahasohen rezultatet e anketave për çështje të njëjta, por të porositura nga forca politike të ndryshme. Duket sikur për shumë operatorë anketimi nuk është veçse të pyeturit e një morie njerëzish në rrugë – pa çka se shpesh përgjigjet sugjerohen madje edhe përmbahen në pyetjet vetë, dhe kampionet e popullatës përzgjidhen shkeleshko.
Përkundrazi, Interneti si teknologji i shërben drejtpërdrejt demokracisë, jo vetëm sepse lejon informim të lirë dhe pluralist, por edhe ngaqë bën të mundur pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të qytetarit në dialogun me qytetarë të tjerë, mediat dhe institucionet. Në Shqipëri ka vite që premtohet stimulimi me fonde publike i shtrirjes së Internetit në provincë ose në shtresat e pafavorizuara (madje edhe duke instaluar sisteme Wi-Fi publike anembanë); por fakt është se televizioni, veçanërisht privat, ka ardhur duke e gllabëruar info-hapësirën me grykësi entuziaste, në kurriz të burimeve, teknologjive dhe formave alternative të komunikimit. Aq më tepër që, për të funksionuar si teknologji informimi horizontal dhe dydrejtimësh, Interneti ka nevojë për kompjuterin; por kompjuteri ende nuk është përhapur si duhet në Shqipëri, sidomos në krahasim me televizorin ose telefonin celular (dhe pajisjet për dëgjim muzike); as duket të jetë kuptuar potenciali magjik i kësaj vegle të mençur, për ta riformuluar komunikimin masiv.
Si për keq, si për mirë, informimi nëpërmjet mediave elektronike varet drejtpërdrejt edhe nga përdorshmëria e elektricitetit në mbarë vendin. Një familje që ka energji elektrike 24 orë në ditë mund të informohet më mirë dhe më lirisht sesa një familje tjetër, së cilës i vijnë dritat me orar. Në këto rrethana, furnizimi i pandërprerë me energji elektrike do ta ushqente vetvetiu procesin demokratik, duke ndihmuar që zgjedhësit të shkonin në kutitë e votimit të informuar, pavarësisht nga mediat e përdorura për informim.
Ndryshe nga elektriciteti, që është teknologji kapilare dhe e shpërndarë, telefonia celulare i shërben kompaktësimit të rreptë të veprimit politik, meqë nëpërmjet lidhjes celulare qendra e një organizate ia del të mbajë kontakt të vazhdueshëm me bazën dhe të bashkërendojë veprimet në shkallë mbarëkombëtare në kohë reale. E shfrytëzuar për këtë qëllim, telefonia celulare mirëmban dhe riprodhon hierarkitë, por e kufizon mjaft autonominë ose vetveprimin e operatorëve politikë në bazë, aq më tepër që tradita e organizimit të grupeve në kulturën shqiptare nuk e pranon lehtë feedback-un. Ndoshta kjo është edhe arsyeja që telefonia celulare është harlisur kaq bujshëm, në një kohë që Interneti në familje dhe furnizimi i rregullt i klientëve rezidencialë me energji elektrike kanë mbetur relativisht prapa.
Pavarësisht nga përdorimi që mund t’i bëhet për të cytur, mobilizuar dhe bashkërenduar masa të mëdha njerëzish në veprime politike, telefoni celular nuk është i përshtatshëm për dialog publik, shkëmbim mendimesh, reflektim dhe ballafaqim opinionesh. Si zgjatim i mrekullueshëm i komunikimit privat, pusullës ose pëshpërimës, nuk ka konkurrentë kur vjen puna për të përcjellë të dhëna faktike dhe urdhra për veprim. Mundësia për të komunikuar menjëherë me bazën shpesh përkthehet edhe si tundim për të mikro-administruar, çka ua zhvendos liderëve vëmendjen nga vizioni, çështjet strategjike dhe tabloja e përgjithshme e situatave; teksa ndërmjetësimit qoftë në nivel strategjik, ashtu edhe në nivel taktik, vjen e i humbet vlera, meqë ndërmjetësuesve u duhet tani të rrinë me telefonin në vesh, si truprojë të centralizmit total.
Në të gjithë shembujt e përmendur më lart, nuk është vështirë të shquhet prirja e institucioneve shtetërore dhe administratës publike për të favorizuar teknologji të tilla si reklamat televizive të kandidatëve, anketat e opinionit publik dhe telefonia celulare, të cilat, në thelb, e pengojnë ose e falsifikojnë dialogun dhe shkëmbimin demokratik, veçanërisht në periudha zgjedhjesh. Përkundrazi, teknologji të tjera me potencial për ta katalizuar funksionimin e sistemit dhe nxitur pjesëmarrjen e qytetarëve në proceset politike, të tilla si census-i, modernizimi i mënyrave të identifikimit të qytetarëve dhe konsolidimi i adresave, kompjuteri, aksesi në Internet dhe elektrifikimi, kanë mbetur prapa, meqë nuk konkurrojnë dot mirë në tregun privat. Me dashje ose pa dashje, duket sikur forcat që kanë pushtetin politik dhe ekonomik kujtohen dhe kujdesen për demokracinë vetëm në atë masë që kjo ua garanton pushtetin.