Më tha që u ndje si copë mishi, si transaksion mes dy mjekësh
Kur zbulohet një tumor ka gjasa të jetë malign ose benign. Nga vetë fjala latine, i keqi dhe i miri. Tumori benign nuk i ka tre karakteristikat e atij që njohim si kancer, pra nuk rritet në masë, etj. Për ta dalluar një tumor malign nga benign, duhen bërë testime të natyrës së tyre, ose biopsia.
Këtu vjen çudia e parë në Onkologjinë tonë. Mjeku i thotë pacientit që biopsia bëhet pas heqjes së tumorit. Heqja e tumorit në gji, në shumë raste d.m.th. heqje e plotë e gjirit - mastektomia. Pra, ta heq unë gjirin, pastaj shofim çfarë kishe. Biopsia mund të kryhet pa operuar, me një ekstrakt të vockël nga masa e tumorit, sa për ta testuar në laborator.
Këtë i sugjeruan sime mëje të bënte. I thanë, që nesër, menjëherë, ta heqësh gjirin tek filani - jo tek ky filani tjetër, se ne nuk punojmë me këtë, por te ky miku ynë. Pagesa ishte diku mbi 2 milionë të vjetra. “Bëje shpejt se nuk ke kohë”, - i thanë. Unë e pyes mamanë (nga ShBA-ja): “Po biopsinë e ke bërë?”, - Jo, bëhet pasi hiqet (!!!). Më tha që u ndje si një copë mishi, si transaksion midis dy “mjekësh”…
Vetëm mënyra sesi të flet mjeku, në një moment delikat si ky (kur sapo ke marrë vesh që ndoshta ke kancer), është kafshërore. Njeriu që përballet me këtë lajm është shume i brishtë psikologjikisht. Mjekët tanë, tek Onkologjiku, jo vetëm që të “diagnostikojnë” me sy, por të lënë plagë shpirtërore, kur të flasin sikur po të ngulin gozhdat në qivur.
Si përfundim, kohë kishte, sëmundja ishte e trajtueshme. Mund të ketë mjekë shumë të mirë dhe nuk dua ta përgjithësoj, por në rastin tim, mjekët tanë kanë dalë ca sharlatanë të pashpirt, që emrin “mjek” nuk e meritojnë, “kasap” ndoshta, ose kriminel.