Tekstet e historisë do të dalin në debat

Një takim turko-kosovar për tekstet e historisë, i mbajtur larg syve të mediave, në Prishtinë, është pohuar të mërkurën nga vetë Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e Kosovës (MASHT). Ky dikaster ka informuar se ka pritur më 31 mars, ashtu siç dhe ishte paralajmëruar më parë, delegacionin e Ministrisë së Arsimit të Turqisë lidhur me punën e bërë për ndryshimin në tekstet e historisë.
Përgjigjja e palës kosovare ka qenë se në këto tekste ndryshime do të ketë vetëm konform rekomandimeve të Komisionit Evropian për eliminimin e gjuhës së urrejtjes. Kërkesa e Komisionit Evropian nga viti 2004, për të gjitha vendet e rajonit përfshin që gjuha e urrejtjes në libra të historisë të zbutet. Çdo ndërhyrje tjetër, gjatë vizitës në Kosovë nga pala turke, është mohuar nga udhëheqësit e MASHT-it.
Zëvendësministri i Arsimit, Nehat Mustafa, ka thënë se delegacioni turk i Ministrisë së Arsimit të Turqisë ka qëndruar më 31 mars në Kosovë dhe është biseduar për çështje të ndryshme. Sipas tij, takimi ka pasur në qendër jo vetëm diskutimet për tekstet e historisë, pasi ky delegacion që në fillim është informuar se në të është duke punuar një komision konform me rekomandimet e Komisionit Evropian dhe që gjuha e urrejtjes të trajtohet ashtu sikurse rekomandohet dhe ka ndodhur dhe me vendet tjera të BE-së.
“Ne kemi premtuar se këto tekste të historisë do të jenë konform Komisionit Evropian. Nuk do të ketë gjuhë të urrejtjes. Lidhur me këtë është folur edhe për përvojat e tyre në këtë fushë në raport me Greqinë, Shqipërinë dhe Bullgarinë...”.
Mustafa ka theksuar se gjatë takimit janë dakorduar dhe për shkëmbimin e përvojave arsimore që shteti turk ka arritur dhe nga to mund të përfitojë edhe sistemi arsimor në Kosovë. “Ne si Ministri e Arsimit në fund të prillit do të organizojmë një debat lidhur me tekstet e historisë, dhe rekomandimet e këtij debati, pastaj do të diskutohen me ekspertë të fushës, shoqërisë civile...”.
Ai ka theksuar se MASHT-i ka marrë draftin e parë me ndryshime, i cili po ashtu do të debatohet edhe me autorë të teksteve. Ndërrimin e historisë me ndryshimin e teksteve të historisë e ka mohuar dhe kreu i MASHT-it Ramë Buja, që në një intervistë për gazetën “Zëri” ai pati thënë se nga ministri i Arsimit turk nuk është kërkuar ndërrimi i historisë, por ka kërkuar konform komisionit të formuar nga MASHT të bëhet zbutja e gjuhës të urrejtjes.
“Është kërkuar të mos thuhet hordhitë barbare, por me term tjetër. Ne Perandorinë Osmane s’mund ta quajmë ndryshe, por perandori pushtuese, ndërsa sot e çmojmë dhe e respektojmë si mike të madhe Turqinë bashkëkohore…”, ka qenë përgjigjja e Bujës./Indeksonline/