E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për degradimin e Prishtinës fajësohet Isa Mustafa

Disa qytetar të Prishtinë kanë humbur durimin dhe shpresat se udhëheqësit e pushtetit lokal do ta ruajnë qytetin nga degradimi i mëtutjeshëm. Për këtë arsye ata kanë vendosur të organizohen vetë për mbrojtjen e tij.

Prishtinasi Ejup Bajrami është udhëheqësi I kësaj iniciative I cili shprehet I pakënaqur me punën e të parit Isa Mustafa.

“Isa Mustafa është kryesori për degradimin e kryeqytetit. Ai ka nxjerrë rregullore të paligjshme për legalizimet e objekteve pa leje që vetë I ka lejuar të bëhen. Edhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor por edhe ajo e Pushtetit Lokal kanë konstatuar paligjshmërinë e kësaj rregulloreje për legalizime” ka thënë Bajrami për “Tribuna”.

Kjo e përditshme transmeton edhe qëndrimin e organizatës INPO e cila monitoron punën e Komunës së Prishtinës që gjithashtu ka fajësuar atë për ndërtimet pa leje.
Sipas koordinatorit të kësaj OJQ-je Osman Bllaca, në komunën e Prishtinës janë disa lagje pa plane rregulluese dhe për këtë e ka bërë fajtore komunën si përgjegjëse për hartimin e planeve të këtyre lagjeve.

Nga ana tjetër sekretari i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Arben Çitaku ka paralajmëruar se me kodin e ri penal, ndërtuesit dhe planifikuesit mund të përfundojnë edhe në burg./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›