E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trepça mbetet peng e problemeve politike

(E plotësuar)  Me kërkesën e LDK-së, seanca e Kuvendit të Kosovës ka vazhduar me debatin parlamentar për statusin dhe veprimtarinë e ndërmarrjes “Trepça”.

Deputeti Sadri Ferati, duke folur për rrjedhjen e punës në ndërmarrjen “Trepça”, atë e ka cilësuar si gjigantin dhe promotorin e zhvillimit në Kosovë.

“E dimë se gjiganti “Trepça” me dekada ka qenë promotor i zhvillimit në Kosovë. Reth 15 mijë të punësuar bënë që “Trepça” të bëhet eksportuesi më i madh në buxhetin e Kosovës. Trepça ishte krenaria e Kosovës. Të kujtojmë marshin e famshëm të puntorëve të famshëm në vitet e 88-ta, si dhe grevat në 99. Sot menaxhmentit i kërkojmë mbështetjen e parlamentit, qeverisë, AKP-së, për të krijuar mundësinë e menaxhojnë me resurset e tyre”, ka theksuar Ferati.

Sipas Feratit, Trepça është përdorur për shpërlarje parash, me ç’rast ka kërkuar nga organet e hetuesisë të vërtetojë se nga kanë shkuar shumë para.

Nga ana e tij, Ministri Besim Beqaj, ka thënë se për ndërmarrjen “Trepça” kompetencat e qeverisë janë të limituara.

“Kompetencat e qeverisë janë të limituara mbi Trepçën. Është jashtëzakonisht e rëndësishmë që sektori minerar të zhvillohet, pasi që ka qenë një mburrje dhe ikonë e Kosovë, pra duhet të zhvillohet edhe më shumë. Në këtë kontekst kemi sjell strategjinë minerare të Republikës së Kosovës, që definon se ka ppërgatitjen e tregut dhe fuqisë punëtore. AKP e ka sjellë planin, dhe synimi është punësimi më i madh, dhe krijimi i ndërmarrjeve të qëndrushme”, ka thënë Beqaj.

Ndërkaq, Zenun Pajaziti në emër të grupit parlamentar të PDK-së ,ka thënë se Trepça tashmë është në një fazë tjetër falë aprovimit të ligjit për riorganizimin e ndërmarrjeve të caktuara, në Kuvendin e Kosovës. Ai ka përmendur rezultatet e para të funksionimit të bordit. Sipas Pajazitit çdo vit ka pasur rritje të prodhimit në Trepçë.

----

Shitja e 75 për qind të aksioneve të Postë-Telekomit të Kosovës ka shqetësuar deputetët e opozitës, të cilët e ngritën këtë çështje në seancën e Kuvendit. LDK e Vetëvendosje e konsideruan të papranueshëm këtë proces, përderisa hodhën dyshime për manipulime. Ministri i Zhvillimit Ekonomik, tha se gjithçka ka qenë e ligjshme dhe transparente në privatizimin e PTK-së.

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami teksa e quajti të manipuluar këtë proces, tha se privatizimi në këtë formë është komplet i papranueshëm për LDK-në.

Ajo tha se Qeveria nuk e ka bërë të qartë destinimin e 277 milionëve nga shitja e PTK-së
“Ata nuk kanë asnjë përgjigje se ka do të ndodhë me 277 milionët dhe lihet të kuptohet këto 277 mil do të investohen në asfalt, në vetura luksoze të zyrtarëve të kësaj qeverie, do të investohet në karburante dhe fatura të larta të telefonit dhe kjo është me të vërtetë për t’u shqetësuar”, tha ajo.

Ndërkohë, deputeti i Vetëvendosjes, Albin Kurti tha se nënshkrimi i kontratës për shitjen e PTK-së, është nënshtrim ekonomik, ndërsa shtoi se duhet të dihet prejardhja e kapitalit. Kurti madje hodhi dyshime se PTK-ja është blerë nga vetë zyrtarët e Qeverisë.

“PTK-ja nga Qeveria është trajtuar si një lopë që është mjelur pa i dhënë ushqim dhe tash po shitet nga kjo Qeveri. Mirëpo unë dyshoj se kjo qeveri jo vetëm që po e shet por edhe po e blen telekomin. Ose më saktë, qeveria e shet, disa qeveritarë dhe kryeministri e blejnë”, tha Kurti.

“Strategjia për privatizimin e Telekomit nuk ka ardhur për miratim përfundimtar në Kuvendin e Kosovës. Kjo është në kundërshtim me ligjin mbi Ndërmarrjet Publike. Po ashtu, përveçse në Kosovë nuk ka fare ligj për privatizimin, nuk ka as ligj për privatizimin e PTK-së. Në mungesë të bazës ligjore, legjitimitetit dhe transparencës, qeveria nëpër vite orvatej që shitjen e Telekomit ta kontrabandonte përmes ligjit për buxhetin. Numeracioni dhe brezi frekuencor janë çështje të sovranitetit. PTK-ja është pasuri publike fitimprurëse dhe interes strategjik kombëtar. Prandaj, çfarëdo tendence nga cilado qeveri për shitjen e aksioneve të PTK-së do të duhej minimalisht ta nënkuptonte edhe referendumin gjithëpopullor”, ka shtuar Kurti.

E kjo nuk i ka pëlqyer shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci.

“Është një e vërtetë e pamohueshme se foltorja e Kuvendit është shndërruar në prokurori, në gjykatore dhe mbi bazën e shpifjeve, të trillimeve, për interesa të caktuara, të individëve të caktuar”, tha ai.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj duke e quajtur transparent privatizimin e PTK-së tha se privatizimi i saj është bërë me vendim të Kuvendit, ndërsa sqaroi se nuk janë shitur asetet fizike të PTK-së.

“Është proces i privatizimit të shërbimeve dhe jo i aseteve fizike të cilat i kanë pasur këto kompani të përbashkëta dhe të gjtiha asetet fizike përfshi të gjitha ndërtesat janë pronë e Postës së Kosovës, si ndërmarrje publike e cila është e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe për këto asete privatizuesi do të bëjë pagesë deri në 10 milionë euro në formë të qirasë”, tha Beqaj.

Beqaj ftoi këdo që ka dyshime për këtë proces, t’i shoh dokumentet e gjithë procesit të privatizimit të PTK-së. Ai madje, i ftoi deputetët që nëse duan që të ngrenë mocion lidhur me shitjen e PTK-së, ta bëjnë një gjë të tillë, ngase është e drejtë e Kuvendit, por kërkoi që mos të bëhet fushatë zgjedhore me këtë proces.

---------------------

Seanca e sotme plenare ka filluar punimet me vazhdimin e seancës së kaluar.

Deputetët kanë votuar rekomandimet nga debati parlamentar lidhur me statusin e pazgjedhur punëtoreve te arsimit shqiptar nga viti shkollor 1990-1999, sipas grupit parlamentar të LDK-së dhe rekomandimeve të komisioneve parlamentare.

Rekomandimet kanë kaluar me me 66 vota për, 7 kundër dhe 1 apstenim.

Rekomandimet janë:

1. Të nxirret ligj i veçantë për punëtorët e arsimit shqiptar të Republikës së Kosovës nga viti shkollor 1990-1991 deri në 1998-1999, në bazë të cilit ligj duhet të barazohen me statusin e personave të merituar në ndërtimin e shtetit të Kosovës.

2. Ky ligj të përfshijë në mes tjerash rregullimin e mësimdhënësve, personelit udhëheqës të punësuarve në shkolla universitet, në këshillat komunale e të tjera.

3. Qeveria e Kosovës të obligohet që brenda tre muajsh të sjellë për miratim këtë ligj në Kuvend të Republikës së Kosovës./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›