Poliklinikat e Tiranës, shërbime dhe analiza si në spitale
Poliklinikat e kryeqytetit do të ofrojnë shërbime të ngjashme me ato që kryhen edhe në spitale. Aktualisht, pothuajse në të gjitha poliklinikat e lagjeve kryhen shumë pak analiza dhe mungojnë specialitetet. Të paktën në Qendrën Shëndetësore Nr.2 në kryeqytet, tani e tutje do të kryhen të gjitha llojet e analizave të gjakut, si edhe do të diagnostikohen të sëmurët kardiakë dhe ata më veshka. Së shpejti, të gjitha poliklinikat e Tiranës do të pajisen me një set urgjence, të ngjashëm nga cilësia me ato të qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza”, që do të ofrojë ndihmën e duhur në kohë reale. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, ka vizituar dje ambientet e Poliklinikës numër dy, ku tashmë janë instaluar këto pajisje shëndetësore moderne, për dhënien e ndihmës së parë në raste urgjence. “Patëm mundësinë të ndjekim së bashku zbatimin e një projekti, që ne e kemi filluar këtë vit. Pajisjen e qendrave shëndetësore me një seri ekzaminimesh shtesë. Janë aparatura që mundësojnë kryerjen e 240 ekzaminimeve në orë, që zgjerojnë shumë gamën e ekzaminimeve, prova të heparit, sheqerit në gjak, veshkave. Një seri ekzaminimesh që janë jetike për qytetarët tanë tashmë nuk kanë nevojë të bëhen larg banesës, por tashmë qytetarët tanë i kryejnë afër banesës në kohë reale dhe me një cilësi maksimale. Janë aparatura të një cilësie me ato të qendrës universitare”, - ka pohuar ministri Vasili. Shërbimet e kryera deri tani pranë laboratorëve të qendrave shëndetësore kanë qenë ato klinike, pra gjak komplet (eritrocit, leukocit, trombocit, sediment) me formulë leukocitare. Me futjen e aparaturave të reja (autoanalizatorit) do të rritet gama e shërbimit, duke përmbledhur të gjitha analizat biokimike, ku kryesisht përmblidhen provat e heparit (bilirubinë, transaminaza,GGT), provat renale (azotemi, kreatinemi), glicemi, bilancin lipidik të fraksionuar (kolesteroli, HDL-kolesteroli, trigliceridi), kalcium total, fibrinogjeni, amilazën, kreatinkinazën etj. Për ministrin e Shëndetësisë, ky është një sukses, pasi një shërbim parësor sa më cilësor dhe eficent ka qenë dhe thelbi i reformës, që tashmë, sipas tij, është një realitet. “Ecim me siguri në rrugën e konsolidimit të sistemit parësor dhe dekoncentrimit të problemeve. Me setin e ri të urgjencës tashmë dhe ndihma e shpejtë kardiake për ato që quhen aksidente kardiake do të jepet e drejtpërdrejtë dhe ecim në një teori të ndihmës mjekësore të shpejtë dhe më të afërt në komunitet. Në këtë mënyrë jemi një nga vendet e pritshmërisë më të ulët në rajon, duke evituar listëpritjet e gjata, të cilat në një mënyrë apo në një tjetër ekzistojnë, por ne po bëjmë gjithçka është e mundur për t’i shkurtuar dhe më shumë. Kjo sigurisht është një gjë e munguar ndër vite. Jemi në udhën e duhur për të pasur qendrat shëndetësore të duhura dhe për të ecur në udhën e duhur të diagnozës. Kjo është dhe një nga gjërat më të rëndësishme që qytetarët presin nga ne”, - është shprehur ministri Vasili. Pajisja e poliklinikave të Tiranës me setin e urgjencës është një investim prej 12 milionë lekësh, i ndarë në të gjitha qendrat shëndetësore.
Analizat që do bëhen në poliklinika
Shërbimet e kryera deri tani pranë laboratorëve të qendrave shëndetësore kanë qenë ato klinike, pra gjak komplet (eritrocit, leukocit, trombocit, sediment) me formulë leukocitare. Me futjen e aparaturave te reja (autoanalizatorit) do të rritet gama e shërbimit, duke përmbledhur të gjitha analizat biokimike, ku kryesisht përmblidhen provat e heparit (bilirubinë, transaminaza,GGT), provat renale (azotemi, kreatinemi), glicemi, bilancin lipidik të fraksionuar (kolesteroli, HDL-kolesteroli, trigliceridi), kalcium total, fibrinogjeni, amilazën, kreatinkinazën etj.