E Diel, 1 Nëntor 2026

Lagështira, rrezikojnë mbylljen kopshtet dhe çerdhet

Disa kopshte dhe çerdhe në kryeqytet rrezikojnë të jenë të kyçur në shtator, për shkak të lagështirës së madhe që ambientet e tyre kanë. Shqetësimi, që është njëkohësisht edhe një paralajmërim për marrje masash nga strukturat përkatëse jepet nga Drejtoria e Higjienës në Tiranë. Specialistë të këtij institucioni bëjnë të ditur se nga inspektimet e kryera në mbi 70 kopshte dhe çerdhe, në Tiranë, 14% e tyre rezultojnë me shumë probleme. Lagështia dhe amortizimi i ambienteve, ku të vegjlit kalojnë më tepër se 8 orë në ditë, janë më shqetësueset. “Ne nuk jemi mjaftuar vetëm me konstatimin me sy të lagështirës, por ne kemi bërë matjet për lagështirën, temperaturën dhe qarkullimin e rrymave të ajrit. Disa kanë rezultuar me nivel të lartë lagështire, që tregon se impakti i kësaj lagështire në shëndetin e fëmijëve është i madh dhe i dëmshëm”, - pohon Besa Shehu, specialiste e higjienës pranë Drejtorisë së Shëndetit Publik Tiranë (DSHPT). Ndërkaq, Shehu thekson se nëse pushteti vendor dhe Drejtoria Arsimore e Tiranës nuk merr masa deri në shtator, do të propozohet mbyllja e këtyre kopshteve dhe çerdheve. “Do të arrijmë drejt mbylljes së këtyre institucioneve, në qoftë se nuk merren masa gjatë stinës së verës, kur numri i fëmijëve pakësohet dhe kanë mundësi për riparim komplet të institucioneve. Të gjitha kopshtet dhe çerdhet janë inspektuar në Tiranë dhe tani po vazhdojmë me komunat”, - shprehet më tej ajo. Monitorimi i Drejtorisë së Shëndetit Publik Tiranë është kryer gjatë muajit prill dhe maj. Në raport theksohet se këto kopshte dhe çerdhe problematike janë të shpërndarë në të gjithë kryeqytetin.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›