E Shtunë, 31 Tetor 2026

Teksti substancial dhe përmasat e trishtimit brenda poezisë

Recension për vëllimin me poezi Abeja E Akullt, nga Ahmet Selmani Shkup

Nga Shefqet Dibrani

Nicë - Francë, 30 Gusht NOA - Poeti Ahmet Selmani, i cili jeton dhe krijon në Shkup, duket si i mbetur në një oazë, ku shkretimi letrar e ka sjellë buzë dilemës: të krijojë a të mos krijojë në këtë dhé ashpëran/ (që) një herë të pjell/ pastaj të ha,

(faqe 35).

I vetëdijshëm për rrethanat shoqërore e politike që po kalon kombi ynë, ai sikur më me ngulm i është qasur krijimit letrar, edhe pse konsideron se nuk është stina e tij, ai vazhdon, është bërë një zë i rrallë i këtyre anëve. Pasioni i tij letrar ka bërë bujë edhe në këto kohë ndryshimesh ku askush nuk çan kokën për librin, qoftë si lexues i rëndomtë, e lëre më si shtytës a ndihmës në këto procese të dhimbshme qo po kalon shoqëria jonë jo vetëm kulturore.

Ahmet Selmani është bërë i njohur së pari në fushën e studimeve dhe kritikës letrare, e më pas si emër i pranuar në prozën e shkurtër, në ese letrare dhe, së fundi, edhe në fushën e poezisë, ku sivjet botoi edhe përmbledhjen e dytë poetike Abeja e akullt.

Nuk e di sa është e nevojshme të theksohet një fenomen që e hasim te Ahmet Selmani, dhe ky fenomen ka të bëjë më tepër me rrugën që ka ndjekur ky autor, sesa me formën që ia ka përcaktuar vetes për tiu bashkuar kolonës së letrarëve shqiptarë dhe më gjerë.

Ai së pari është marrë me kritikë e studime letrare, si redaktor letrar, ka treguar një afinitet në përkthime. Më pas do të botojë libra me publicistikë, tregime letrare dhe, krejt së fundi, edhe poezi, fenomen ky që ndeshet rrallë, pasi shumica e autorëve, nisin nga poezia dhe përfundojnë në prozatorë, kritik letrar e studiues.

Si duket kjo trajektore e emancipimit letrar, sikur i ka shërbyer këtij autori për të dhënë rezultate të lakmueshme, me përmbledhjen e dytë poetike bëhet edhe më i pranuar, por tashti edhe në fushën e poezisë.

Përvoja e tij letrare në fushën e kritikës dhe studimeve letrare do tia ketë mundësuar për ti kapërcyer shumë pengesa që për poetë të tjerë do të duheshin përvoja të gjata.

Poezia e Ahmet Selmanit është një poezi e brishtë, me një koncept ndërtimi dhe me imazhe të stërholluara të metaforës poetike, se mbi gjoksin (e tij) me plagë/ ndalet një flutur e bardhë, (faqe 16). Ky origjinalitet i tij vjen, siç theksuam edhe më lart, nga përvoja letrare, fenomen që është bërë i dallueshëm, e pse jo edhe i diskutueshëm qysh në titullin e librit Abeja e akullt, për të pasuar me ciklet, titujt dhe nëntitujt e poezive, pasi i tërë vëllimi, poezi për poezi, ka nëntitullin si një tekst narrativ me një mesazh pak a shumë sugjestiv: Kryemësimi - ose ninulla e jetës, Duke mësuar veten ose zgjimi i hershëm, Stinë e huaj ose gjumi i jetëvdekjes, Rënia ime ose gëzimi i kotë, Atdheu i qelbur ose britma e bukur e kështu me radhë.

Sidoqoftë, autori ka arritur të krijojë tipin e vet në kuadrin e poezisë së sotme shqiptare, gjë që është për tu lakmuar.

Përgjatë tërë lëndës trajtohet fati i individit në një shoqëri në tranzicion, dhe ky ndryshim jo rrallë ka marrë kahe negative për të cilën gjë poeti shqetësohet: Pika sa smë bie/ kur e shohë atdheun të qelbur, (f. 35), megjithatë në të njëjtën poezi lexojmë këmbënguljen e poetit për të qëndruar: unë sluaj vendit/ gurit i futem në placë, (f. 35). Kjo vendosmëri e poetit shpjegon se është i futur me tërë qenien e tij në vorbullën e këtyre ndryshimeve, dhe duke qenë i pafuqishëm që të ndikojë, ai proteston, jo rrallë ofshan, aty-këtu mallkon, sa që duket sikur shqetësimi i tij intelektual është futur në një krizë të thellë shpirtërore, sidomos kur sheh se njeriu i ështu sulur edhe zotit.

Por, poeti është mjaft i vetëdijshëm për rolin dhe misionin e tij para kombit, të cilit ai me shkrimet e tij i shërben, rrugën ta hap/ për njerëzit/ që të ecin/ të lirë, (faqe 26), me një fjalë ai e di pse proteston, pse ofshan dhe pse mallkon, andaj me lehtësi bën një ndryshim substancial të tekstit: edhe nëse nuk e gjen/ patjetër duhet ta krijosh, (faqe 27), kurse mesazhi që lexohet nga poezia në poezi e nxjerr lexuesin nga latergjia.

Këto asonanca krijuese kaq të trishtuara nuk i ndeshim edhe aq shpesh nëpër librat me poezi që krijohen në hapësirën tonë:

Unë bie

po ti pse gëzohesh

sikur të kem vdekur (Faqe 30)

Ky lloj krijimi kaq i trishtuar bëhet me të vetmin qëllim, (së paku në aspektin letrar), të ketë funksionin e vet në ndryshimet që po ndodhin.

Unë po bie të fle

ti zgjomë vetëm nëse ka

ndonjë lajm të mirë (Faqe 31)

Poeti këtë nuk e arsyeton gjatë krijimit poetik, këtë e kuptojnë të gjithë ata që e njohin trajektoren e formimit dhe emancipimit të tij si krijues i pasionuar dhe përplot guxim për tu rrekur me forma krijimi si te vëllimi poetik Abeja e kullt, ku do të gjejmë një përsosmëri të vargut, në harmoni të plotë edhe me mesazhin e krijimit.

Poeti shpreh protestën personale përmes poezisë, se një histori (që su shkrua kurrë!), është përrallë e padëgjuar, (faqe 9), duke lënë për të kuptuar se poezia është e shkruar si një lloj proteste artistike. Duke përshkruar artistikisht jetën qytetare, si krijues ka shprehur edhe dramën e tij të brendshme, qoftë të mendimit apo të përjetimit real.

Dramaciteti kaq i madh për të ndikuar në ndryshimet që po ndodhin në shoqërinë e re demokratike, është i arsyeshëm, sepse ai, (më shumë se kushdo tjetër), është i vetëdijshëm se këto zhvillime janë në shpërputhje me kahet dhe zhvillimet shoqërore e kulturore në rajon dhe në shkallë botërore, pasiqë, siç thotë ai: shkretëtira e ka gojën e madhe/ por ti kurrsesi mos lejo të të gëlltisë, (faqe 28).

Ahmet Selmani i di mirë ndikimet e kombit tonë në Rilindjen evropiane (renesanca evropiane), si dhe ato nëpër vende e kontinente, sepse tashmë janë të tejdukshme, por ai, më mirë se kushdo tjetër, mund ti dijë edhe ndikimet e paraardhësve të tij në fushën e letërsisë kombëtare, ashtu siç mund ti dijë edhe nëpërkëmbjet që iu bënë këtyre brezave e atdhetarëve të dëshmuar nga konjuktura të çmendura komunistësh, prandaj shqetësimi i tij nuk ka aq të bëjë me të kaluarën, por me të tashmen, dhe si i tillë shqetësimi bëhet i arsyeshëm dhe mjaft subtil.

Ditët

po mi ha nata

i vjell mbi mue

e unë ende kujtoj

se po mlag shiu

heu ku je vdekje

që mpaske

harrue (Faqe 38)

Drama dhe dramaciteti që lexohet brenda këtij vëllimi poetik, janë fatet e një shoqërie të tërë, pavarësisht nga mezhdat që na i vunë, apo mezhdave e hendeqeve që i groposëm vet kundër njëri-tjetrit, të yshtur nga pavetëdija a lakmia e tepruar: Sërish/ po çapiten varg e varg/ sa të tmerrshëm luftëtarët e paqes/ njëlloj duken si paqësorët e luftës, (faqe 61). Kjo dramë duket edhe si një lloj aventure e cila i ngjan një varke në detin e hapur përplot me tallaze, se a do të arrijë ajo ta puthë bregun e ëndërruar, varet më shumë nga shkathtësia e drejtuesit të saj, gjë që Ahmet Selmani duket se i ka këto aftësi, pasi vëllimi i tij poetik është i lidhur me heronjtë e tokës. Mënyra metaforike e tekstit përmes vargjeve lakonike sublimojnë përpjekjen e poetit.

Unë

flas kundër së keqes

çdo ditë e pështyjë me vrer

ti çdreqin më ndëshkon mua

ke frikë ta prekësh

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›