E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një trëndafil për Dhori Falon

Dje, në një orë të përzishme, u mblodhëm në Voskopojë nga larg e nga pranë për t'i dhënë lamtumirën njeriut tonë të dashur, mësuesit dhe shkrimtarit, burrit të urtë, mikut tonë Dhori Falo, si edhe për t'iu gjendur në krah familjarëve të tij, që provuan dhembjen e gjallë të ndarjes me të.


Dhori Falon, voskopojarin më emblematik të kapërcyellit të dy shekujve tanë, XX-XXI, e thirri Zoti dhe ai shkoi pranë "Atit": do të thoshin besimtarët. Ose ai e përmbylli ciklin ekzistencial të jetës së vet: do të kundërthonin njerëzit e shkencës.


Nuk dimë se cilën prej formulave do të parapëlqente vetë ai, njeri i formuar qysh në të ri me idetë e iluminizmit frëng, po aq sa edhe i mbrujtur me respekt për Perëndinë dhe besimin në të.


Do të dëshiroja të kujtoj që, në kuvendime me të, ia kishte ënda të diskutonte më se një herë situatën e veçantë të formimit të tij: se si i krishterë i mirë nuk bëhesh vetëm e vetëm duke dëgjuar predikimet e klerit në tempujt e kultit, por edhe duke lexuar Të mjerët e Victor Hugo-it, Atalanë e Chateaubriand-it, Mullirin e Alfons Daudet-së, që e admironte si mjeshtër, etj.


Siç mund ta kenë konstatuar mjaft bashkëkuvendues me të: kishte kultin e racionalizmit humanist, të cilit ia mbajti besën dhe i cili i kishte aq hije. "Jeta - shkroi në njërin nga librat e vet të fundit - nuk është "dhuratë hyjnore" që vetëm të lumturon, por një detyrë e rëndë, e vështirë, tepër e ngatërruar, që njeriu duhet të mbarojë me nder deri në fund".


Ajo çfarë na takon të themi, tani që i dhamë lamtumirën, është se për Dhori Falon fillon një cikël i dytë ekzistencial, ose një "jetë e dytë", siç do ta përfytyronin besimtarët.


Fillon jeta e përbërë, më së pari, prej kujtimeve që ai ka lënë: më pak tek ata bashkënxënës të tij liceistë që kanë mbetur ende në jetë e që numërohen me gishtërinjtë e njërës dorë, ndërsa më shumë te qindra nxënës të cilëve u dha mësim përgjatë tërë punës së vet kushtuar mësimdhënies, pa llogaritur marrjet e dhëniet me miq të panumërt, sa në Voskopojë e në Korçë, aq edhe përtej tyre, deri në vende të largëta të Europës sonë e të Amerikës, kujtime që do të na duken të tërëve gjithnjë më të vyera, si gurët e çmuar me kalimin e kohës.


Por jeta e tij e dytë është ndërtuar prej tij - jo pa qëllimin e një misionari - me librat që, nga 90-a e këndej, mundi të shkruante e të botonte: disa vëllime me tregime e novela, si Kambanat e Voskopojës (2000), Korrieri (2003), Të shkuara të paharruara (2004), Trishtim (2005) etj., të gjitha botime të Klubit të Shkrimtarëve "Bota e Re" (Korçë), në të cilat spikat, krahas aftësisë së të rrëfyerit, edhe thjeshtësia e shpallur, që të kujton pikërisht mjeshtrin e tij të dashur, Daudet-në.


Lartohet përmbi këto vepra e tij më e rëndësishme, monografia Tragjedia e një qyteti, e botuar disa herë dhe e përkthyer tanimë në më se një gjuhë: asaj me kalimin e viteve vetëm sa do t'i shtohet pesha në kulturën shqiptare dhe atë ballkanike.


Pos këtyre, një befasi e re na pret ne lexuesve të tij: një libër në formë interviste, tanimë i gatitur për botim, në dukje i vonuar për shtyp, por në të vërtetë athua se i rezervuar enkas për të shqiptuar fjalët e tij testamentare.


Do të jenë fjalë për familjen, në veçanti për t'anë me emër të madh në kulturën shqiptare dhe me fat të trishtë në politikën shqiptare të viteve 30-40, - pra për Dhimitër Falon, - për të ritë e vet si liceist, për peripecitë në luftën antifashiste dhe njëherësh civile, - atëherë edhe iluministit utopik të liceut i ra në pjesë të zinte me dorë armë, - për kalimin nëpër "rrugën e mundimeve" të diktaturës së Hoxhës, - do të lexojmë aty se si burri i urtë nuk ia ka kursyer portretin realist që diktatori e ka merituar, - deri edhe për shndërrimet e sotme demokratike, me arritjet e tyre, si edhe zhgënjimet e tyre për një njeri të drejtë siç Dhori Falo ishte. Duken pak?


Në të vërtetë janë shumë: një njeri si Dhori Falo do të vijonte të jetonte në kujtimet e mira të atyre që e njohën edhe sikur vetëm me trëndafilat e oborrit dhuruar miqve e vizitorëve, të njohurve e ndonjëherë gati-të panjohurve, që hynin e delnin në shtëpinë e tij bujare, që priteshin me gotën e rakisë së kumbullës dhe pjatëzën me mjaltë po nga të oborrit të tij.


Tanimë, si i hodhëm edhe grushtet e fundit të dheut dhe si ia vendosëm edhe kurorat e fundit mbi varrin në të cilin ai do të bjerë në qetësi, do të fillojmë t'ia konstatojmë në vend mungesën: do të vijmë dhe rivijmë në Voskopojën e tij, - dhe tonën, - ku Dhori Falo hoqi jetën e vet të thjeshtë, dhe do të na mungojë guida par excellence i fshatit të tij, në të vërtetë i ish-qytetit të tij tragjikisht të dashur; do të na marrë malli për kuvendimet me të: kuvendime aq për libra e shkrimtarë, sa edhe për histori e politikë; nuk do të na shoqërojë më për shëtitje nëpër bregore e nëpër rrënoja, duke shprehur pezmin plot idealizëm për rrëgjimin e monumenteve të kulturës ngado rreth e qark, të vendndodhjes së akademisë ose të shtypshkronjës gati-fantazmë; deri edhe lulet e oborrit të tij - një copë lule për mall - nuk do të jetë ai që të na i dhurojë.


Mirëpo ja se ku më bie në mend se si i qesëndiste ai ata që shkruanin gjatë duke e bërë fjalën tërkuzë, - i quante "shkrues të dorës së tretë", edhe më zë frika se mos më lexojë edhe tani...


Prandaj unë vetë këtij miku që sapo na la - rrallë herë e kujtonim që ishim edhe "kushërinj" - me këtë fjalë lamtumire nuk do të doja veçse t'ia ktheja si me një trëndafil modest, për fat të keq sot të përzishëm, lulet e gëzimit që na ka dhuruar me aq sqimë e fisnikëri për vite e vite me radhë, duke i pëshpëritur: Lamtumirë, miku ynë i dashur Dhori Falo! Do të të kujtojmë përherë!


Do të të lexojmë shpesh e më shpesh! Dhe, sidomos, do të përpiqemi të të imitojmë për mënyrën si e konceptove ti jetën, si "detyrë e rëndë, e vështirë, tepër e ngatërruar, që njeriu duhet të mbarojë me nder deri në fund"!


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›