Basha: Mediet mashtruan për vizat. Lajmin e raportuan mediet e huaja kryesore në BrukselNga TemaMinistri i Jashtëm i Shqipërisë, Lulzim Basha, nuk dha asnjë arsye dje se pse Shqipëria po penalizohet duke mos u liberalizuar sistemi i vizave, por tha s
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Basha: Mediet mashtruan për vizat. Lajmin e raportuan mediet e huaja kryesore në BrukselNga TemaMinistri i Jashtëm i Shqipërisë, Lulzim Basha, nuk dha asnjë arsye dje se pse Shqipëria po penalizohet duke mos u liberalizuar sistemi i vizave, por tha se Këshilli i Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian ka vlerësuar progresin e Shqipërisë.
Duke u kapur te një frazë tipike diplomatike e BE “vlerësojmë progresin”, Basha ka ndërtuar të gjithë retorikën e tij me tone patriotike, por nuk ka komentuar pjesën e mëposhtme të deklaratës “se ka disa vende që nuk kanë plotësuar kriteret, që kanë qenë shumë të qarta”.
Për të gjithë personat që nuk janë familjarë me procesin, duhet sqaruar se Bashkimi Evropian ka nisur para disa kohësh procedurat për liberalizimin e vizave me Ballkanin Perëndimor, duke përcaktuar qartë se çfarë kushtesh duhet të plotësojë çdo vend.
Për të vlerësuar këto reforma, Komisioni Evropian përgatiti një raport të detajuar për secilin vend. Edhe pse nuk u bë publik, ai u shpërnda në media të ndryshme. Brukseli u kujdes që çdo vend të mësojë se ku është me hapat për liberalizimin e vizave, edhe pse autoritetet shqiptarë nuk kanë thënë kurrë asnjë fjalë deri në çfarë faze jemi.
Më pas raporti i përgatitur nga KE, ku Shqipëria përjashtohet nga liberalizimi i vizave, ka mbërritur te Këshilli i Ministrave të Jashtëm të BE, që është dhe organi që jep miratimin e tij për vendime të tilla.
Ajo çka ka ndodhur dje është shumë e qartë: Këshilli ka miratuar pa mëdyshje raportin e KE, ku Shqipëria mbetet në klasë për vizat, e kjo thuhet e zeza mbi të bardhë në deklaratën përfundimtare. Aq i qartë është raporti, sa vijon duke thënë se ka vende që nuk kanë plotësuar kriteret, të cilat kanë qenë shumë strikte. Dhe për ato që kanë plotësuar kriteret, vizat do të hiqen në fund të këtij viti.
Por, siç ndodh rëndom me çdo deklaratë të BE, në fund thuhet se përkrahet vazhdimi i reformave për çdo vend.
Ministri i Jashtëm, Basha, pasi pati deklaruar në mënyrë skandaloze se vizat do të hiqen nga Barroso brenda mandatit të tij, mori një përgjigje të fortë në raportin e Komisionit Evropian, ku thuhej si rrallë ndonjëherë se vizat do të hiqen, jo me lobing politik, por me reforma.
Por, të mësuar me vendime politike për integrimin e vendit, diplomatët tanë nuk pranojnë për asnjë moment të na sqarojnë se deri ku jemi në këtë proces, por fyejnë inteligjencën e shqiptarëve.
“Deklarata bën të qartë progresin e arritur nga të gjitha vendet tona dhe bën të qartë se ato vende që kanë plotësuar të gjitha standardet mund të presin, në fund të këtij viti, liberalizimin e vizave, ndërkohë që plotësimi i këtyre standardeve, përmbushja dhe zbatimi i reformave shikohet si një përparësi për të gjitha vendet. Siç e tha dhe Komisioneri Rehn dje, akoma nuk ka një klasifikim, por për Shqipërinë lajmi i mirë qëndron te fakti se progresi i bërë nga Shqipëria, në një kohë fare të shkurtër, është jashtëzakonisht i madh, inkurajues dhe një shtyllë e fortë për të plotësuar objektivin tonë madhor: heqjen e vizave brenda 12 muajve”, - tha më tej Basha.
Madje nuk është mjaftuar me kaq, por ministri ka lëshuar një lumë fyerjesh ndaj medieve, që kanë bërë më të paktën në këtë drejtim, kanë raportuar lajmin ashtu siç ka dalë nga Brukseli.
Duke përdorur tone patetike nacionaliste, Basha tha se mediet po manipulojnë.
“Meqë nuk ka pyetje, atëherë më lejoni të shpreh keqardhjen për spekulimet e vazhdueshme që disa ekrane dhe disa gazeta të kontrolluara nga z. Rama bëjnë me një çështje kaq thelbësore për shqiptarët. Heqja e vizave është për çdo shqiptar, pavarësisht nga bindjet politike. Bazohet tërësisht në suksesin e Shqipërisë dhe reformave të ndërmarra nga ajo. Konfirmimi i Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian është një lajm i mirë për të gjithë shqiptarët, pavarësisht nga bindjet politike. Është i turpshëm, i papranueshëm dhe do të marrë përgjigjen e duhur spekulimi që z. Rama dhe mediet e kontrolluara prej tij bëjnë me këtë lajm kaq të shumëpritur nga shqiptarët anembanë vendit dhe jashtë në emigracion”, - tha Basha.
Gazeta “TemA” po boton bashkangjitur disa nga raportimet e djeshme nga mediet kryesore me korrespondentë në Bruksel, për të sqaruar shqiptarët se çfarë ka ndodhur realisht me vizat.
E nëse Basha mendon se ne po nxijmë imazhin e vendit dhe po trazojmë dëshirat e heshtura të shqiptarëve për të lëvizur të lirë, ai duhet të japë tani përgjigje direkte se pse ndodhemi prapa vendeve si Serbia e Maqedonia në këtë klasifikim. Ai duhet të sqarojë se pse renditemi përkrah një vendi si Bosnja që ka probleme shumë të thella etnike, që nuk ka kontroll mbi kufijtë e copëzuar në shumë etni, e që gëlon nga krimi i organizuar dhe problemet e bartura nga konflikti i përgjakshëm.
Për ta mbyllur duhet thënë se dje Këshilli i Ministrave të Jashtëm ka marrë një vendim shumë të rëndësishëm duke i hapur dritë jeshile dhe Kosovës që të hyjë në garë për të fituar regjimin e lirë të vizave.
Disa vende të Ballkanit mund të përfitojnë udhëtim pa viza drejt BE brenda pak muajsh
“EU Observer”
Pasi Komisioni bën propozimet e tij, Parlamenti Evropian konsultohet me të dhe më pas vendet anëtare të BE pritet të japin dritën jeshile në fund të vitit për vendet që kanë avancuar më shumë.
Shqipëria dhe Bosnja e Hercegovina kanë bërë progresin më të paktë në këto fusha dhe qytetarët e këtyre vendeve nuk pritet të përfitojnë regjim të lirë vizash në këtë fazë.
BE: Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovina ende larg lirisë prej vizave
“Deutsche Welle”
Holanda është kundërshtarja kryesore e zbatimit të marrëveshjes mes BE me Serbinë të nënshkruar në prill 2008, dhe thekson se do të votojë pro vetëm në rast se kryeprokurori i Gjykatës së Hagës për ish-Jugosllavinë, Serge Brammertz, i cili do të raportojë në këtë takim, do të dëshmojë se Serbia kooperon pa kufizime me këtë gjykatë.
BE do të ripërsërisë në Luksemburg se në parim është e gatshme që duke filluar nga viti i ardhshëm për qytetarët e vendeve të Ballkanit të hiqen vizat, por kjo do të varet nga plotësimi i kushteve.
Sipas diplomatëve, deri tani në këtë drejtim kanë bërë përparime të mëdha Maqedonia, Serbia dhe Mali i Zi, ndërkohë që Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovina janë më larg nga liria e vizave.
Disa qytetarë të Ballkanit mund të përfitojnë regjim të lirë vizash
“Javno”
Serbët, që zakonisht udhëtojnë shumë, kishin nevojë për viza për të udhëtuar për në BE që pas luftërave që pasuan ndarjen e Jugosllavisë.
Të gjitha vendeve në Ballkanin Perëndimor iu është ofruar perspektiva e anëtarësimit në BE, pasi kjo e fundit e sheh këtë si një mjet për siguruar stabilitetin në rajon.
Shqipëria dhe Bosnja po kërkojnë gjithashtu regjim të lirë vizash, por duhet të plotësojnë më tej kërkesat e Bashkimit Evropian.