Telefonata e përgjuar e Ilir Metës në Romë
ROMË Përshëndetje President, Berluskoni nuk është. Është nisur për në Rusi, më ka lënë përshëndetje të mëdha për ju. Pastaj me atë kombinojmë një takim. Ne, ndërkohë, do të shihemi nesër në mbledhjen që do të zhvillohet në Farnesina. Në 11:00….
Është mbrëmje e 20 tetorit të vitit 2009 kur Valter Lavitola flet me Ilir Metën, zëvendëskryeministër i Shqipërisë që sapo kishte ardhur në Itali. Lavitola nuk e merrte me mend se Prokuroria e Peskarës kishte vendosur telefonin e tij nën përgjim dhe që po dëgjonte gjithçka. Më 20 tetor, Meta e merr në telefon për ta lajmëruar që mbërriti në Romë. Në të njëjtën mbrëmje Lavitola i telefonon mikut dhe ortakut të tij në biznese, Rikardo, për ti thënë që të gjendet në Farnesina rreth orës 12:00….
***
Pra, ai ka llogaritur që rreth 1 orë të jetë brenda me Metën dhe më pas të takohet për ti thënë rezultatet e bisedës, mikut të tij biznesmen. Se çfarë ndodhi brenda është pak a shumë e ditur: nga përgjimi i telefonit të kryesekretares së Fratinit u mësua se Fratini e kishte porositur kryesekretaren të udhëzonte Lavitolën se në cilin pozicion të vendosej brenda zyrave që takimi me Metën të dukej spontan. Por në këtë pikë Lavitola nxjerr veten dhe Metën zbuluar duke thënë: Dëgjo Nadia se unë me të njihem prej 10 vjetësh, ndaj më fut drejtpërdrejt në zyrën e Fratinit dhe jo në paradhomë…. Dhe për ti bërë të qartë që e njihte mirë, i jep dhe një informacion konfidencial, që dëshmon se Lavitola e njeh situatën politike të Metës mjaft qartë: Ai ka 4 deputetë dhe mban në këmbë qeverinë Berisha, ka ndërmend të blejë edhe 9 të tjerë…
Sekretarja këmbëngul se shefi (Fratini) i ka thënë ashtu dhe ashtu duhej të bëhej takimi. Pas kësaj, Lavitola është marrë vetë me Metën. Ai ka hyrë në kontakt me të dhe mbrëmjen e mbërritjes së Metës në Romë (shoqërohej nga shefi i kabinetit Sokol Devishi) Lavitola dhe Meta kanë folur në telefon dhe e kanë lënë të shihen në Farnesina (ministria e Jashtme italiane) të nesërmen në 11.
Fotoja që nxori në shesh gënjeshtrën e Fratinit (sepse ky deklaroi pas daljes së përgjimeve që takimi Meta-Lavitola-Fratini nuk u bë) shihet se Meta Lavitola dhe Fratini janë takuar rreth asaj ore brenda në Farnesina. Bisedën që donte të bënte me Metën, ai nuk e ka konsumuar gjatë atij takimi, dhe kjo provohet nga telefonatat e tij të asaj dite.
Para se të hynte në ministri, ai i thotë ortakut të tij që të jetë aty rrotull ministrisë në orën 12. Por pasi del nga takimi me Metën dhe Fratinin, Lavitola i telefonon Rikardos për ti thënë: Mos hajde. Kemi vendosur që të flasim gjatës darkës. Do të prenotoj unë dhe shihemi në 8 e gjysmë të mbrëmjes… Pas mbylljes së telefonatës me ortakun e tij telefonon sekretarinë për ti thënë: Sonte në darke do të jem me zëvendëskryeministrin shqiptar për darkë, do të vijë edhe Rikardo, prenoto në restorantin Baglioni…
***
Pra, si Fratini si Meta kanë dalë zbuluar nga telefonatat e përgjuara të mikut të tyre. Fratini është përpjekur ti lajë duart me dy deklarata që përgënjeshtruan njëra-tjetrën. Ditën e parë të skandalit ai tha se takimi Lavitola-Meta-Fratini nuk u bë pavarësisht bisedave të Lavitolas me kryesekretaren e tij. Pasi televizioni shqiptar TCH nxori foton dhe filmimin që provonte takimin Lavitola-Meta-Fratini, ky i fundit doli me tjetër deklaratë të sikletosur ku thoshte se nuk e dinte me se merrej Lavitola në atë kohë dhe ai e njeh Ilir Metën para se ta njoh unë.
Kurse Meta ka rënë në grackën e gazetës italiane La Republica. Pa qenë në dijeni që ata kishin përgjimin e bisedës mes tij dhe Lavitolas, ai mohon ta ketë njohur sekserin që aktualisht është në kërkim nga prokuroria italiane. Më pas ka thënë që edhe mund ta kem takuar, e më pas ka deklaruar për gazetarin italian se nuk mund të mbaj mend gjithë ata që takon.
Por përgjimet e Lavitolas provojnë se Meta ka folur me Lavitolan sapo ka mbërritur në aeroport, e ka takuar të nesërmen në Farnesina dhe madje ka darkuar me të dhe ortakun e tij në darkën e së njëjtës ditë.
***
Më poshtë, telefonata Meta-Lavitola sapo Meta dhe delegacioni shqiptar ka mbërritur në aeroportin italian. Është Meta që telefonon. Më pas, ia kalon telefonin shefit të kabinetit, Sokol Dervishi, për të koordinuar oraret e takimit. Lavitola kërkon të darkojnë që mbrëmjen e mbërritjes. Dervishi i thotë që do ishte më mirë të takoheshin të nesërmen pas takimit të orës 11 në Farnesina… Telefonata e lë hapur mundësinë e takimit dhe darkimit. Të nesërmen, ndërkohë, Meta dhe Lavitola takohen në Farnesina siç e lanë dhe pas takimit Lavitola telefonon ortakun e vet për ti thënë që ka lënë të darkojë me Metën. Telefonon dhe sekretaren e vet, së cilës i jep porositë dhe koordinatat për darkën me zv.kryeminitrin shqiptar në restorant Baljoni.
(Meta i telefon Lavitolas)
Valter Lavitola: Alo? Po…
Ilir Meta: Mirëmbrëma… Iliri jam.
Valter Lavitola: Oh, përshëndetje zëvendëskryeministër…
Ilir Meta: Mirë, shumë mirë…
Valter Lavitola: Çfarë do të bëjmë atëherë, do të darkojmë së bashku?
Ilir Meta: Mund të flasësh me shefin e kabinetit që është afër meje…
Valter Lavitola: Po…
Sokol Dervishi: Përshëndetje.
Valter Lavitola: Përshëndetje.
Sokol Dervishi: Jam Sokoli, shefi i kabinetit të zotit Meta.
Valter Lavitola: Po, unë jam Valter, është një kënaqësi… Zëvendëskryeministri ka kënaqësinë që të darkojë me mua sonte në mbrëmje?
Sokol Dervishi: Sonte nuk është e mundur, sepse kemi takimin me ambasadorët… Flasim më vonë, sepse nuk e dimë akoma se çfarë hapësirash kemi mes takimeve
Valter Lavitola: Mirë, por takimi nesër në Farnesina çfarë ore është, në 11:00?
Sokol Dervishi: Në 11 kemi takim…
Valter Lavitola: Nesër keni takimin në ministrinë e Jashtme të Italisë në 11:00, apo jo?
Sokol Dervishi: Po, në 11…
Valter Lavitola: Meqenëse jam edhe unë atje, Ilir preferon të takohet me mua përpara apo pas këtij takimi?
Sokol Dervishi: Pas takimit është më mirë…
Valter Lavitola: Atëherë takohemi nesër në Farnesina.
Sokol Dervishi: Po, kjo është më mirë.
Valter Lavitola: Atëherë i thoni Ilirit, po e përsëris, se nuk di nëse iu thashë se Berluskoni nuk është, është nisur për në Rusi, ju bën shumë të fala dhe më pas kombinojmë një takim…
Sokol Dervishi: Faleminderit, faleminderit shumë…
Valter Lavitola: Atëherë shihemi nesër në Farnesina…
Sokol Dervishi: Po. Faleminderit shumë…
Valter Lavitola: Faleminderit…
(Mbyllet telefonata)
Meta, ndryshe në La Republica, ndryshe në Tiranë: E njoh… Nuk e njoh… Lavitolan
ROMË Jo, unë nuk mbaj mend të kem njohur këtë zotëri Lavitola. Por mund të jetë që… tani që më kujtohet ajo vizita në Itali…. Kjo është deklarata konfuze e bërë nga ish-zëvendëskryeministri dhe ish-ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, për gazetën La Republica.
Në një intervistë të publikuar në numrin e djeshëm të gazetës italiane, kreu i LSI-së thotë fillimisht se nuk e njeh biznesmenin italian që është fotografuar gjatë takimit dypalësh me ministrin e Jashtëm të Italisë, Franko Fratini.
E habitshme është që pak orë pasi kishte deklaruar për gazetën italiane se nuk e njihte Lavitolan, Meta, ka lëshuar për mediat shqiptare një tjetër variant, sipas të cilit, personi në fjalë njihet nga ai prej kohësh si drejtor i gazetës LAvanti.
Në lidhje me pretendimet e ndonjë media, për gjoja angazhimin e personave të tretë gjatë vizitës sime