E Diel, 1 Nëntor 2026

Telefonatat kërcënuese para vrasjes së Deliut

08/01/2009  Hetimet përqendrohen në zbardhjen e këtyre bisedave

TIRANE- Hetimet për identifikimin e vrasësve të Elton Deliut dhe nënës së tij Flutura, janë përqendruar tek telefonatat kërcënuese. Specialistët e Krimeve të Rënda gjatë dëshmive të mara nga të afërmit e dy viktimave, kanë konstatuar se 32-vjeçari para se të ekzekutohej, ka marrë disa kërcënime nëpërmjet telefonit. Madje për atentatin që i kurdisej, Deliu është sinjalizuar edhe nga disa të afërm të tij, të cilët aktualisht kanë dhënë deklarimet e tyre në polici. Lidhur me këto të dhëna grupi hetimor i është drejtuar transkriptimit të bisedave telefonike që Eltoni ka kryer gjatë vitit 2008. Nga bisedat e kryera ekspertët shpresojnë të bien në gjurmët e ekzekutorëve të dyfishtë. Pyetjes se pse nuk i kishte denoncuar në polici kërcënuesit, specialistët i përgjigjen me ngritjen e supeve. Megjithatë, ata janë shprehur se aktualisht hetimi i kësaj çështjeje është në një fazë të vështirë, pasi provat e administruara nuk mjaftojnë për identifikimin e plotë të ndonjë individi. Me sa duket vrasësit kanë vëzhguar për një kohë të gjatë objektivin e tyre dhe gjatë kësaj kohe ata nuk kanë menduar vetëm për eliminimin e tij, por edhe për zhdukjen e provave në vendngjarje. Mungesa e dëshmitarëve ka bërë që edhe mekanizmi i ngjarjes të bazohet mbi dyshime për oficerët e policisë kriminale. Ndërkohë që dihet që Flutura Deliu është gjetur e vrarë në krevatin e saj, ndërsa i riu pranë derës kryesore të banesës.

E. Qyno

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›