E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obelisk në nderim të viktimave të diktaturës

08/01/2009  Qeveria miraton në parim projektligjin për Institutin e Studimit të Krimeve të komunizmit

Projektligji parashikon edhe ndërtimin e një muzeu. 20 shkurti do të shpallet dita e nderimit të viktimave

Qeveria pas votimit të Parlament të ligjit për hapjen e dosjeve ka miratuar në parimin projektligjin që mundëson ngritjen e Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Sistemit Komunist në Shqipëri. Gjatë mbledhjes së djeshme të Këshillit të Ministrave Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se Instituti ka si qëllim kryesor kujtesën e krimeve të tmerrshme gjatë diktaturës komuniste në Shqipëri, të edukojë dhe të ndihmojë shoqërinë në ruajtjen e kujtesës për një nga të këqijat më të mëdha që ajo përjetoi në tërë historinë e saj. Berisha nënvizoi se Instituti ka aspekt akademik-edukativ, me qëllim tërësor edukimin dhe të ndihmojë shoqërinë në ruajtjen e kujtesës për një nga të këqijat më të mëdha që ajo përjetoi në tërë historinë e saj, të një sistemi antikombëtar, antinjerëzor e antidemokratik, që u kushtoi shqiptarëve në kohë moderne një çmim të jashtëzakonshëm në jetë dhe dinjitet njerëzor. “Në thellësitë e ndërgjegjes së një shoqërie nuk është e thjeshtë të operohet, por duhet të përpiqesh të ndihmosh e të ndikosh për një vetëdije më të kthjellët. Në asnjë rast ne nuk kemi zgjedhur as hakmarrjen, sepse nuk do të ishte gjë tjetër veçse përsëritje e asaj që ka ndodhur, por është e vërtetë se nuk kemi zgjedhur as drejtësinë. Ka vende që kanë zgjedhur drejtësinë, por ne jo”, - tha Berisha. Sipas tij, qeveria shqiptare me ligjin për lustracionin dhe me të gjitha ligjet e vendimet e tjera që do të ndërmerren ka zgjedhur më së shumti një kufizim të përkohshëm për një grup të caktuar të të drejtave të tyre, por krejtësisht të përkohshëm. Kryeministri Berisha ka deklaruar se përmes këtij projektligji i propozohet Parlamentit ngitja e një obelisku në nderim të viktimave të sistemit komunist. Ai ka urdhëruar ministrin e Kulturës Ylli Pango që të hapë konkursin ndërkombëtar për përzgjedhjen e arkitektëve më të njohur evropianë e botërorë për ngritjen e obeliskut, i cili, sipas kreut të qeverisë, do të vendoset para piramidës së ish-diktatorit. “Ministria e Kulturës do të hapë një konkurs ndërkombëtar për ngritjen e një obelisku për mijëra e mijëra qytetarë shqiptarë: burra, gra, fëmijë, intelektualë, punëtorë, fshatarë, të rinj, të moshuar, të cilët u martirizuan për këtë liri që ne gëzojmë sot. Ata nuk qenë qytetarët që u konfirmuan, por që qëndruan dhe në mënyrën e tyre dëshmuan rezistencën ndaj regjimit. Ndaj një obelisk madhështor do të ngrihet për t’i nderuar ata dhe duhet të jetë vepër e arkitektëve më të njohur të Evropës e botës”, - deklaroi Berisha. Po ashtu shefi i ekzekutivit ka deklaruar se përveç ngritjes së obeliskut do të ndërtohet edhe një muze në kujtim të viktimave të diktaturës. Sipas tij, një muze i tillë do të ndihmojë shoqërinë shqiptare të memorizojë dramën e madhe që përjetoi. Duke iu drejtuar po ministrit të Kulturës, Berisha urdhëroi që në ambientet e muzeut Historik Kombëtar të organizohet më 20 shkurt një ekspozitë me temë dhunën komuniste në Shqipëri. Hapja e kësaj ekspozite më 20 shkurt nuk u zgjodh më kot. Berisha deklaroi se 20 shkurti do të përcaktohet si dita e nderimit të viktimave të regjimit komunist. Sipas tij, ka pasur propozime për data të ndryshme nga shoqata e organizata të ndryshme. Ai e cilësoi 20 shkurtin edhe si ditën që e bëri Shqipërinë me opozitën e vërtetë.

Instituti i Studimit

Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Sistemit Komunist do të ketë detyra të përcaktuara qartë në ligj. Projektligji saktëson organizimin dhe funksionimin e këtij institucioni. Për kreun e qeverisë Instituti ka si qëllim tërësor edukimin dhe të ndihmojë shoqërinë në ruajtjen e kujtesës për një nga të këqijat më të mëdha që ajo përjetoi në tërë historinë e saj, të një sistemi antikombëtar.

Obelisk dhe muze

Pranë godinës ku më parë ishin ekspozuar gjithçka që i përkiste diktatorit Enver Hoxha, e njohur si piramida, do të ndërtohet një obelisk në nderim të viktimave të regjimit totalitar. Për ngritjen e tij do të hapet një konkurs ndërkombëtar për përzgjedhjen e arkitektëve më të njohur evropianë e botërorë. Gjithashtu për kujtimin e viktimave të diktaturës komuniste do të ndërtohet edhe një muze.

Dita e kujtesës

Data 20 shkurt do të shpallet si dita e nderimit të viktimave të regjimit komunist. Kryeministri Berisha, duke paraqitur këtë iniciativë në mbledhjen e qeverisë, tha se 20 shkurti është dita e ngadhënjimit të kurajës për të përmbysur realisht bustet e gjalla e të vdekura të diktaturës. “Kjo është data e ngadhënjimit të atyre që patën kurajën të përmbysin realisht bustet e gjalla e të vdekura të diktaturës”, - tha ai.

Detyrat kryesore të Institutit:

- Studion dhe vlerëson objektivisht periudhën e regjimit komunist. Identifikon aktet ligjore e nënligjore, sekrete dhe josekrete, të përgatitura apo të miratuara nga të gjitha institucionet, organet dhe autoritetet shtetërore dhe kushtetuese, të cilat kanë shërbyer si bazë e organizimit dhe funksionimit të të gjithë aparatit represiv të sistemit komunist.

- Studion dhe vlerëson objektivisht ndërtimin dhe organizimin institucional, si dhe veprimtarinë antidemokratike dhe kriminale të strukturave shtetërore të regjimit komunist, veçanërisht të organeve dhe strukturave të sigurisë së shtetit.

- Analizon shkaqet dhe rrugët e vendosjes së regjimit komunist, dokumente që vërtetojnë përfshirjen e personave shqiptarë, por edhe të huaj, që mbështetën ardhjen e këtij regjimi dhe të atyre që bënë rezistencë kundër tij në rrafshin historik.

- Grumbullon të dhëna, dokumente dhe dëshmi që i shërbejnë ndriçimit të veprimtarisë së organeve e strukturave të sigurisë së shtetit, të formave të persekutimit dhe formave të rezistencës kundër tyre, si dhe të gjitha veprimtarive që kanë çuar në dhunimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut në vitet e regjimit komunist.

- Evidenton personat që kanë qenë pjesë e organeve apo autoriteteve vendimmarrëse përgjegjëse për propagandën komuniste, për aktet administrative dhe vendimet që kanë çuar direkt ose indirekt në veprime represive në jetën sociale dhe kulturore, përfshirë këtu luftën e klasave, kolektivizimin, luftën kundër fesë, izolimin nga Perëndimi, pamundësinë për t’u informuar, censurën e artit, kulturës, shkencës, si dhe kufizimin e furnizimit me ushqime, kartave të ushqimit, urisë së krijuar dhe pasojave të saj.

- Të informojë publikun mbi krimet e rrjedhojat e tjera të luftës së klasave, të sistemojë dhe botojë kujtime e memorie të të dënuarve politikë në burgje dhe kampet e përqendrimit, të përpunojë në formë elektronike të gjithë dokumentacionin dhe krimet e regjimit komunist.

- Të publikojë e të përhapë materiale të shkruara në letër e rrugë elektronike, si dhe organizon ekspozita, seminare, konferenca e diskutime mbi krimet e komunizmit dhe pasojat e tij në Shqipëri.

- Bashkëpunon me institucionet kërkimore, kulturore, arsimore dhe institucione të tjera, me qëllim shkëmbimin e informacionit dhe përvojës lidhur me objektin e punës së tij.

- Bashkëpunon me institucionet përgjegjëse të arsimit për përfshirjen në planet dhe programet mësimore të shkollave të të gjitha niveleve e një informacioni të mjaftueshëm mbi krimet e komunizmit dhe pasojat e tij në Shqipëri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›