E Diel, 1 Nëntor 2026

Telefonatat me ministrat, Topallin, SMS-të nga qytetarët

Situata e rënduar e përmbytjeve në veri të vendit, përveçse ka angazhuar në mënyrë të plotë shumë institucione të vendit, ka sjellë edhe një mobilizim total dhe një rend të ri pune edhe për Kryeministrin Berisha. Burime pranë kreut të qeverisë bëjnë të ditur se java e cila po mbyllet tashmë ka qenë tepër intensive për Berishën. Kjo nisur nga fluksi i shtuar i lëvizjeve në veri të vendit, mbledhjeve të jashtëzakonshme, informimi i vazhdueshëm për situatën, kontaktet e shpeshta nëpërmjet telefonit brenda dhe jashtë vendit, si dhe takimet me persona kompetentë për problematikën e krijuar në veri.
Kryeministri Berisha ka preferuar të jetë pjesë e çdo hallke, e cila lidhet me normalizimin e situatës së krijuar në zonën e Shkodrës, si rezultat i përmbytjeve. Nisur nga kjo, puna e tij ka nisur më herët se orari zyrtar dhe dalja nga zyra ka ndodhur vetëm pas mesnatës. Kontaktet e tij telefonike me ministrat që janë caktuar si pjesë e komisionit të emergjencës janë zhvilluar minutë pas minute. Si rezultat i problematikës mësohet se bisedat e Kryeministrit Berisha këtë javë kanë qenë më të shpeshta me ministrin e Energjetikës, Dritan Prifti, por edhe me atë të Punëve të Brendshme, Lulëzim Basha.
Telefoni Kryeministri ka kryer edhe rolin e ndërlidhësit mes qytetarëve dhe autoriteteve të vendosur në zonë. Avantazh për këtë ka përbërë edhe publikimi i numrit të tij celular kohë më parë
Të shumta në numër janë edhe telefonatat e kryera mes tij dhe Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila si deputete e Shkodrës e ka ndjekur situatën në vendngjarje në çdo hap të saj. Por telefonatat e Berishës, për ndjekjen e përmbytjeve, nuk janë kufizuar vetëm te drejtuesit e lartë. Kryeministri ka kryer edhe rolin e ndërlidhësit mes qytetarëve dhe autoriteteve të vendosura në zonë. Avantazh për këtë ka përbërë edhe publikimi i numrit të tij celular kohë më parë. “Dikush më dërgoi një mesazh nga Italia, ku më njoftonte se i kishte mbetur familja në fshatin Shtirgj. Unë u lidha me autoritetet vendore dhe më thanë se ia kishin nxjerrë nga fshati familjen”, tregoi Berisha, dje për mediat nga Shkodra.
Nga ana tjetër, Berisha ka shfrytëzuar edhe njohjet e tij personale me krerë të shteteve të ndryshme për të kërkuar ndihmë në mënyrë të drejtpërdrejtë për situatën e krijuar në vend. I tillë ishte edhe rasti kur Kryeministri italian, Silvio Berluskoni, pas kërkesës së Berishës për asistencë, ndërpreu qëndrimin në SHBA të këshilltarit të tij për energjetikën, për të ardhur në Shqipëri, në mënyrë që të jepte kontributin e tij për situatën. Po kështu, Berisha ka pasur edhe takime të shumta me specialistë shqiptarë për çështjet energjetike, duke kërkuar ide dhe ndihmë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›