E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendi që mori presidencën e radhës së Bashkimit Europian

Zëvendëskryeministri, njëkohësisht ministri i Jashtëm, Ilir Meta, ka vijuar ditën e djeshme takimet me diplomatët e Bashkimit Europian në vendin tonë. Kështu, Meta zhvilloi një takim të përbashkët me ambasadorin e Spanjës, Manuel Montobio, dhe atë të Komisionit Europian, Helmut Lohan. Aty u bisedua në lidhje me prioritet e presidencës spanjolle të BE-së për vendin tonë. Nisur nga kryesimi i Spanjës në BE, ambasadorët Montobio dhe Lohan e informuan ministrin e Jashtëm, Meta, edhe mbi ndryshimet e reja strukturore të Bashkimit Europian pas hyrjes në fuqi të Traktatit të Lisbonës, si dhe për vendosjen e kanaleve të komunikimit gjatë periudhës gjashtëmujore të presidencës spanjolle.
Ambasadorët Montobio dhe Lohan e siguruan kryediplomatin Meta për mbështetjen e plotë të Bashkimit Europian në realizimin e këtyre objektivave
Pasi u informua nga ambasadorët, nga ana e tij Meta i siguroi diplomatët për një bashkëpunim të hapur, të ngushtë dhe konstruktiv nga ana e qeverisë shqiptare. Sipas Metës, qeveria do të vazhdojë të ndjekë me prioritet tri sfidat imediate të integrimit të vendit, që janë plotësimi në kohë i pyetësorit të KE-së, mbyllja e etapave të fundit për liberalizimin e vizave dhe zbatimi i rekomandimeve të progres-raportit të fundit të Bashkimit Europian.
Zëvendëskryeministri theksoi se qeveria shqiptare është tërësisht e angazhuar dhe se integrimi është prioriteti i saj kryesor. Nga ana e tyre, ambasadorët Montobio dhe Lohan e siguruan kryediplomatin Meta për mbështetjen e plotë të Bashkimit Europian në realizimin e këtyre objektivave madhore për Shqipërinë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›