E Shtunë, 31 Tetor 2026

Olldashi: Bashkia e Tiranës, përgjegjëse për mungesën e ujit në kryeqytet



Nëse kryeqytetasve iu mungon uji i pijshëm, përgjegjësia ka vetëm një emër, që është Bashkia e Tiranës. Kështu ka deklaruar në konferencën “Standardet e Performancës për Kompanitë e Ujit, Ekuilibri Midis të Mundshmes dhe Përputhshmërisë”, ministri Olldashi. Po ashtu, ministri vuri theksin se nëse Shqipëria kërkon të përfitojë nga fondet e investimeve kapitale të Komunitetit Evropian, duhet të përmbushë standardet e KE-së

Problemet e ujit të pijshëm në Shqipëri janë të shumta dhe për shumicën prej tyre qeveria po përpiqet të japë zgjidhje afatgjatë, duke bashkëpunuar edhe me Komunitetin Evropian dhe duke thithur fonde prej tyre. Por në shumë raste problemet vijnë nga keqmenaxhimi, ashtu siç ndodh me Bashkinë e Tiranës. Në konferencën “Standardet e Performancës për Kompanitë e Ujit, Ekuilibri Midis të Mundshmes dhe Përputhshmërisë”, ministri Olldashi deklaroi dje se nuk është i vërtetë pretendimi i Bashkisë së Tiranës për bilancin e rënduar të Ndërmarrjes së Ujësjellësit Tiranë, pasi është ndërmarrja me bilancin më pozitiv financiar dhe me një fitim të qartë neto. “I vetmi problem real që ka ndërmarrja sot, është në fakt i shkaktuar nga vetë bashkia dhe nga mungesa e frikshme e planifikimit të qytetit që e ka përçudnuar Tiranën përgjatë dekadës së fundit dhe që e ka vënë Ndërmarrjen e Ujësjellësit në pamundësi për të shërbyer në zonat skajore të qytetit.

Kjo është një situatë që duhet të zgjidhet njëherë e mirë dhe ligjërisht duhet që Bashkia e Tiranës të kuptojë që misioni i vet nuk janë vetëm lejet e ndërtimit, por mbi të gjitha shërbimet ndaj nevojave bazike të çdo qytetari të Tiranës”, - ka vënë theksin ministri Olldashi. Një tjetër shqetësim që ngriti ministri Olldashi në fjalën e tij në këtë konferencë, ishte sektori i shërbimit të ujësjellësit dhe kanalizimeve, që aktualisht është i subvencionuar nga qeveria qendrore, që duhet të jetë i financuar nga tarifa të cilën ai i faturon dhe mbledh nga konsumatorët e këtyre shërbimeve. Sipas ministrit Olldashi, kjo është totalisht në përputhje me principin e KE-së, që thotë që “përdoruesi paguan për shërbimet”. “Kjo çështje e cila zakonisht i referohet arritjes së “qëndrueshmërisë financiare”, ose “mbulimit të plotë të kostove operative”, merr një rëndësi të veçantë. Nëse Shqipëria dëshiron të përfitojë nga fondet e investimeve kapitale të Komunitetit Evropian është e nevojshme të përmbushë standardet e KE-së. Qeveria shqiptare është e vetëdijshme në lidhje me burimet e saj financiare të kufizuara për të afruar procesin e hyrjes në Komunitetin Evropian dhe për domosdoshmërinë e përmbushjes së të gjitha direktivave të KE-së”, - ka nënvizuar ministri Olldashi. Ai tha se kjo kërkon një ndryshim që në konceptimin fillestar të sistemeve të furnizimit me ujë, veçanërisht në zonat e mëdha urbane, por jo vetëm këtu. Nga ana tjetër, ai tha se shpesh në projektet që paraqiten pranë Ministrisë së Punëve Publike, pranë Drejtorisë së Ujësjellës-Kanalizimeve për financim hasen zgjidhje të ditës, pra zgjidhje që na japin një kapërcim të situatës së sotme, por që nuk japin një zgjidhje afatgjatë dhe të menduar mirë edhe në funksion të kostove. Ndaj ai kërkoi projekte që japin zgjidhje afatgjatë dhe zgjidhin problemin për banorët që kërkojnë të furnizohen normalisht me ujë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›