E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria e Bujqësisë: Si po kthehet në normalitet toka në zonat e përmbytura

Miliona lekë po investohen nga Ministria e Bujqësisë për rehabilitimin e hidrovoreve dhe një sërë masash janë marrë për kullimin e tokave që u përmbytën në zonën e Shkodrës. Sipas burimeve zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorëve, menjëherë pas uljes së nivelit të ujit në lumin Bunë dhe në zonat e përmbytura, stafet teknike të MBUMK-së dhe Bordit të Kullimit Shkodër kanë inspektuar të gjithë infrastrukturën e kullimit dhe mbrojtjen nga përmbytja për evidentimin e dëmtimeve dhe marrjen e masave për rikthimin në gjendjen e mëparshme. Nga inspektimi teknik kanë rezultuar dëmtime të pjesshme në argjinaturat e lumit Buna, kryesisht në Dajç, Samrisht, Daragjat, si dhe është dëmtuar argjinatura e Çasit me pasojë përmbytjen e hidrovorit të Çasit. Për kthimin në normalitet të infrastrukturës së kullimit dhe mbrojtjes nga përmbytja po realizohen disa ndërhyrje në zona të ndryshme. Kështu, po riparohen dëmtimet në argjinaturat e lumit Buna, kryesisht në Dajç, Samrisht, Daragjat etj. Ka filluar riparimi i argjinaturës së Çasit në segmentin më të dëmtuar të saj në rreth 500 metër për bllokimin e shpejtë të kalimit të ujit nga këneta e Domit, në tokën bujqësore të Çasit. Kjo do të mundësojë edhe futjen në punë të hidrovorit të Çasit. Vlera e kësaj ndërhyrjeje është rreth 20 milionë lekë. Po punohet në hidrovorin e Çasit, për pastrimin e tij dhe sjelljen në kushte teknike të pajisjeve elektrike dhe elektro-pompave. Vlera e punimeve për hidrovorin e Çasit është 3 milionë lekë. Gjithashtu po shikohet mundësia e instalimit të disa motopompave me kapacitet të madh tek hidrovori i Çasit, për të mundësuar largimin më të shpejtë të ujërave, që kanë përmbytur 1.500 ha tokë bujqësore. Po punohet për hapjen e grykës së Vilunit, si dhe pastrimin e disa nyjeve kryesore të shkarkimit të ujërave në kanalin e Mertemzës me ekskavatorët e Bordit të Kullimit Shkodër, si dhe po shikohet mundësia e futjes në punë edhe të 4 ekskavatorëve të tjerë, si dhe 2 dragave, në varësi me rënien e nivelit të ujit. Në kuadrin e ndërhyrjeve me afatgjata do të bëhen modifikime në buxhetin e vitit 2010, për të financuar disa ndërhyrje të tjera prioritare në argjinatura dhe kolektorë kullues në zonën e Nënshkodrës.
Po kështu, në konferencën e donatorëve do të paraqiten edhe një sërë projektesh të tjera, që synojnë zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjata të mbrojtjes nga përmbytja.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›