Bushati: Raporterët përgënjeshtruan kryeministrin
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, u takua dje me dy raporterët e Këshillit të Europës, Jako Lakson dhe David Wilshire, të cilët prej disa ditësh ndodhen në Tiranë në misionin e radhës faktmbledhës, në kuadër të përgatitjes së raportit që Asambleja Parlamentare e Europës pritet të nxjerrë për Shqipërinë. Kryetari i PS-së, Edi Rama, ka qenë në takim së bashku me dy deputetët Ditmir Bushati dhe Eduart Shalsi. Pas takimit ka qenë deputeti socialist Ditmir Bushati, i cili është shprehur për gazetarët: “Ne patëm mundësinë sot të shkëmbenim pikëpamjet dhe informacionin rreth situatës politike në Shqipëri me raporterët e Këshillit të Europës. Gjatë këtij takimi ata u informuan në detaje mbi qëndrimin e opozitës ndaj zhvillimeve të fundit politike në vend. Gjithashtu me shumë kënaqësi na konfirmuan që të gjitha njoftimet që janë bërë nga zyra e shtypit e Kryeministrit dhe e Kuvendit, sikur gjoja ata kanë deklaruar për qëndrimin e tyre ndaj opozitës shqiptare, janë fakte absolutisht të pavërteta. Qëndrimi i tyre do të bëhet publik në raportin që ata do të publikojnë për Shqipërinë, të cilin ne e mirëkuptojmë se do të jetë një raport konkret dhe do t’i shërbejë demokratizimit të mëtejshëm të jetës së vendit”, tha deputeti socialist. Sipas Bushatit, “ka disa elemente që ne i përmendëm më me prioritet, siç janë çështjet e zgjedhjeve politike në Shqipëri, lirisë së medias dhe konfliktet e fundit që ka shkaktuar ekzekutivi me pushtetin vendor dhe me gjyqësorin në Shqipëri”. “Raporterët janë këtu për të dëgjuar zërin e aktorëve të ndryshëm politikë dhe zërin e aktorëve të ndryshëm të jetës publike në Shqipëri, që mund të jetë media apo shoqëria civile. Qëndrimi i tyre do të jetë në raportin që do të prodhojnë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës”, u shpreh deputeti socialist.