Televizioni grek ERT1, një dokumentar për Blushin
Mediat greke vazhdojnë t’i bëjnë jehonë romanit të shkrimtarit dhe politikanit shqiptar Ben Blushi. Pak ditë pas prezantimit të tij të parë te lexuesi grek, Blushi është bërë një nga shkrimtarët më të admirueshëm në shtetin grek, pas Ismail Kadaresë. Ishte shtëpia botuese greke “Kastaniotis”, e cila disa ditë më parë prezantoi botimin në greqisht të romanit “Te jetosh në ishull”. Librin e prezantoi Niko Papandreu, shkrimtar dhe njëkohësisht vëllai i Kryeministrit të sotëm grek. Jo vetëm mediat, por edhe kanali shtetëror televiziv ERT1 i ka kushtuar një vëmendje të veçantë kësaj ngjarjeje. I ka kushtuar një dokumentar të titulluar “Antenat e epokës sonë”, ku pasqyrohet veprimtaria e Ben Blushit, duke e cilësuar si ndër përfaqësuesit e vetëm të asaj pjese të Shqipërisë, që të presë urat me të shkuarën e izolimit, por dhe të tanishmes me varfërinë, korrupsionin dhe emigracionin masiv. Gazeta më e madhe në vend “Eleftherotipia”, duke folur për dokumentarin e kanalit shtetëror ERT1, e ka titulluar “rastin Blushi” si “Lidhjet e Literaturës me Politikën”. Mësohet se gazetarët e dokumentarit, Mikela Hartulari dhe Adeo Hrisostomidhi u takuan në shtëpinë e politikanit të njohur Ben Blushi, në Tiranë. Dhe bashkë me të vizituan dhe qytetin e Vlorës, vendin ku shkrimtari vendos ngjarjet e romanit të tij të fundit, “Otello, Arapi i Vlorës”. Në këtë emision Ben Blushi diskuton gjithë çfarë ka shtjelluar në romanet e tij dhe arsyet që detyruan shqiptarët të ishin shërbëtorë të pushtuesit turk, por edhe për Shqipërinë e sotme dhe emigracionin shqiptar në Greqi. Ndër të tjera, Blushi flet në dokumentarin grek edhe për marrëdhëniet shqiptaro-greke, dhe lidhjet e literaturës me politikën. Natyrisht që dokumentari përqendrohej në romanin që iu prezantua lexuesit grek dhe që provokoi ndjeshëm debatin “luftarak”, që nuk e kishte sjellë asnjë libër, që nga rënia e regjimit të diktatorit Hoxha.
Një libër, që sipas dokumentarit dhe gazetës greke shënoi një numër rekord në historinë e shitjeve në tregun e librarisë shqiptare.
Marko Caka