ESI: Shqipëria, pa viza në tetor
BLEDAR HOTI
Udhëtimi pa viza për shqiptarët mund të realizohet në muajin tetor të vitit 2010. Ky është vlerësimi që jep shoqata “Iniciativa Evropiane për Stabilitet (ESI)”, duke u bazuar në të dhënat e raportit të KE-së për plotësimin e kushteve të Shqipërisë, të parashikuara nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave. Më 19 prill 2010, Komisioni Evropian publikoi vlerësimin e tij të detajuar të progresit të Shqipërisë dhe Bosnje-Hercegovinës në lidhje me kushtet e programit të vizave. Kjo do të hapë dyert për qytetarët e dy vendeve të udhëtojnë pa viza në Bashkimin Evropian përpara fundit të vitit 2010. Mesazhi i raportit për të dyja vendet është inkurajues. Shqipëria dhe Bosnja kanë bërë përparim të shquar në vitin e kaluar. Vlerësimi i pikëve të ESI-së është bazuar në një analizë të vlerësimeve të Komisionit dhe tregon se sot Shqipëria dhe Bosnja i kanë përmbushur më mirë kushtet e kërkuara në udhëzuesin e Komisionit mbi heqjen e vizave, sesa kishin bërë Mali i Zi dhe Serbia në të njëjtën kohë rreth një vit më parë. Mbi bazën e këtij raporti me marrjen e dritës jeshile nga Komisioni, Parlamenti Evropian mund të përgatisë vendimin përpara pushimeve të gushtit, për ta diskutuar në komisionet përkatëse (Komisioni i Brendshëm – LIBE dhe Komisioni i Jashtëm – AFET) dhe miratuar në sesionin plenar gjatë muajit shtator 2010. “Këshilli i Ministrave të Brendshëm dhe Drejtësisë mund ta marrë vendimin me shumë gjasë gjatë takimit të datës 7,8 tetor 2010. Kjo do të bëjë të mundur që regjimi i liberalizuar i vizave për Shqipërinë të bëhet realitet pas botimit në Fletoren Zyrtare të BE-së, në fund të muajit tetor 2010”, thuhet në raport. Sipas tij, Shqipëria dhe Bosnja mund t’i plotësojnë kushtet e pazgjidhura brenda një periudhe të shkurtër kohore, nëse ato përqendrohen dhe punojnë për këtë, kjo do t’i lejojë Komisionit për të vlerësuar nga korriku, se ka pasur përparim të mjaftueshëm. Kjo nga ana tjetër do të bëjë të mundur që Parlamenti Evropian, i cili është bërë një bashkë-vendimmarrës sipas Traktatit të Lisbonës, të përgatitë një vendim përpara pushimeve të verës në gusht. Deputetët më pas mund të votojnë në komisionet përgjegjëse dhe në një seancë plenare në shtator.
Procedurat dhe afatet për liberalizimin e vizave
Shqipëria dhe Bosnja mund t’i plotësojë kushtet e pazgjidhura brenda një periudhe të shkurtër kohore, nëse ato përqendrohen dhe punojnë për këtë.
• Kjo do t’i lejojë Komisionit për të vlerësuar nga korriku, se ka pasur përparim të mjaftueshëm.
• Kjo nga ana tjetër do të bëjë të mundur që Parlamenti Evropian, i cili është bërë një bashkë-vendimmarrës sipas Traktatit të Lisbonës, të përgatitë një vendim përpara pushimeve të verës në gusht.
• Eurodeputetët më pas mund të votojnë në komisionet përgjegjëse dhe në një seancë plenare në shtator.
• Drejtësia dhe çështjet e Brendshme të Këshillit, mbledhjet e të cilit gjatë presidencës belge janë caktuar për në 7,8 tetor, 8,8 nëntor dhe 2,4 dhjetor 2010, mund të ndërmarrin votimin përfundimtar në 7,8 tetor.
• Në këtë rast, udhëtimi pa viza mund të bëhet një realitet për shqiptarët dhe boshnjakët në fund të tetorit, 20 ditë pasi votimi përfundimtar është marrë, pas publikimit të vendimit në gazetën zyrtare të BE-së.