E Diel, 1 Nëntor 2026

Elbasani, “ëndrra” kushton 1 milion euro



Elbasani (vendi i 8-të, 24 pikë) bëri shtatë blerje në merkaton dimërore (Dede, Pema, Qorri, Kuçi, Hallaçi, Karchev, Meglenski), një shumë, që së bashku dhe me shpenzimet e merkatos verore, gazeta prestigjioze sportive “Panorama Sport” e llogarit në 1 milion euro. Blerje që ende nuk e kanë dhënë plotësisht efektin e tyre, kur në tri ndeshjet e para të vitit 2009, Elbasani ka mundur të marrë një fitore me Teutën (1-2), një barazim me Vllazninë (0-0) dhe një humbje me Lushnjën (1-0). Në total, në 20 javët e luajtura, 2 herë kampionët e Shqipërisë kanë koleksionuar vetëm 5 fitore (9 barazime, 6 humbje, 24 pikë në total, vendi i 8-të). Trajneri Mirel Josa (19 ndeshje; 5 fitore, 8 barazime, 6 humbje, 23 pikë) i ka lënë vendin Faruk Sejdinit (1 ndeshje, 1 barazim me Vllazninë 0-0). Ndërsa titulli kampion është thjesht një ëndërr në sirtar (Elbasani ndodhet 16 pikë larg Tiranës, me të cilën do të përballet në javën e 21-të), kupa e Shqipërisë mbetet e vetmja mundësi për të “justifikuar” mega-shpenzimet e dyshes Laze-Sejdini. Në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë, Elbasani do të kalojë nga Tirana (pikërisht ndoshta për këtë arsye presidenti i Vllaznisë, Fushaj, akuzoi kryebashkiakun Sejdini se Elbasani po favorizon Tiranën) dhe nëse verdheblutë do të eliminoheshin në këtë fazë, atëherë “fatura 1 milion euro” do të rëndonte shumë.

Vllaznia, nga akuzat te besimi për titull

Vetëm katër pikë në katër ndeshjet e fundit (1 fitore, 1 barazim, 2 humbje), vendi i dytë (38 pikë, 20 javë) pas 11 javësh kryesim, duke qenë një pikë larg Tiranës (39), kur kanë mbetur edhe dy ndeshje nga përfundimi i fazës së dytë.
Vllaznia e trajnerit Agim Canaj (një ndër tre të mbijetuarit në Superligë së bashku me Sulejman Starovën te Teuta e Gugash Maganin te Shkumbini) po përjeton një moment zhgënjimi, pavarësisht se ish-tekniku i Dinamos e cilësoi ndeshjen kundër Elbasanit (0-0) si një nga ndeshjet më të mira në pjesën e dytë të sezonit (1 F, 1B, 1H).
“Nuk ia dolëm të merrnim tri pikët edhe për meritë të Elbasanit. Në pjesën e dytë ishim më pranë fitores, por në fazën përmbyllëse ekipi nuk funksionoi ashtu siç duhet”, - deklaroi Canaj. Gjithsesi, në Shkodër as që e mendojnë shkarkimin e Agim Canajt, edhe pse në katër javët e fundit ka humbur me Dinamon e Shkumbinin, duke besuar se vlonjati është njeriu i duhur për të sjellë titullin kampion që do të përkonte edhe me 90-vjetorin e klubit më të vjetër në Shqipëri.
Vetë presidenti i Vllaznisë (9 herë kampione, 6 herë fituese e Kupës së Shqipërisë), Valter Fushaj, edhe pse skuadra e tij ka humbur 8 pikë në raport me Tiranën në pesë javët e fundit (në javën e 16-të Vllaznia kryesonte me 34 pikë, kundrejt 27 të Tiranës), nuk e ka humbur besimin te ringjitja e shkodranëve. Vllaznia pret në javën e 21-të Lushnjën në Shkodër, ndërsa Tirana e vendit të parë pret Elbasanin në kryeqytet.
Gjatë ndeshjes së Vllaznisë kundër Elbasanit, Fushaj, i ndodhur në tribunën “VIP” së bashku me kryetarin e Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, i lëshoi një batutë Sejdinit, se Elbasani po favorizonte Tiranën, fakt që Fushaj e pranoi edhe gjatë një interviste të dhënë për gazetën “Sport Ekspres”.
Në lojë janë dhe 39 pikë dhe Vllaznia është e bindur se ka shanse të mëdha për të fituar titullin e 10-të, që i mungon qysh nga sezoni 2000-2001 (17 fitore, 5 barazime, 4 humbje, 56 pikë), kur e fitoi kampionatin duke pasur në bankinë malaziasin Dervish Haxhiosmanoviç, i vetmi trajner i huaj që ka mundur të fitojë kampionatin dhe Kupën e Shqipërisë në vendin tonë.

Emanuel Ampofo nuk bind Vllazninë

Edhe pse Emanuel Ampofo mbërriti te Vllaznia me rekomandimin e Xhejms Boadu (3 gola këtë sezon me kuqeblutë), duket se ganezi i ri do t’i japë fund aventurës së tij te klubi më i vjetër në Shqipëri. Sulmuesi 22-vjeçar Ampofo, i cili prej dy javësh ka qenë nën “lupën” e trajnerit Agim Canaj, nuk ka bindur shumë me cilësitë e tij për të qenë pjesë e 9 herë kampionëve të Shqipërisë. Vllaznia ka në vijën e parë 3 herë golashënuesin e Shqipërisë, Vioresin Sinani (9 gola këtë sezon) dhe sulmuesin e Kombëtares A, Xhevaik Sulaj, (3 gola këtë sezon, tripletë kundër Besës). Sipas drejtuesve të Vllaznisë, Ampofo nuk është në gjendje të rivalizojë Sinanin e Sukajn dhe pritet që në fund të kësaj jave të fluturojë drejt Ganës.

Tirana, sulmi arma më e fortë

Për herë të fundit Tirana kryesonte në javën e 12-të (23 pikë, Vllaznia e dyta me 22 pikë, në atë javë Tirana-Vllaznia 1-1). Tashmë, pas përfundimit të javës së 20-të, Tirana u ringjit prapë e para, me 39 pikë, sërish një më shumë se Vllaznia (38 pikë). Tirana (11 fitore, 6 barazime, 3 humbje) ka sulmin më të mirë të kampionatit: 34 gola, 22 të shënuar në shtëpi (më i miri), 12 në transfertë (po aq sa Vllaznia). Dy sulmuesit e saj, Migen Memelli (28 vjeç, 17 ndeshje, 13 gola) e Daniel Xhafaj (31 vjeç, 16 ndeshje, 6 gola), së bashku kanë shënuar 19 nga 34 golat e bardhebluve. Nga 20 ndeshjet e zhvilluara deri tani, vetëm në 5 prej tyre Tirana nuk ka shënuar gol (kundër Vllaznisë, Bylisit, Shkumbinit, Elbasanit në fazën e parë dhe Flamurtarit në fazën e dytë). Tirana ka dhe numrin më të madh të golave të shënuar gjatë këtij sezoni një ndeshje të vetme: 6-2 kundër Bylisit (tripletë e Memellit), ndërsa ka fituar 4-2 kundër Dinamos (dopjetë e Memellit). 3-0 ka fituar kundër Flamurtarit (tripletë e Memellit) dhe 3-1 kundër Apolonisë (dopjetë e Xhafës, Lila).

18 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›