Teliti: Jemi në garë kush është kundër Ramës. Basha: Duhet të jeni bashkë, jo në garë

Këshilltari për çështjet ekonomike në PD-në e Rithemelimit, Dorian Teliti tha në studion e emisionit “3D” në RTSH se opozita ëshët në garë të hapur se kush do ta kundërshtojë Ramën.
Sipas tij kjo është detyra e opozitës, të kundërshtojë maxhorancën, por argumenti i tij u kundërshtua nga gazetarja Anila Basha e cila tha se ata duhet të jenë të bashkuar në këtë dhe jo të ndarë.
Debati:
Teliti: Ne jemi në betejë të hapur me Edi Ramën. Sot kemi një realitet, nuk ka garë se kush do i bëjë like Ramës, por kush do e kundërshtojë Ramën.
Basha: Edhe ky nuk është sukses që ju keni garë me njëri-tjetrin se kush do kundërshtojë Ramën
Teliti: Kjo është detyra e opozitës të kundërshtojë maxhorancën
Basha: Po ju duhet të jeni bashkë për të kundërshtuar Edi Ramën se njëri gozhdës e tjetri patkoit…
Teliti: Idealja do ishte që opozita të ishte e unifikuar. Por kemi një debat të brendshëm, një grupim prej 47 deputetësh dhe një grupim prej 8 deputetësh. Të dy këto grupime nuk e gjejnë gjuhën me njëri-tjetrin, të dy duan bashkëkryetarin e Reformës Zgjedhore. Në këtë moment shkohet me rregullin demokratik në varësi të peshës që ka secili grup. Nëse ne duam një zgjidhje demokratike, në këto moment është pesha që ka secili prej grupimeve, bëhet përfaqësimi
Basha: Kjo bëhet po pati vullnet, nuk ka vullnet Rama, do zbatojë ligjin, Kushtetutën
Teliti: Është pikërisht në zbatim të kushtetutës dhe rregullores së Kuvendit që sanksionon që kur deputetët shprehen je maxhorancë apo opozitë, bëhet pikërisht për të shprehur këtë realitet dhe sot e kemi këtë realitet. Nga 55 deputetët të opozitës të PD-së, 47 prej tyre janë një grupim
Basha: E thatë këtë se keni mbetur këtu
Teliti: Në momentin që nuk bihet dakord, rregulli i vetëm në demokraci është pesha e secilit grupim. Ne nuk po shpikim as procedura, as precedentë. Ka precedentë për këtë, siç është ndarë historikisht Komisioni i Reformës
/rtsh.al/