TemA TV/ Arvizu: Nëse vota është e lirë, zgjedhësit do vendosin a duhet të ndodhë rotacioni (VIDEO)
Ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu, ka zhvilluar një bashkëbisedim online me qytetarët shqiptarë në faqen e ambasadës në Facebook.
Duke iu përgjigjur pyetjes nëse duhet të ketë rotacion më 23 qershor, Arvizu është shprehur se ajo do të vendoset nga zgjedhësit, por me kushtin që vota të jetë e lirë.
Nëse vota është e lirë dhe e drejtë, siç duhet të jetë, atëherë votuesit do të jenë ata që do të vendosin nëse dhe kur duhet të ndodhë rotacioni, tha ambasadori.
Kurse pyetjes, nëse ia vlen që shqiptarët të shpenzojnë kohë në radhë të gjata për të votuar, ambasadori u përgjigj se ky është detyrim në radhë të parë.
Absolutisht po. Disa njerëz kanë sugjeruar se të gjithë politikanët janë njësoj, pse duhet të zgjedh unë njërin apo tjetrin? Në një demokraci, është detyrimi i qytetarëve të shprehin preferencat e tyre. Kjo është e vetmja mënyrë për të insistuar për llogaridhënie nga udhëheqësit tuaj të zgjedhur, tha ai.
Arvizu denoncoi sërish presionin që është duke u bërë ndaj votuesve.
Unë nuk e vë në dyshim në asnjë moment që po ushtrohet presion ndaj votuesve, dhe nuk e kam fjalën vetëm për njërën palë. Por skemat e atyre që ushtrojnë presion do të kenë sukses vetëm nëse ia dalin që të kanosin votuesit individuale. Pra ju, votuesit, keni fuqinë për të kapërcyer këtë kanosje, pavarësisht kahut nga i cili vjen. Zgjedhja është e juaja, tha ai.
Ambasada amerikane ka informuar ODIHR-in për disa raportime se disa votues janë udhëzuar të fotografojnë votën për të vërtetuar votën e tyre për një parti apo për një tjetër. Sigurisht, nëse kjo është e vërtetë, kjo është kundra të gjithë standardeve ndërkombëtare dhe çdokush që udhëzon të tjerët për ta bërë këtë është një turp për shqiptarët, kudo, vijoi më tej ai.
Lidhur me KQZ-në, ai tha se nuk është kurrë vonë që të gjendet një zgjidhje.
Kemi adresuar çështjen e KQZ-së në mënyrë të vazhdueshme. Nuk është e tepërt te themi se ne besojmë fortësisht që duhet të konstituohet plotësisht. Që kjo të ndodhë, duhet që të dyja palët të bien dakord. Nuk është asnjëherë shumë vonë, tha Arvizu.
Më herët ambasadori amerikan ishte për një vizitë në Bashkinë e Vlorës ku deklaroi se shpreson që këto zgjedhje të jenë të lira dhe të ndershme./b.l