E Diel, 1 Nëntor 2026

TemA TV/ Basha: Në krye të PD-së do mbështetem në vlerat e paçmueshme të Sali Berishës (VIDEO)

bashaaaaaaaLulzim Basha, pas konfirmimit të emërimit të tij në krye të PD-së, ka thënë se për drejtimin e kësaj partie do të mbështetet tek vlerat e Sali Berishës. Ai tha se gara për zgjedhjen e kreut të PD-së ka qenë dinjitoze, ndërkohë që ka falenderuar rivalin e tij, Sokol Olldashi.

Ju falënderoj nga zemra, për besimin e jashtëzakonshëm që më dhatë me votën tuaj, për të marrë përsipër përgjegjësinë e drejtimit të Partisë Demokratike, partisë së vlerave dhe idealeve më të larta në historinë e Shqipërisë, forcës politike të shembjes së komunizmit dhe eleminimit të pasojave të tij, partisë së implementimit të lirive civile, politike dhe ekonomike, partisë së pronës, iniciativës së lirë dhe sipërmarrjes, partisë së integrimit euro-atlantik dhe interesit kombëtar të shqiptarëve, të infrastrukturës rrugore dhe energjitike, të investimeve dhe zhvillimeve strategjike.

Jam thellësisht i vetëdijshëm, se sa përgjegjësi e madhe është të drejtosh një forcë që ka lindur nga lëvizja historike e dhjetorit 1990, të një partie që ka bërë historinë e re të Shqipërisë, që është udhëhequr nga Sali Berisha, që ka pasur në krye të saj që prej fillimit elitën e mendjes, shpirtit dhe kurajos, për ta bërë Shqipërinë të lirë dhe demokratike, si gjithë Evropa, tha Basha.

Falënderoj me respekt dhe mirënjohje secilin prej anëtarëve të familjes tonë të madhe demokrate anembanë vendit, anëtarët, strukturat dhe drejtuesit e saj, për përgjegjshmërinë, përkushtimin dhe vlerat e larta qytetare me të cilat u angazhuan në këtë proces. Në këtë garë, të parën të vërtetë të parimit një anëtar – një votë në Shqipëri, ne demokratët iu dëshmuam sërish bashkëqytetarëve tanë, se jemi përfaqësuesit më të denjë të vlerave, parimeve dhe praktikave të lirisë, demokracisë dhe dinjitetit njerëzor.

Falënderoj Sokol Olldashin, kandidatin tjetër, për kontributin e tij në këtë garë e cila dëshmoi para mbarë shqiptarëve vlerat e patjetërsueshme dhe unike të Partisë Demokratike. Në këtë garë ishim dy kandidatë që shpalosëm vlerat, vizionet dhe vullnetet tona respektive para mijëra anëtarëve, por në fillim, gjatë dhe në përfundim të kësaj gare, ne nuk harrojmë për asnjë çast, se jemi të gjithë demokratë, anëtarë të një familje të madhe, krenarë për identitetin dhe trashëgiminë tonë politike, më të vendosur dhe më të bashkuar se kurrë.

Në projektin tonë të fillimit të ri, Partia Demokratike do të mbështetet fuqishëm tek anëtarët dhe militantët e saj të përkushtuar në vite, do të dëgjojë e respektojë zërin dhe kontributin e çdo anëtari të saj dhe do të lartësojë vlerat e gjithëpërfshirjes dhe bashkëvendimmarrjes në çdo nivel dhe për të gjithë çështjet, në piedestalet statutore dhe praktikave të saj.

Në përpjekjen time për ta drejtuar këtë fillim të ri, unë do të jap gjithçka me përkushtimin më të madh, me vendosmërinë më absolute dhe me përgjegjësinë më të lartë ndaj jush, anëtarëve të Partisë Demokratike. Për këtë do të mbështetem fort tek vizioni, kurajo dhe qëndresa historike e themeluesve, e Azem Hajdarit dhe qëndrestarëve të tjerë, do të mbështetem tek energjia e pamatë e anëtarëve dhe militantëve të paepur, tek përvoja e dhjetëra drejtuesve të Partisë Demokratike, sot dhe ndër vite, do të mbështetem tek pasuria e paçmueshme e vlerave të lidershipit historik të Sali Berishës. Unë do të punoj pa ndarë që Partia Demokratike e lindur nga ëndrrat e të rinjve shqiptarë, të vazhdojë të jetë forca e ëndrrave, shpresave dhe dëshirave të të rinjve shqiptare, gjeneratës së parë të lirisë dhe gjeneratave të tjera. Së bashku me ta kemi fituar ngaherë, së bashku me ta do ti japim krahë fitoreve tona të ardhshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›