Basha dorëzon kandidaturën për kreun e PD: Askush se zëvendëson dot Berishën
Ashtu siç pritej, Lulzim Basha ka dorëzuar gjatë ditës së sotme kandidaturën për kreun e PD-së. Gjatë një konference për shtyp, Basha është shprehur i tronditur për largimin e Berishës nga kreu i PD-së, duke thënë se askush nuk e zëvendëson dot atë.
Një javë me parë nga kjo foltore, Kryetari i Partisë Demokratike, Kryeministri Sali Berisha iu drejtua demokratëve dhe mbarë qytetarëve shqiptarë, me një mesazh të cilin jam i bindur që ju, ashtu si unë, kemi uruar me gjithë shpirt të kish qenë tjetër.
Këto kanë qenë ditë reflektimi të thellë për ne demokratët dhe gjithë mbështetësit tanë, anembanë vendit. Kam parë dhe prekur hidhërimin për humbjen, në sytë dhe duart e qindra mbështetësve tanë të palodhur. Kam dëgjuar dhe ndjerë tronditje, zhgënjim e madje edhe zemërim, për një rezultat të cilin askush prej nesh nuk e përfytyronte, vetëm pak ditë më parë.
Kam ndjerë po kështu, në shtrëngimin e çdo dore, vendosmërinë për tu ringritur, kam lexuar në sytë tuaj forcën për tu përballur me sfidat që na presin dhe kam dëgjuar nga zemrat tuaja, thirrjet për të nisur të gjithë së bashku, plot shpresë, besim dhe energji, një fillim të ri në rrugën drejt rikthimit si mazhorancë!
Sot, familja e madhe e demokratëve duhet të jetë më e bashkuar se kurrë. Tani është momenti që çdo anëtar i saj, çdo demokrat dhe demokrate, të jetë i gatshëm të japë kontributin e vet maksimal për këtë fillim të ri.
Pas një reflektimi të gjatë, pas mijëra mesazheve të anëtarëve dhe militantëve të Partisë Demokratike dhe pas një bisede me Kryeministrin Berisha, jam sot para jush për tju komunikuar një nga vendimet më të vështira dhe të kthjellta të jetës time, vendimin për të kandiduar për kryetar të Partisë Demokratike.
Jam thellësisht i vetëdijshëm se sa përgjegjësi e madhe është të kandidosh për kreun e një partie që ka lindur nga lëvizja historike e dhjetorit 1990, të një partie që ka ndryshuar historinë e Shqipërisë së re, që është udhëhequr nga Sali Berisha, që ka patur në krye të saj që prej fillimit elitën e mendjes, shpirtit dhe kurajos për ta bërë Shqipërinë të lirë dhe demokratike, me gjithë anëtarët dhe mbështetësit e saj, me gjithë popullin shqiptar.
Askush nuk e zëvendëson dot Sali Berishën, ai është lideri ynë historic dhe burim i pashtershëm force, energjie dhe krenarie për çdo demokrat. Ai është më shumë se një simbol, vetë ndërgjegja e Partisë Demokratike, por misioni i lirisë dhe Shqipërisë së zhvilluar evropiane nuk duhet të ndalojë për asnjë moment, tha Basha.
Ai u shpreh se do të mbështetet fort te vizioni, kurajo e paraardhësve, te vendosmëria e Azem Hajdarit dhe tek lidershipi Sali Berisha, për të marrë drejtimin e PD-së.
Dhe në përpjekjen time për ta drejtuar këtë fillim të ri, unë do të mbeshtetem fort tek vizioni, kurajo dhe qëndresa e themeluesve, e Azem Hajdarit dhe qëndrestarëve të tjerë, do të mbështetem tek përvoja e çmuar e dhjetëra drejtuesve të Partisë Demokratike sot dhe ndër vite, do të mbështetem tek lidershipi historik i Sali Berishës, që është një pasuri e paçmueshme për Partinë Demokratike dhe projektin tonë të fillimit të ri.
Partia Demokratike lindi si bartëse e aspiratave të çdo shqiptari për liri, demokraci dhe zhvillim. Lidhja e saj me qytetarët shqiptarë është një lidhje ndërsjelltasi e pagëzuar nga besimi i qytetarëve dhe premtimet e mbajtuara të saj. Unë besoj fort dhe do të punoj që Partia Demokratike, të vazhdojë të jetë Partia e zërit të qytetarëve shqiptarë, përfaqësuesja më e denjë e interesave të tyre.
Në vizionin tim, një vend të posaçëm duhet të ketë zëri i atyre që u përballën dhe sakrifikuan në vite, për të ruajtur të paprekur idealin e lirisë, demokracisë, dinjitetit njerëzor, besimit në Zot dhe paprekshmërinë e pronës dhe në veçanti Partia Demokratike e lindur nga ëndrrat e të rinjve shqiptarë do të vazhdojë të jetë përçuese e ëndrrave dhe dëshirave të të rinjve. Së bashku me ta, kemi fituar ngaherë. Së bashku me ta, do ti japim krahë fitores tonë të ardhshme.
Ne do të ndërtojmë instrumentat dhe forumet e një komunikimi dhe bashkëpunimi të hapur dhe të përhershëm me shoqërinë civile, botën akademike, sipërmarrësit shqiptarë të biznesit të vogël dhe te mesëm dhe gjithë grupet e tjera te interesit. Në vizionin tim, kjo është një vlerë e shtuar dhe garanci për suksesin e projektit tonë të fillimit të ri, u shpreh Basha.
Qëllimi i parë garës së ardhshme për mua është të dalim më të bashkuar dhe më të vendosur. Çdokush qe e sheh kete garë si nje mundësi per te goditur, përbaltur, dhe përçarë, duhet që nga ky moment te llogarisë në kundërshtimin tim të fortë dhe të prerë. Negativizmi nuk ka vend ne kete garë. Sepse ndonëse e rëndësishme, kjo garë nuk është qëllim në vetvete. Qëllimi i madh është ringritja e Partisë Demokratike dhe fitorja e ardhshme, përfundoi ai./b.l