Berisha e ka mllefin me qytetarët: Ishit vend i botës së tretë, u bëra vend të zhvilluar
Berisha thotë se korrupsioni do zhduket kur ta luftojnë vetë qytetarët, ndërsa në mënyrë të tërthortë i akuzoi ata se votuan një njeri që nuk ka thënë asnjë fjalë se si do e luftojë korrupsionin tani që vjen në pushtet
Në fjalimin alla- Kastro të Sali Berishës, për fat i fundit në një mbledhje qeverie, nuk mund të mos vije re gjatë gjithë kohës një mllef të tij ndaj votuesve, atyre që me votë i dhanë goditjen fatale.
Berisha u tha qytetarëve shqiptarë se në vitin 2005 ishin një vend i botës së tretë, madje edhe më keq se të botës së tretë, ndërsa ai për tetë vite bëri realitet projektin Shqipëria, vend i zhvilluar.
Cilido që rikthehet në vitin 2005 do të gjejë se Shqipëria në tërësinë e treguesve ishte një vend i botës së tretë dhe më pak se i botës së tretë. Shqiptarët në atë vit renditeshin në grupin e vendeve me të ardhura të ulëta, me rroga qesharake. Koha kishte ndaluar.
Bashkia e Tiranës ishte shndërruar në lavatriçen kryesore të parave të drogës dhe krimit në Shqipëri e rajon. Çdo vit 1.4 miliard dollarë përfundonin në xhepat e evazorëve dhe kontrabandistëve. Infrastruktura rrugore në Shqipëri ishte ndër më të rrënuarat e planetit. Vitet e shkollimit të shqiptarëve uleshin në mënyrë progresive. Shqipërisë nuk i besonte njeri, tha Berisha.
Më pas kryeministri- që po e lë vendin nën pushtetin e krimit- tha se ata ia dolën të bëjnë Shqipërinë një vend të sigurt.
Ne ia dolëm të shpartallojmë mbi 206 grupe dhe banda, duke e shndërruar Shqipërinë në një vend të sigurt, tha Berisha.
Kryeministri Berisha tha se ata bënë një betejë të ashpër me korrupsionin, duke arritur që në shumë procese të mos ketë fare korrupsion.
Por Berisha tha se luftën ndaj korrupsionit e fitojnë vetë qytetarët.
Lufta ndaj korrupsionit do fitohet vetëm atëherë kur qytetari shqiptar të vendosë që në emër të interesit të fëmijëve të tij, të luftojë me guxim ndaj çdo gjobëvënieje. Ky kusht është vendimtar. Unë i siguroj shqiptarët se sa më shumë ta bëjnë këtë, aq më të mirë do e bëjnë vendin e tyre, aq më të begatë do e bëjnë vendin e tyre, tha Berisha.
E si për tu thënë shqiptarëve se ata nuk e kanë seriozisht luftën ndaj korrupsionit, Berisha tha se ata kanë zgjedhur një njeri që nuk ka thënë asnjë fjalë se si do e luftojë korrupsionin.
Nga kjo sallë dua të shtroj një pyetje për qytetarët se a mund të thonë qoftë dhe një reformë të vetme që kanë dëgjuar nga Edi Rama se si do luftojë ai korrupsionin. Zero! tha Berisha.
Ai vjen e ulet në këtë karrige pasi është akuzuar në mënyrën më të përsëritur si mister 20 përqindëshi, tha Berisha.
Ai ka përzgjedhur me kriterin e dosjeve të korrupsionit pjesën dërrmuese të kabinetit të tij. Ndaj dhe nuk formulon dot para shqiptarëve qoftë dhe dy vendime që do të marrë për të luftuar korrupsionin, tha Berisha.
Kryeministri në largim, Sali Berisha tha se ai e ndërmori projektin e Shqipërisë së zhvilluar në një periudhë të vështirë, të krizës më të thellë ekonomike.
Por ai tha se Shqipëria i mbijetoi krizës dhe nuk ra në recesion.
Berisha numëroi të tjera suksese të qeverisë së tij si ato në arsimin e lartë, në furnizimin me energji të qytetarëve, në krijimin e një rrjeti infrastrukturor prej 10 mijë kilometrash, etj./ep