E Shtunë, 31 Tetor 2026

TemA TV/ Berisha në Klos dhe Burrel: Mezi po pres mandatin e pestë nga ju (VIDEO)

berisha ne klosKryeministri Sali Berisha e ka një nga synimet kryesore qarkun e Dibrës, ku pretendon të marrë mandatin e pestë.

Një ditë përpara mbylljes zyrtare të fushatës, kryeministri Sali Berisha ishte në Klos dhe në Burrel ku kërkoi mandatin e pestë, në këmbim të investimeve dhe pagave më të larta.

Përshëndetjet më të përzemërta, mirënjohjen më të thellë për mbështetjen tuaj. Nderimin tim më të madh për ju, për këtë pritje vëllazërore, ftesën time për çdo matjan edhe matjane, të bashkohemi së bashku me 23 qershor për të bërë Matin një rreth të zhvilluar, për të zhvilluar Matin në lartësinë e ëndrrave të bukura të matjane, për të përfunduar Rrugën e Arbrit, rrugën e Qafë Shtamës, rrugën Klos-Rrëshen, rrugën drejt Macukullit  dhe çdo rrugë në gjithë këtë rreth.

Bashkohuni me ne për të ndërtuar ujësjellësa, kanalizime dhe infrastrukturë moderne, për matjanët kudo që banojnë.

Për të rritur rrogat e ulëta në 350 dollarë, pensionet e ulëta në 150 dollarë, rrogat e mësuesve në 700 dollarë, rrogën mesatare në 700 dollarë, për të dyfishuar pagesën e papunësisë, për të rritur në 50 përqind ndihmën ekonomike për të ecur  drejt mirëqenies. Bashkohuni me ne për të shndërruar pasuritë e mëdha tuaja kromin, ujërat në vlera të vërteta për ju.

Bashkohuni me ne, në udhëtimin tonë fisnik drejt integrimit të vendit në Bashkimin Europiane. Ne u anëtarësuam në NATO, ne hoqëm vizat, ne merituam statusin.

Gjatë muajve që vijnë ne do të marrim statusin do të hapim negociatat me  Bashkimin Europian, ndaj dhe ju ftoj të ecim përpara së bashku. Burimet tuaja të mëdha natyrore do të shndërrohen në vlera për ju, studimet perspektive dëshmojnë rezerva kolosale të kromit në malet e Klosit dhe të Bulqizës, tha Berisha.

Votoni për veten tuaj. Le të votojmë së bashku për një mirëqenie më të madhe për banorët e Klosit dhe të mbarë Shqipërisë. Votoni 44, votoni fitoren. Me votën tuaj qëndron mandati i pestë. E gjithë Shqipëria pret nga ju 5 mandate në Parlament. Iu jap fjalën se do të bëjmë realitet çdo projekt për ju, tha Berisha./ep

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›