TemA TV/ Rama: Do e vendosim Krujën në mbrojtje të posaçme (VIDEO)
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, e ka merak Krujën. Një nga zonat më të bukura në vend është masakruar këto dite dhe Rama e përmend një gjë të tillë shumë shpesh.
Duke folur në një miting elektoral një ditë përpara mbylljes së fushatës, Rama u premtoi krutanëve mbrojtje të veçantë për qytetin e tyre.
Ju jam mirënjohës se në këtë pik vape jeni mbledhur këtu për të na dhënë këtë mbështetje të jashtëzakonshme në këtë qytet të bekuar. Unë dua tiu bëj vetëm një pyetje, a e parafytyroni se çfarë do kishin bërë fqinjët tanë nëse do e kishin këtë pasuri të madhe të historisë, jo vetëm të një vendi, por të historisë evropiane, siç është Kruja? A e parafytyroni sikur Kruja dhe Skënderbeu të ishin pasuri e një vendi fqinj se çfarë kujdesi, se çfarë promovimi dhe se çfarë rëndësie do ti kishin kushtuar? E pra, ne e kemi Krujën, Kruja është e shqiptarëve dhe Skënderbeu është i shqiptarëve, dhe turpi ku është katandisur kjo vatër e historisë së Shqipërisë dhe djep i historisë së Shqipërisë, është turp i atyre që pushtetin e popullit e kanë kthyer në një fuqi për të gllabëruar gjithçka që u del para. Atë që Saliu i ka bërë Krujës nuk ia kanë bërë dy sulltanë dhe tre rrethime. Ata çka ka bërë Saliu, duke hapur zgavra për të marrë gëlqere dhe duke e gërryer me fabrika, nuk mund tia bënte asnjë pushtues, tha Rama.
Çfarë rëndësie ka tesera që ke në xhep kur Berisha e ka kthyer partinë në partinë e familjes dhe ka rrënuar Krujën. Ne do e vendosim Krujën nën një mbrojtje të posaçme dhe do investojmë siç investohet për një pasuri kombëtare, kështu do rrisim mundësinë për punësim dhe turizëm në Krujë. Kruja është qytet i bekuar, mos e tradhtoni duke votuar atë që ka 8 vjet që i punoi Krujës pabesinë e madhe të shkatërrimit dhe rrënimit të vazhdueshëm. Mos e tradhtoni duke votuar ata që firmosin ndërtimin e guroreve dhe gllabëruar gurët e shenjtë të një shëtitoreje. Mos e tradhtoni Krujën duke u dhënë votë atyre që e kanë kthyer këtë zonë në vendin ku digjen goma, ku prodhohet gëlqere dhe sëmundje për njerëzit e këtij vendit, vijoi Rama./ep