TemA TV/ Lefteria nuk e njeh Kolegjin, vazhdon rinumërimin (VIDEO)
Trupa prej 4 anëtarësh e KQZ-së nuk pyet për ligj e as Kod Zgjedhor.
Kjo edhe pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor, marrë pasditen e sotme, që e rrëzoi si antiligjor vendimin e KQZ për hapjen e kutive të votimit në mungesë të kuorumit për qarkun e Lezhës.
Me një vendimmarrje të njëjtë në thelb e përmbajtje, KQZ urdhëroi hapjen e kutive edhe për Shkodrën.
Procesi tani është futur në rrugën e drejtë ligjore dhe do t’ju ftoja edhe juve të përfundoni këtë proces zgjedhor, duke zbatuar vendimet e Kolegjit Zgjedhor, u shpreh përfaqësuesi i PS-së në KQZ, Genci Gjonçaj.
Vendimi ka të bëjë me ankimimin që subjektet bënë për qarkun Lezhë. Ne jemi duke shqyrtuar ankimimet për qarkun Shkodër. Por nga mediat kam mësuar që ju (PS) i jeni drejtuar Gjykatës së Kolegjit me një kërkesë për qarkun Shkodër, do të presim këtë vendim dhe hap pas hapi do të veprojmë patjetër. Ndërsa tani ne do të vazhdojmë me rinumërimin, tha kryetarja e KQZ-së.
Ndërkohë, KQZ-ja iu rikthye rinumërimit të kutive në qarkun e Shkodrës aty ku e kishte lënë para se të shprehej Kolegji me vendim.