TemA TV/ Masakra në Vlorë/ Autori me origjinë nga Tropoja ende i lirë, policia arreston pronarët e resortit (VIDEO)
Pas tre ditësh, autori që ka qëlluar mbi pushuesit në plazhin Kalaja të Vlorës, ku tre prej tyre gjetën vdekjen, është ende i lirë.
Leo Osmani, 18 vjeçari, i arrestuar nga policia e qytetit të Vlorës, nuk është autori i kësaj masakre, dhe pse është pjesë e konfliktit të lindur me djemtë fierakë se ngacmuan vajzën 19 vjeçare.
Tre ditë pak kësaj ngjarje, policia është ende në kërkim të autorit, ndërkohë që ka bërë të ditur se ka arrestuar pronarët e resortit ku u vranë tre pushuesit.
Ndërsa nga hetimet është zbuluar se 2 prej viktimave, Serdi Bajlozi 17 vjeç dhe Sokol Isufaj 34 vjeç janë goditur nga plumba rikoshetë, ndërkohë që gruaja 52 vjeçare, Diana Ademi është qëlluar ndërkohë që arma ka qenë duke u ulur në tokë.
Në kërkim të autorit
Autori i masakrës në plazhin e Vlorës është me origjinë nga Tropoja, ndërkohë që familja e tij është zhvendosur prej vitesh në qytetin bregdetar. Ai quhet Delin Hajdaraj.
Është i një moshe rreth 22 vjeç dhe njihet si shok i Leo Osmanit, 18 vjeçarit të arrestuar pasditen e së hënës.
Falë dëshmive dhe provave shkencore, policia e Vlorës ka zbardhur ngjarjen që nisi për hir të një vajze 19 vjeçare. Madje djemtë fierakë janë shoqëruar për disa orë në polici ku dhe kanë dhënë versionin e tyre mbi sherrin që përfundoi fatlisht për tre pushuesit.
Sipas burimeve të policisë, djemtë fierakë kanë pranuar se i kanë bërë komplimente vajzës 19 vjeçare, por kanë mohuar të jenë konfrontuar me njerëz në plazh.
Ndërkohë që sipas gjithë dëshmitarëve në plazh, duket se mes djemve fierakë, katër syresh, dhe dy djemve vlonjatë ka pasur sherr në plazh.
Duke qene se ishin më të pakët në numër, të rinjtë, të fyer edhe për ngacmimin e vajzës 19 vjeçare, i kanë dhënë fund sherrit nën breshërinë e automatikut, drejtuar djemve fierakë.
Ndërsa policia e Vlorës deklaron se po punohet për të gjetur bashkëpunëtorët, të martën u bë i ditur arrestimi i pronarëve të resortit ku edhe ndodhi ngjarja, për shkak se nuk kanë kallëzuar krimin.
Në vijimësi të hetimeve të kryera në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 28.07.2013 në plazhin e quajtur KALAJA, ku mbetën të vrarë 3 persona, grupi hetimor i ngritur posaçërisht për këtë ngjarje ka bërë arrestimin në flagrancë edhe të shtetasve: Saimir Hiqmet Qamo, vjeç 25, dhe Servet Hajredin Qamo, vjeç 54, bashkëpronarë të plazhit të quajtur Kalaja, ku ndodhi ngjarja. Arrestimi i tyre u krye pasi megjithëse kishin detyrimin ligjor për të kallëzuar krimin e ndodhur në plazhin që kishin në pronësi, nuk kanë e kryer një gjë të tillë, duke mos dhënë shpjegime, thuhet në njoftimin për shtyp të policisë së Vlorës.
Sipas këtij njoftimi, arrestimi i i pronarëve të resortit u krye për veprën penale moskallëzimi i krimit, ndërkohë që aty nuk thuhet asnjë detaj mbi autorin e krimit, që në bazë të gjitha provave rezulton të jetë djali me origjinë nga Tropoja, i zhdukur në drejtim të paditur.
