TemA TV/ Ministria e Mbrojtjes: Si shesim ne pronat, i shet Bode. PS u bën thirrje biznesmenëve: Mos blini prej tyre (VIDEO)
(E PERDITESUAR)- Ministria e Mbrojtjes ka reaguar pas akuzave të deputetit socialist, Taulant Balla, se po shesin prona edhe tani që janë në largim e sipër.
Në një deklaratë të Ministrisë së Mbrojtjes thuhet se nuk i shesin ata pronat, por i shet Ministria e Financave.
Ministria e Mbrojtjes sqaron opinionin publik se sulmet për shitjen e disa pronave nga ndonjë deputet socialist dhe gazeta të Partisë Socialiste për një proces i cili nuk ka asnjë lidhje me Ministrinë e Mbrojtjes, janë sulme me frymëzim personal kundër ministrit të Mbrojtjes. Pronat në fjalë kanë dhjetë vjet që kanë dalë nga Plani i Përhapjes së Forcave të Armatosura nga ish ministra socialistë që kanë drejtuar Ministrinë e Mbrojtjes dhe sipas ligjit i janë dorëzuar Ministrisë së Ekonomisë për vijimin e procedurave ligjore. Siç shihet qartë në dokumentin e publikuar, shitja e këtyre pronave nuk bëhet nga Ministria e Mbrojtjes por nga Drejtoria e Shitjes së Pronave Publike në Ministrinë e Financave, thuhet në deklaratën e MM.
Pas kësaj deklarate të Imamit, ka reaguar edhe Partia Socialiste, përmes deputetes Ermonela Felaj.
Ajo tha se Imami po shet prona në zona të lakmuara të vendit, edhe pse ka humbur zgjedhjet.
Felaj u ka bërë thirrje biznesmenëve që të blejnë prona dhe të mos hyjnë në marrëdhënie tregtie me këtë qeveri.
Mazhoranca e re ka premtuar zhbërjen e vendimeve të qeverisë në largim.
Arben Imami duket i vendosur ta çojë deri në fund zullumin e tij në krye të Ministrisë së Mbrojtjes duke nxjerrë në ankand një numër pronash të Ushtrisë Shqiptare.
Në ankandin e datave 16 dhe 17 korrik, ky ministër ka nxjerrë në shitje me një çmim ndjeshëm nën vlerën e tregut, disa prona në zonat më të lakmueshme turistike të vendit, siç është për shembull një sipërfaqe prej 3000 metrash katrorë në Ksamil e nxjerrë në shitje me një çmim fillestar prej 12 milion lekësh apo një truall prej 625 metrash katrorë në Babicë për vetëm 2 milionë lekë.
Është absurde që një ministër që u ndëshkua rëndë me votë në qarkun që drejtonte; një ministër qeveria e të cilit u ndëshkua me votën e 1 milionë shqiptarëve pikërisht për vjedhjet, abuzimet, shpërdorimin e pasurisë publike në emër të interesave personale e klienteliste, vazhdon ende sot të abuzojë me pronën publike si të mos ketë ndodhur asgjë.
Partia Socialiste i ka denoncuar në vijimësi abuzimet dhe shpërdorimin e aseteve e pronave publike nga ana e qeverisë në ikje, në emër të pasurimit të një grushti njerëzish të lidhur drejtpërdrejtë me pushtetin.
I kemi denoncuar po ashtu në vijimësi shkeljet flagrante të ministrit Imami i cili duhet thënë se ka spikatur me bëmat e abuzimet e tij.
Prandaj e përsërisim sot edhe njëherë thirrjen, së pari, për vetë Arben Imamin që të tërhiqet nga çdo akt abuzimi me pronën publike.
Por ndjejmë po ashtu detyrimin të përsërisim thirrjen edhe ndaj sipërmarrësve që të mos përfshihen në asnjë marrëdhënie të re parash apo pronash me këtë qeveri, e cila në çdo vend demokratik në këto momente do të duhej vetëm të përkujdesej për transferimin e detyrës e jo të merrte vendime të këtij karakteri, tha Felaj./ep
