TemA TV/ PS: Ky është 1 maji i rinisë së papunë me diplomë në xhep (VIDEO)
Partia Socialiste vazhdoi të denoncojë dështimet e qeverisjes Berisha.
Kryetari i grupit të punës për punësimin në PS, Arbi Mazniku, tha se problemi më i madh në vend është papunësia. Sipas tij, shqiptarët nuk duan lëmoshë, duan një vend pune.
Kjo qeverisje i ka braktisur shqiptarët e thjeshtë që duan të punojnë. 1 maji nuk mund të jetë ditë feste, aty ku nuk ka punësim, aty ku nuk ka punë me dinjitet, aty ku të drejtat e punëtorëve nuk respektohen dhe ku shteti është indiferent ndaj shfrytëzimit të tyre.
Sot është 1 maji, dita e të minatorëve të shfrytëzuar barbarisht në Bulqizë, ku 65 minatorë kanë gjetur vdekjen; 1 maji i rinisë të papunë, por me tituj e diploma që nuk u hyjnë në xhep; 1 maji i rinisë të pashkolluar e që endet rrugëve e pashpresë; 1 maji i rrënimit të arsimit e që nuk prodhon punësim, por rini të zhgënjyer dhe analfabetë, tha Mazniku.
Sali Berisha dështoi me punësimin dhe sot numërohen 1 milionë shqiptarë të papunë. Premtoi që do të krijonte 160 mijë vende të reja pune dhe ndërkohë nga vetë shifrat e INSTAT-i i tij provojnë se nga 2008, 51 mijë shqiptarë kanë humbur vendin e punës. Sot në 1 Majin e ditës së punës, Sali Berisha i ka shqiptarëve 211mijë vende pune borxh.
E nuk mund të ndodhte ndryshe, nën një qeveri qe tjetër flet e tjetër bën. Çdo vit që nga viti 2009, buxheti i ministrisë së punës, për programin e nxitjes së punësimit, ka ardhur ne ulje. Në vitin 2009 nga çdo 100 lek që kishte në buxhet Ministria e Punës shpenzonte për tregun e punës 4.7 lekë. Ndërkohë që sot shpenzon 2.6 lekë, ose plot 55% më pak.
Sipas zyrtarit të PS, për socialistët puna është dinjitet, ndaj ata do zbatojnë politika që do krijojnë vene të reja pune, të mirëpaguara dhe të denja.
Ne do të krijojmë kushte të përshtatshme pune për të gjithë punëtorët, do të garantojmë mbrojtjen e jetës, shëndetit dhe sigurisë në punë, në përputhje me standardet evropiane, tha Mazniku./ep