TemA TV/ Paditet në prokurori Lefterie Lleshi për milionat e shpërdoruara për teknologjinë në zgjedhje (VIDEO)
Partia Socialiste ka kërkuar ndjekje penale për katër anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke i akuzuar për shpërdorim detyre.
Pasi TemA ka denoncuar skandalin e 3.4 milion eurove të përfituara nga kompania spanjolle INDRA, për dy projektet e dështuara, ku paratë kanë përfunduar tek një kompani nënkontraktore, në pronësi të Pjerin Markut, ish- këshilltar i kryeministrit Sali Berisha për teknologjinë, Partia Socialiste i është drejtuar prokurorisë për të hetuar skandalin.
Në kërkesë- padinë e dorëzuar nga Sekretari për Çështjet Zgjedhore, Damian Gjiknuri, thuhet se përgjegjës për këtë skandal janë: Lefterie Leshi, me detyrë kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri, me detyrë anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Vera Shtjefni, me detyrë anëtare e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Hysen Osmanaj, me detyrë anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dhe anëtarët e Komisionit të Përgatitjes së Dokumentacionit dhe Vlerësimit të Ofertave të Tenderit. Sipas akt-paditës, këta persona kanë shpërdoruar detyrën duke i shkaktuar vendit dëme të konsiderueshme financiare.
Akuza për Lefterinë
Anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve jo vetëm kanë shpërdoruar detyrën, por janë përgjegjësit kryesorë të dështimit të verifikimit elektronik të votës për qarkun e Tiranës, një projekt ky pilot që ka dështuar.
Ky sistem ishte parashikuar të aplikohej për herë të parë në zgjedhjet në Shqipëri, duke qenë njëkohësisht edhe si projekt pilot me qëllim mundësinë e shtrirjes në zgjedhjet e ardhshme në të gjithë vendin.
Gjatë procesit të përgatitjes së infrastrukturës për zgjedhjet e përgjithshme të datës 23.06.2013, të kallëzuarit me veprime dhe mosveprime të kundraligjshme kanë konsumuar veprat penale të shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal, me pasojë dështimin e Sistemi Elektronik i Verifikimit (SEV) gjatë procesit zgjedhor në qarkun e Tiranës, thuhet në akt-padinë e dorëzuar nga Partia Socialiste.
Sipas ligjit, KQZja duhet te kishte firmosur kontratën me kompaninë fituese të tenderit më datë 23 dhjetor 2012.
Ndërkohë që kontrata është lidhur tre muaj me vonesë. Të vetmet akte të miratuara nga KQZ për këtë qëllim janë dokumenti për përcaktimin e procedurave prokuruese më 27 dhjetor 2012 dhe plani për përmbushjen e SEV në datën 25 prill 2013.
Po kështu Kodi Zgjedhor në formulimet përkatëse ka përcaktuar kryerjen me kohë të testimeve të sistemit dhe bërjen e auditimeve të nevojshme.
Vlen të theksohet se nga ana e KQZ-së nuk ishte miratuar metodologji për bërjen e testit, duke realizuar vetëm një testim formal, të paracaktuar me qëllim mediatizimin e dështimit të paralajmëruar të teknologjisë. Në këtë dështim të orkestruar, të kallëzuarit e identifikuar dhe personat të tjerë të paidentifikuar, janë ligjërisht përgjegjës për shpërdorimin e fondeve publike dhe cenimin e interesave të ligjshme të shtetit dhe shtetasve me veprime dhe mosveprime që kanë shkaktuar pasojën e paligjshme të mos realizimit të projektit SEV dhe dëmit ekonomik të shkaktuar, thuhet në padi.
Sipas juristëve të Partisë Socialiste, këto veprime të kundërligjshme, të kryera me dashje direkte, cenojnë standardet e zgjedhjeve./l.ç