TemA TV/ Rama: Në asnjë vend të Europës nuk ekzistojnë fshatarë të varfër. Do reformojmë arsimin për të rinjtë (VIDEO)
Kreu i PS-së, Edi Rama, ka zhvilluar një takim gjatë ditës së sotme me të rinjtë në Komunën e Petrelës. Rama ka thënë gjatë fjalës së tij se qeverisja socialiste do ti japë rëndësi të veçantë reformimit të sistemit arsimor, ndërsa është shprehur se sistemi aktual nuk garanton asnjë perspektivë.
Ne jemi të vendosur që t`i kthejmë shkollat në qendra komunitare. Ne jemi të vendosur që t`ua kthejmë investimet prindërve tuaj që sakrifikojnë shumë për t`ju çuar juve në shkollë, por njëkohësisht t`ju kthejmë juve në fund të këtij rrugëtimi investimin e energjive të kohës dhe të mundit tuaj për t`u pasuruar me dije ka theksuar Rama gjatë fjalës së tij.
Duke u ndalur tek çështja e fshatit, Rama është shprehur se në asnjë vend të Europës nuk ekzistojnë fshatarë të varfër, ndryshe sa ndodh në Shqipëri.
Toka sot nuk u jep njerëzve që jetojnë në fshat mundësinë që të krijojnë miqëqënie dhe ne duam që toka t`a bëjë këtë. Ashtu siç e bën në të gjitha vendet e Europës, ku nuk ka më fshatarë të varfër, nuk ekzistojnë fshatarët e varfër. Sepse toka është një pasuri e madhe që mund të prodhojë pasuri të mjaftueshme për njerëzit që jetojnë në fshat dhe mund të garantojë vazhdimësinë e një jete normale për gjeneratat e reja të fshatit, tha Rama.
Sipas tij, PS ka si synim që të rikthejë besimin tek të rinjtë se ëndrrat në këtë vend mund të bëhen realitet.
Në programin tonë ne kemi një zotim, një zotim themelor, që vajzave dhe djemve të ëktij vendi t`ju japim arsye të besojnë se ëndrrat dhe preset e tyre janë plotësisht të realizueshme nëse së bashku fitojmë zgjedhjet e ardhshme dhe së bashku e kthejmë fitoren në një instrument që të hapi rrugë të reja dhe prespektiva të reja për çdo vajzë dhe djalë të këtij vendi, tha Rama./b.l