TemA TV/ Socialistët japin alarmin: 25.874 dublime zgjedhësish të dyshuara dhe 352 mijë votues pa adresë (VIDEO)
Partia Socialiste është shprehur e shqetësuar për listën e votuesve. Sipas saj, problematike mbeten dublimet e zgjedhësve dhe votuesit pa adresa.
Bledar Çuçi, nënsekretar për Çështjet Zgjedhore, ka thënë gjatë një konference shtypi se aktualisht janë 25.874 dublime zgjedhësish dhe 352 mijë votues pa adresë.
Ekspertët tanë përfundimisht kanë nxjerrë një shifër prej 25 874 shtetas të dyshuar si të dubluar në listat zgjedhore për zgjedhjet e 23 qershorit. Problematika e dytë serioze që lidhet me listën e zgjedhësve ka të bëjë pikërisht me ata zgjedhës që ende figurojnë sot në listën e zgjedhësve pa një adresë një saktë zgjedhore. Ekstrakti i fundit të përbërësve zgjedhore është 352.337 zgjedhës, tha ai.
Çuçi është shprehur se qarku me problematik me numrim më të madh të zgjedhësve pa adresë mbetet Tirana, me 87 mijë votues, pasuar nga Vlora me 84 178, Shkodra me 38 827 dhe Korça me 27 593 votues.
Pavarësisht kësaj, Çuçi ka thënë se PS ka informacione për të gjithë votuesit e dubluar dhe ka siguruar se askush nuk do të ketë mundësinë që më 23 qershor të votojë dy herë.
PS e ka të gjithë informacionin e detajuar të 25 874 zgjedhësve të dyshuar si të dubluar në lista se ku ndodhen, ku janë të regjistruar fiktivisht, kush e ka marrë dokumentin e identitetit, në çfarë qendre votimi janë të regjistruar dhe në çfarë familje i përkasin si të dubluar. Ne kemi informacionin e plotë dhe garantojmë që asnjë nga këto zgjedhës nuk do të kenë mundësi që në datën 23 qershor të votojë më shumë se një herë, për shkak të të qenurit të tyre si të dubluar në listën e zgjedhësve, tha Çuçi në përfundim të fjalës së tij./b.l