“Trialog” – Sulo: Opozita nuk kishte kohë për të përmirësuar rezultatin. Pa Tiranën në garë, zgjedhjet e pjesshme nuk kishin peshë politike

Në emisionin “Trialog” në RTSH, nën moderimin e Alba Alishanit, u analizuan zgjedhjet e pjesshme vendore të mbajtura në pesë bashki të vendit.
Diskutimi u përqendrua tek pjesëmarrja e ulët e votuesve dhe shkaqet që e kanë ndikuar këtë rezultat.
Analisti Arion Sulo vlerësoi se këto zgjedhje nuk kishin ndonjë domethënie të madhe politike, duke theksuar se vetëm në rast se gara do të zhvillohej në Bashkinë e Tiranës, do të kishte një analizë më të thelluar politike.
“Pesë bashkitë ku u zhvilluan zgjedhjet janë të majta dhe edhe në ditën më të keqe kanë qenë bashki të Partisë Socialiste. Ishte një gjë e braktisur edhe nga aktorët politikë. Nuk pamë as thirrje nga Edi Rama apo nga Sali Berisha,” – u shpreh Sulo.
Ai solli në vëmendje rastin e Vlorës, ku pjesëmarrja ishte historikisht e ulët, duke e cilësuar si rekord jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Europë.
“Në zgjedhjet e vitit 2023, kur u zgjodh ish-kryetari Ermal Dredha, votuan 25%. Ndërsa tani vetëm 12.4%. Vlora është një qytet shumë ideologjik, bën politikë dhe ka emigracion të lartë. Vlora është e lidhur shumë me politikën, konsumon shumë politikë, por a mund të analizojmë se është Vlora që po e braktis e para?” – ngriti pyetjen Sulo.
Duke analizuar shkaqet e pjesëmarrjes së ulët, ai shtoi se opozita nuk kishte mundësi reale për të përmirësuar rezultatin, për shkak të kohës së shkurtër mes dy proceseve zgjedhore.
“Nga 11 maji deri më 9 nëntor është një periudhë e pamundur për t’u përmirësuar,” – tha Sulo.
/rtsh.al/