E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vëzhguesit vendorë konstatojnë një sërë shkeljesh ditën e votimit

Misioni i vëzhguesve vendorë ka konstatuar një sërë shkeljesh ditën e zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare. Sipas tyre komisionerët vendorë në qendrat e votimit kanë shkelur jo pak herë ligjin. Një problem që misioni i vëzhguesve vendor e ngre si shqetësues ka qenë ndarja në lista të anëtarëve të një familjeje, ku ata nuk ishin të gjithë në një listë, por ishin të ndarë në disa prej tyre dhe duhej të votonin në qendra të ndara. Njëra prej drejtuesve të misionit, Gerta Meta, gjatë një interviste dhënë për DË është shprehur se në një kohë kur qytetarët u pajisën me kartat e identitetit, nga ana e komisionerëve në qendrat e votimit jo pak herë është shkelur ligji. Sipas saj, këta komisionerë nuk evidentonin numrin serial të çdo letërnjoftimi dhe karte identiteti, çka është shkelje e kodit elektoral. Kemi konstatuar raste p.sh. në Ersekë. Nga 57 kuti votimi që kishte në atë zonë, njëra prej tyre u shpall e pavlefshme pasi nuk ishin protokolluar numrat e këtyre dokumenteve. Raste ka pasur dhe në Fier, Bushat etj. Por ka pasur dhe evidenca të tjera. Veçanërisht me ata votues në moshë të thyer, të cilët kanë paraqitur pasaporta të skaduara. Por meqë ata i njohin në komunitet, meqë janë në moshë të thyer i kanë toleruar që të votojnë në mënyrë të kundërligjshme, nënvizoi ajo. Identifikimi i votuesve me karta identiteti ose me pasaportë ishte një nga detyrimet e kodit të ri elektoral, që u konsiderua si një faktor pozitiv të zhvillimit të zgjedhjeve. Objekt tjetër i punës së misionit të vëzhguesve vendorë ka qenë dhe përmbajtja e listave të votuesve. Ata kanë vërejtur një përmirësim të dukshëm të tyre. Kjo në bazë edhe të hartimit të regjistrit kombëtar në mënyrë elektronike. Por, megjithatë, sipas Gerta Metës u raportuan nga qytetarët dhe probleme, ku më i dukshmi ishte një lloj ndarje në lista të anëtarëve të një familjeje. Ata nuk ishin të gjithë në një listë, por ishin të ndarë në disa prej tyre. Pra duhej të votonin në qendra të ndara. P.sh. kishte raste kur anëtarë të familjes ishin në minibashkinë 5 në Tiranë, kurse pjesa tjetër në minibashkinë 11, vijoi ajo. Misioni i vëzhguesve vendorë shprehet se u pa dhe një neglizhencë nga qytetarët, të cilët nuk kishin marrë informacion paraprak se ku do të hidhnin votën të dielën e kaluar. Çdo gjë e kishin lënë për minutën e fundit. Gjithashtu një procedurë risi e këtyre zgjedhjeve parlamentare ishte dhe numërimi i votave nën vëzhgimin e kamerave digjitale që e bëri shumë më transparent këtë fazë të procesit. Por nga ana teknike në një farë mënyre kjo uli pak ritmin e procesit të numërimit, sipas së cilës nga komisionerët nuk u respektua limiti kohor se sa duhej të skanohej nga të dy anët çdo votë që numërohej, theksoi drejtuesja e misionit. Por, sipas saj ky fakt nuk e zbeh efektin transparent dhe e vendos në shumë sy njëherësh verdiktin e qytetarëve më 28 qershor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›