Temperaturat e larta rrisin rastet me simptomat e stinës

Temperaturat e larta kanë rritur numrin e qytetarëve që i drejtohen Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza" me simptoma të stinës. Burime nga QSUT shprehen se në Spitalin Pediatrik pranë QSUT-së janë paraqitur gjatë fundjavës rreth 200 pacientë të vegjël, me simptoma të stinës. Pasi kanë marrë ndihmën e duhur si dhe këshillat përkatëse nga mjekët, pacientët janë larguar nga ambientet e spitalit. Sipas të njëjtave burime, pranë Spitalit Infektiv janë paraqitur rreth 100 pacientë, ndërsa në shërbimin e kardiologjisë rreth 100-120 pacientë me simptoma nga temperaturat e larta. Mjekët bëjnë apel që të tregohet kujdes me ushqimet që konsumohen, për të cilat blerësit duhet të sigurohen që janë të kontrolluara dhe të sigurta. Ata këshillojnë konsumimin e sa më shumë lëngjeve, deri 2 litrave ujë në ditë, fruta dhe zarzavate, ndërsa kujdes të veçantë duhet të tregohet për fëmijët, të moshuarit, gratë shtatzana e të sëmurët kronikë. Evitimi i lëvizjeve dhe aktiviteteve fizike intensive nga ora 11.00 deri në orën 16.00, është një tjetër këshillë për të gjithë njerëzit në kushtet e temperaturave të larta. Reduktimi i sforcove fizike në orët më të nxehta të ditës dhe mbajtja e kapeles apo çadrës, në raste të daljes në rrugë, mbajtja e rrobave të gjëra, të lehta, me ngjyra të çelura (mundësisht prej pambuku) janë të tjera këshilla që japin mjekët. Ndërsa, disa nga masat që duhen të merren për parandalimin e infeksioneve dhe virozave janë konsumimi i ujit të sigurtë (të blerë ose të zier nga çezma, kur nuk jemi të sigurtë për cilësinë e tij), larja e vazhdueshme e duarve, ruajta e ushqimeve në frigorifer apo në vende të freskëta, konsumim i freskët i ushqimeve sidomos atyre me përmbajtje bulmetrash, vezësh, mishit, etj.
...