E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërcimet dhe kërcënimet “milosheviçiane” të Ramës

Rama nuk është aq tralala sa dukej në takimet elektorale me mbështetësit e vet, ku përveçse “çohu!” nuk u thoshte asgjë tjetër të pranishmëve, shumicën e të cilëve mezi i mbanin gjunjët dhe bastuni i pleqërisë. Po për “kasketat” e majta të Partisë Socialiste, të mësuar me këngë partizane apo vullnetare, kjo ishte gjithëçka. Motive të tilla, shumica e këtyre militantëve, në mos i kanë vërshëllyer nga frika duke ecur natën nëpër pyll, i kanë kënduar nga “trimëria” përballë “një armiku 40 milionë”, paçka se “dyfekët lidhur me gjalmë” dhe “fishekët në xhep i mbajnë” apo nga “lumturia” e tallonit socialist, duke mbajtur “në njërën dorë kazmën dhe në tjetrën pushkën”. Dhe s’kish si të ndodhte ndryshe, ndërkohë që “kryekëngëtari” Rama e shumëzoi me zero gjithë periudhën e zhvillimit demokratik të vendit tonë dhe ekipin e personaliteteve politiko-qeverisëse që i përkasin asaj, në emër, gjoja, të një “bashkimi të ri për ndryshim”, që fillonte me rrëzimin imagjinar të bustit të Enverit. Domethënë, në këtë mënyrë, kjo monstër e “politikës së re” nuk donte t’u njihte paraardhësve të tij as meritën e rrëzimit të diktaturës komuniste, jo më kontributin e tyre të çmuar për zhvillimin demokratik dhe integrimin e vendit në strukturat euro-atlantike. Nga ana tjetër ai donte t’i hidhte “hi syve” edhe përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtar, duke e paraqitur gjithë këtë veprimtari kryekëput enveriste, si një “politikë te re” demokratike. Ndërkohë, në prapaskenë përgatiste gjëmën që e priste këtë vend, si në të gjitha rastet e tjera kur “historia fillon me mua”. A nuk veproi kështu Enver Hoxha pas vitit ’45; ku me këngë, valle dhe thirrje revolucionare “në emër të së resë”, eleminoi, një e nga një, jo vetëm të gjithë intelektualët dhe partiotët e vërtetë të këtij vendi, por edhe çdo elementë apo mundësi të vërtetë progresi dhe zhvillimi të trashëguar nga e kaluara. Ndaj kufirin fillestar të këtij zhvillimi ai vendosi ’38-n, megjithëse para këtij viti shtrihej një periudhë e artë përsa i përkiste shtetit dhe ekonomisë së vërtetë konkuruese në raport me shumë vende të botës. Asetet dhe eksperiencën e trashëguar nga kjo periudhë Enver Hoxha i “konfiskoi” për llogari të pushtetit të vet, pas ’45-ës. Të njëjtën gjë duket se do të bënte dhe Edi Rama teksa thoshte, midis të tjerash, se: “liberalizimin e vizave me BE-në do të bëjmë ne”, “ndërtimin e Rrugës Durrës-Kukës, po ashtu”, “legalizimin e zonave urbane do ta bëjmë ne”, etj., etj., arritje që u përkasin qeverisjeve të mëparshme, duke filluar nga ’91-shi e në vazhdim dhe kryesisht qeverisë “Berisha” të viteve ’05-‘09.

Dikush mund të thotë se po e ekzagjerojë me një krahsim të tillë, por kjo nuk është aspak e vërtetë. Ata që po e ekzagjerojnë dhe tepërojnë qëndrojnë në krahun tjetër, duke i bërë elozhe dhe lutje Edi Ramës që të mos jap dorëheqjen nga posti i kryetarit të PS-së, megjithëse një kërkesë e tillë është sanksionuar në statutin e partisë dhe staturën e ish kryetarit historik të saj, z. Fatos Nano. Madje ata janë gati t’i thurin këngë “trimërie” atij, por natyrisht, jo me stilin e këngës “Çohu!”, nga që ashtu si Enveri shkakun e dështimit e shikojnë tek “armiku i brendshëm dhe i jashtëm”, që në rastin konkret janë Meta dhe Berisha. Dhe sipas “tablosë sinoptike” të Ramës, “armiku i brendshëm dhe ai i jashtëm” kishin filluar të bashkëpunonin që para zgjedhjeve, për të mbërritur tek aleanca qeverisëse pas zgjedhore. Ndaj “demaskimi popullor” filloi sapo mbaroi “kërcimi nga belaja” i popullit të majtë, krahas kërcënimit revolucionar “për të mos njohur zgjedhjet” dhe institucionin ligjor që i çërtifikon ato, sidomos lidhur me rezultatet paraprake në “bastionet socialiste”. Ata nuk mund ta imagjinojnë kurrë që në Fier e Berat, përshëmbull, avantazhi të jetë vetëm një deputet më shumë, ndaj në “rrugë revolucionare” kërkojnë që diferenë të shojë në “tre”, sa në Vlorë. Kjo ishte arsyeja që prej disa ditësh, Rama po artikulon kërcënimin se, “askush nuk mund të prekë mandatin e 9-të të Fierit, përndryshe populli i këtij qyteti dhe gjithë Shqipërisë, do të reagojë”. Të njëjtën gjë po kërkojnë edhe Beratin megjithëse atje rezultati është i çertifikuar në mënyrë korrekte. Ai dhe shpura e vet flasin akoma “në emër të popullit”, siç bënte udhëheqësi i tyre shpirtëror, Enver Hoxha, megjithëse “pro” tyre nuk ka votuar as një e katërta e qytetarëve shqiptarë. Ndërsa, ata që mendohet se mund të përfshihen në një “nëntëdhjetë e shtatë të dytë” numërohen me gishtat e dorës, pavarësisht se zëdhënësja e Ramës, me një zë burrëror, kalon nga një kërcënim në tjetrin. “Nuk do ta lëmë qeverinë të ngrihet”, tha ajo një ditë pasi Meta kishte pranuar ftesën e kryeministrit Berisha për bashkëqeverisje në 4 vitet e ardhshme. Këto ditë ajo papagallos kërcënimet e tjera të Ramës për “mandatin e nëntë të Partisë Socialiste në Fier”, duke thënë se: “ne nuk i njohim zgjedhjet në rast se mandati i nëntë i Partisë Socialiste në Fier do të grabitet” dhe “ne do ta marrim atë mandat me çdo mjet dhe me çdo çmim”. Këto artikulime kërcënuese bëhen sipas parimit enverist që, “partia është mbi të gjitha”, megjithëse sot nuk ka më një parti si në kohën e Enverit. Nga ana tjetër, kërcënimet nuk janë mjete demokratike, aq më tepër kur bëhet fjalë për çështje që zgjidhen në mënyrë ligjore. Unë nuk e di se çfarë u këshillojnë ndërkmbëtarët këtyre “guerrilasve” të ditëve tona në takimet që zhvillojnë me ta?! Natyrisht nuk mendojë se i marrin për “budallenjë që u duhet hapur rruga”. Të kontestosh këtë proces zgjedhor, që është nga më të rregulltit dhe më të ndershmit të zhvilluar deri tani, do të thotë të pretendosh për një fitore jo legjitime, si në zgjedhjet e periudhës ’97-’05, kur socialistët i ftonin mandatet me grykën e pushkës, “armën” e Policisë së shtetit apo “anonimatin” e çertifikatës. Unë mendojë se institucionet tona shtetrore nuk duhet të bien preh e provokimeve dhe kërcënimeve të Ramës, me qëllim që t’i bëjnë lëshime atij në emër të “heshtjes” për të mos njollosur procesin zgjedhor. Kjo nuk është drejtësi, por paaftësi për të bërë detyrën që të është besuar.

Zgjedhjet e 28 qershorit provuan më së miri se Edi Rama është një rrezik serioz për demokracinë shqiptare. Këtë nuk po arrijnë ta kuptojnë ende, vetëm “militantët lakuriq” të Partisë Socialiste në katundet dhe qytetet e Shqipërisë, pse jo dhe disa gazetarë “të blerë” të medias së shkruar dhe asaj vizive. Ai kishte kohë që e shfaqte këtë cilësi të keqe të karakterit të tij, qysh kur Fatos Nano i mori me “thonjë  të paprerë” nga Parisi dhe e bëri ministër të Kulturës. Janë vese që burojnë jo vetëm nga mosmirënjohja por edhe pangopësia për para e pushtet të pamerituar. Kjo ishte arsyeja që Rama pretendonte një pushtet-dhuratë edhe në zgjedhjet e 28 qershorit ’09, duke përdorur jo vetëm paratë dhe pushtetin e pamerituar të viteve të shkuara, por edhe “simpatinë” e krijuar tek militantët “pa fe dhe pa atdhe” të Partisë Socialiste. Në këtë mënyrë kreu socialist mund të ketë marrë padrejtësisht afro 10% të votave që ka fituar PS-së në zgjedhjet e fundit, ku një pjesë i përkisnin Lëvizjes Socialite për Integrim dhe të tjerat individëve që “blihen” për 50 apo 100 euro. Ndoshta këto mund të jenë zgjedhjet e fundit në Shqipëri ku mund të fitohet duke blerë vota apo duke përdorur Policinë Bashkiake, ndaj militantët socialist mos t’i bëjnë ende “hesapet pa Hanxhiun”, duke luftuar më mish e me shpirt që të mbajnë akoma Ramën në krye të PS-së. Duke qenë një rrezik i madh për familjen apo të gjithë shoqërinë e qytetëruar ai s’mund të jetë i dobishëm për “familjen socialiste” dhe “popullin e majtë” të vendit tonë. Kërcënimet që Rama i bën koalicionit më të ri qeverisës të dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit janë kërcënime për zhvillimin dhe integrimin e vendit tonë në Bashkimin Europian. Kjo gjë nuk kuptohet tek artikulimet e tij spekulative të tipit: “Duke i siguruar që të dy, edhe Sali Berishën dhe Ilir Metën, se sot Partia Socialiste është më e fortë se asnjëherë dhe se mua sulmet e tyre primitive vetëm më forcojnë bindjen në drejtësinë e një beteje që as kam ndërmend ta lë përgjysmë e as do ta fitojnë duke marrë peng qeverinë e Shqipërisë…”, por tek vendosmëria e tij diktatoriale për të mos e lëshuar “…mandatin e 9-të të Fierit me asnjë çmim…”. Pse e kërkon me kaq ngulm një mandat z. Rama, kur dihet se i duhen të paktën 6 të tillë për të fituar? E kërkon për të përmbushur në një të ardhme të afërt ëndrrën diabolike të destabilitetit të qeverisjes dhe të vendit, sikundër paralajmërojnë analistët dhe mediat “pro” tij. Shumëkush prej tyre mendon se kjo do të jetë një qeverisje si ajo e dalë nga zgjedhjet e 26 majit ’96, ndaj po bën sa më shumë zhurmë e kërcënime për t’i njollosur edhe këto zgjedhje. A e dëgjuat ç’tha zëdhënesja e tij, së fundi? “Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, u bën thirrje të gjithë qytetarëve të Fierit dhe të gjithë Shqipërisë, që votuan Partinë Socialiste në 28 qershor, të ndjekin nga afër maskaradën e KQZ-së, dhe të përgatiten shpirtërisht për të ndalur dorën e grabitësve, në rast se KQZ nuk do të ndalet në realizimin e skenarit ogurzi të Sali Berishës”. Po kush është e vërteta? Nëse ka një politikan, që ka fituar vetëm në raste zhvillimi të zgjedhjeve të lira e të ndershme, ky është Sali Berisha. Kujtoni zgjedhjet e ’92-shit, ’96-ës, ’05-ës dhe së fundit të ’09-ës. Po kështu, nëse ka një politikan që nuk e ka përdorur pushtetin për të manipuluar rezultatin e zgjedhjeve edhe pse ka humbur, ky është përsëri Sali Berisha. Kujtoni referendumin e ’94-ës dhe pushtetin absolut që kishte në atë kohë ai. Pastaj, Berisha nuk ka nevojë të manipulojë, përderisa ai gëzon mbështetjen e pjesës më të madhe të rinisë shqiptare, që s’mund të mashtrohet nga “kërcimet” me melodi çetnike të Ramës dhe as nga kërcënimet “miloshviçiane” të tij. Sipas "The Economist" qe i referohet "Zogby International", Berisha mbetet i mbeshtetur kryesisht nga moshat nën 49 vjeç. Sipas “Zogby”, votuesit nën 35 vjeç mbështesnin 42% Partinë Demokratike dhe 34% Partinë Socialiste, megjithese kundërshtari i tij poltik, Edi Rama, është 20 vjet më i ri se sa Berisha dhe ka një të kaluar shumë më ekstravagante, duke e arritur kulmin me fotot nudo në plazhet publike të Francës. Kaq mjafton për të kuptuar se, kush është e shkuara dhe kush është e ardhmja, pavarësisht se këtë nuk duan ta pranojnë “kokat e nxehta” të Partisë Socialiste me në krye Edi Ramën.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›