E Diel, 1 Nëntor 2026

Numri një i SOCA-s: Shqipëria është një aleat i çmuar i Britanisë Madhe

Kryeministri Berisha priti sot Drejtorin e Përgjithshëm të Agjensisë kundër Krimeve Serioze dhe të Organizuara të Britanisë së Madhe, Bill Hughes. Kryeministri falenderoi SOCA-n për ndihmën që i është dhënë policisë shqiptare ndër vite. Ai theksoi se lufta me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar është një prioritet parësor i qeverisë. Kjo platformë ka dhënë rezultate të shkëlqyera. Janë qindra grupe kriminale të shkatërruara dhe mbi 1000 persona të arrestuar. Niveli i përgjithshëm i krimit në Shqipëri është më i ulët se mesatarja e Bashkimit Europian. Për shkak të kësaj rënie, ka edhe një ulje drastike të trafikut të drogës, bëri me dije kryeministri Berisha.

Kryeministri Berisha theksoi gjithashtu se nuk ka asgjë më ndërkombëtare se krimi i organizuar dhe se përgjigjia e vendeve tona do të jetë po aq e organizuar. Koordinimi më i mirë mes agjensive tona është kyçi i suksesit në luftën kundër krimit të organizuar. Qeveria shqiptare është e gatshme të nënshkruajë çfarëdo lloj marrëveshjeje me qeverinë britanike, por edhe me qeveritë e tjera, në luftën kundër krimit të organizuar.

Ndërsa drejtori i SOCA-s, zoti Hughes, u shpreh: “Juve jeni një aleat i çmuar i Britanis së Madhe, në luftën kundër krimit të organizuar. Për shkak të goditjes që grupet e krimit të organizuar kanë marrë në Shqipëri, tani shoh një fenomen që elementë të krimit të organizuar, po braktisin Shqipërinë dhe po mundohen të gjejnë strehë në vendet e rajonit. Ne do të kërkojmë që modeli i bashkëpunimit me ju, do të shtrihet edhe në shtetet e tjera. Një fushë ku do të kërkoja të rrisnim bashkëpunimin, është ajo në luftën e përbashkët kundër pastrimit të parave dhe sekuestrimin e aseteve të krimit të organizuar. Organet britanike të zbatimit të ligjit, kanë një respekt gjithnjë e në rritje për policinë shqiptare” theksoi zoti Hughes.

Takimi u mbyll me mirëkuptimin për çuarjen më tej të bashkëpunimit mes agjensive të zbatimit të ligjit mes të dy vendeve.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›