KQZ ndizet në debate për Beratin. Ikin përfaqësuesit e opozitës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) po shqyrton nga mesdita e së hënës kërkesën ankimore të paraqitur nga PS dhe G 99 për rezultatin e tabelës së rezultateve të qarkut Berat. Objekt i dy ankesave ishte kundërshtimi i vendimit të KZAZ-ve nr 1, 2 dhe 3 të këtij qarku për tabelën përmbledhëse të rezultateve, duke kërkuar rinumërim dhe rivlerësim të votave të pavlefshme. Nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi duke mbështetur ankesat e dy subjekteve dhe duke iu referuar nenit 138 të Kodit Zgjedhor, kërkoi rivlerësim të votave për këto KZAZ. Në kundërshtim me këtë qëndrim të saj u shpreh përfaqësuesi i PD-së, në KQZ, Njazi Kosovrasti, i cili e konsideroi "të pavend dhe të jashtëligjshme" propozimin e znj. Subashi. Diskutimi i z. Kosovrasti ngjalli reagimin e ashpër të nënkryetares, e cila u largua nga mbledhja, pas shkëmbimit të replikave me të. Përfaqësuesi i PD-së duke i kërkuar KQZ-së rrëzimin e kësaj ankese tha se "procesi në qarkun Berat është i çertifikuar nga komisionerët e PD-së e PS-së dhe nuk ka pasur kontestime. "Nuk mund të hidhni baltë mbi procesin kur atje keni qënë vetë në shumicë dhe keni drejtuar procesin e numërimit të votave. Kërkesa e PS-s është e urdhëruar politikisht dhe zgjedhjet sidomos ato në qarkun e Beratit ka qënë të shkëlqyera, në mirëkuptim të plotë mes të gjithë komisionerëve", tha Kosovrasti në mbledhjen e sotme të KQZ-së.
...